BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore

Data e publikimit: 28.02.2020

 

Në datën 28 shkurt 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në Athinë, Greqi.

Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse. 

IMG-20200228-WA0010#498

 

Përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve, lidhur me menaxhimin e borxhit publik dhe prioritetet që duhen ndjekur për të garantuar stabilitetin financiar dhe një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Photo 1

Në këtë mbledhje, Shqipëria përfaqësohej nga zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të kryesuar nga z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhe zj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë. 

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në stabilitetin makroekonomik.

IMG-20200228-WA0004 498

Guvernatori u shpreh se, pavarësisht ngadalësimit të ritmeve të rritjes ekonomike gjatë vitit 2019, treguesit e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit vijojnë të mbeten solidë. Punësimi dhe pagat janë rritur, norma e papunësisë shënoi minimumin historik, pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar, deficiti buxhetor mbetet i kontrolluar dhe borxhi publik është në rënie, sektori bankar është rentabël, me tregues likuiditeti dhe kapitalizimi mbi kërkesat rregullatore. Në veçanti, raporti i kredive me probleme ka zbritur në 8.3% të portofolit në muajin janar 2020. Reduktimi i rrezikut të kreditit dhe konsolidimi i sektorit bankar krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë të kredisë në të ardhmen.

Lidhur me sektorin financiar, Guvernatori theksoi se masat makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe stimuli monetar ka ndihmuar uljen e normave të interesit, duke nxitur rritjen e kredisë dhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit të bizneseve dhe familjeve. Stimuli monetar i ka mundësuar Shqipërisë një ambient financiar transparent, me norma të ulëta e të qëndrueshme interesi, me likuiditet të bollshëm dhe me luhatje të moderuara të kursit të këmbimit.

IMG-20200228-WA0006 498

Këto zhvillime krijojnë premisa për rritje të qëndrueshme në të ardhmen, duke mundësuar zgjerimin e mëtejshëm të punësimit dhe përmirësimin e mëtejshëm të treguesve kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.

Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit. