BANKA E SHQIPËRISË

(Anti) cash, fillon tek unë!

Data e publikimit: 28.05.2004

 

Nuk është ndonjë slogan por sfida reale e gjithësecilit për të reduktuar sasinë e parave nëpër xhepa e "nën jastëk" dhe rritjes së besimit te sistemi bankar. Rreth 970 mijë lekë të reja kishim në kuletat rreth 100 pjesëmarrësit e djeshëm në takimin e diskutimit "cash fillon te unë", që nënkupton se edhe vetë bankierët, biznesmenët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias të pranishëm, mbanim sasi të konsiderueshme cash(para të thata) në xhep. Ky është vetëm një detaj i argumentit, tashmë të identifikuar dhe vënë si prioritet për zgjidhje nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë në një periudhë 1-3 vjeçare. Realiteti shqiptar të ofron argumenta të shumta si për shembull: vazhdojmë të humbasim kohë nëpër sportele për të paguar faturat e energjisë apo të telefonisë, se tërheqim pagat me "bordoro", se paguajmë taksat lokale, tarifat doganore, tatimet apo sigurimet shoqërore me cash, se në portofolet tona mungojnë kartat e debitit/kreditit dhe se lëvizim jashtë Shqipërisë me shuma të mëdha valutash në xhep. Shqetësim jo vetëm për Bankën e Shqipërisë por edhe për Qeverinë, për institucionet financiare, për bankat, për biznesin dhe në përgjithësi, për publikun është se në Shqipëri mbizotërojnë veprimet me para në dorë. Thënë ndryshe, me gjithë zhvillimet pozitive të sistemit bankar, maturimit të biznesit, forcimit të qeverisjes etj., përsëri Shqipëria vijon të mbetet një vend ku mbizotërojnë trasaksionet në cash.

Ndaj dhe në gjykimin tim, problemi është i paneglizhueshëm dhe kërkon një angazhim serioz dhe vullnet pozitiv nga të gjithë aktorët e tregut. Sigurisht që partneriteti i komunitetit të biznesit dhe mbështetja e pohuar në takimin e djeshëm, plotësuar me mbështetjen e medias dhe shoqërisë civile, do ta rrisin suksesin e këtij programit kundër cash-it, duke hedhur në këtë mënyrë bazat për modernizimin e sistemit të pagesave në Shqipëri dhe për afrimin me standardet ndërkombëtare që aspirojmë. Sfida për reduktimin e cash tejkalon institucionet qendrore dhe zbret deri në sportelet e bankave, te biznesi lokal, degët e tatim-taksave dhe të doganave në rrethe, nëpunësit e administratës publike dhe të punësuarit në biznesin privat. Ndaj dhe para pak ditësh, zhvillova disa takime në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër dhe Korçë ku diskutova gjerësisht me biznesin, me degët e bankave dhe me komunitetin lokal programin "Përtej parasë". Takimi i Tiranës, sigurisht i plotësuar me të gjithë aktorët qendrorë, rikonfirmoi mbështetjen e biznesit dhe gadishmërinë e bankave për të kanalizuar veprimet me anë të sistemit bankar. Mbështetja ishte absolute si nga bankat ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, por "kushtet"e tyre ishin të qarta: konkurrencë e hapur dhe e ndershme, korrektësi në zbatimin e ligjit dhe transparencë e dyanshme e organeve shtetërore dhe biznesit privat, në realizimin e angazhimeve dhe detyrimeve ligjore. Banka e Shqipërisë ka identifikuar në thelb problemin, se cilat janë shkaqet kryesore të pranisë së konsiderueshme të cash-it në ekonomi.
Bankat e nivelit të dytë, tashmë janë investuar në një proces të gjerë dhe konkurrues marketingu të shërbimeve dhe të hapjes dhe zgjerimi të rrjetit të ATM-ve, duke i bërë ato standarde dhe të integruara në rrjetet e shoqërive të mëdha të kartave plastike. Klientët e parë të rinj të tyre do të jenë nëpunësit e Bankës së Shqipërisë, që duke filluar nga muaji qershor do të tërheqin pagat nëpërmjet bankës. Procesi i përzgjedhjes së bankave nga do kalojë pagesa e pagave, ishte tejet transparent dhe pas shqyrtimit të ofertave të paraqitura nga sistemi, në dy-tre ditët në vijim do të përfundojnë procedurat që punonjësit të hapin llogaritë e tyre bankare dhe në muaj në vijim, do të vijojnë procedurat edhe për institucionet dhe subjektet e tjera publike.

Bankat e nivelit të dytë duhet të jenë të përgatitura për të përballuar fluksin e hyrjeve të parasë kryesisht cash nëpërmjet transfertave bankare, si rezultat i kalimit të detyrueshëm të veprimeve që lidhen me pagesa për qeverinë apo me arkëtime në favor të saj apo të institucioneve dhe shoqërive shtetërore apo private.

Sa i përket veprimeve me biznesin, është i domosdoshëm përshpejtimi i punës për krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive si dhe kryerja e rregullimeve të nevojshme për mbështetjen e operimit të saj. Çdo vonesë në këtë proces do të ndikojë drejtpërdrejt në numrin dhe në cilësinë e produkteve bankare dhe në procesin e kreditimit të biznesit. Nga ana tjetër, zbatimi i projektit për kryqëzimin e pagesave në vlerë të vogël i cili mendohet të përfundojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2005, gjykojmë se do të sjellë shtimin e shërbimeve bankare, përmirësimin cilësor të shërbimeve ekzistuese, përafrimin e mëtejshëm të sistemit me popullatën vendase dhe me bizneset e mëdha.

Biznesi konsiderohet si palë e rëndësishme në këtë përpjekje për të pakësuar përdorimin e cash në ekonomi. Si i tillë është vendosur në qendër të një marrëdhënieje me qeverinë dhe bankat, të ndërtuar mbi bazë mirëkuptimi dhe zbatimi të kuadrit ligjor dhe rregullativ në fuqi. Nga ana tjetër autoritetet duhet të garantojnë barazi, transparencë dhe besueshmëri, kushte këto të domosdoshme për të promovuar një ambient të shëndetshëm biznesi.

Biznesi mund dhe duhet të synojë në bërjen evidente të përparësive të sistemit bankar, të dobishmërisë së mbështetjes nga ky sistem të një biznesi të shëndoshë, të rritjes së reputacionit të një biznesi të caktuar kur është klient i besuar i një banke, të sigurisë së aktivitetit që i shtohet çdo biznesi kur ka një marrëdhënie korrekte afatgjatë me bankën tregtare. Nga ana tjetër, biznesi tashmë është i njohur me detyrimin ligjor të realizimit të transaksioneve mbi 500 mijë lekë nëpërmjet veprimeve bankare, ndërkohë që besoj se "do të joshet" nga bankat që të realizojë me anë të veprimeve bankare pagesat e taksave, pagave dhe sigurimeve shoqërore të stafit dhe transfertat me partnerët.

Të renditura në fund por jo më pak të rëndësishme, me sinqeritet besoj se shoqëria civile dhe media do t'i sigurojnë programit shkallë të lartë besueshmërie dhe do të rrisnin masën e suksesit të tij. Media gjykojmë se mund të kryejë shumë mirë rolin e monitoruesit/supervizionit të procesit për të parë në kohë dhe për të matur realizimin e angazhimeve të aktorëve që pritet të marrim të gjithë sot në këtë takim. Ky monitorim mund të shërbejë si nxitje pozitive që ky proces të ecë përpara dhe shqiptarët t'i afrohen bankave dhe t'i shohin ata si partnerë në procesin e mbështetjes financiare apo ruajtjes së kursimeve të tyre.

_____________________________________________________________________________________
Shkrim i z.Shkëlqim Cani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë në gazetën "Panorama" të datës 27 maj 2004.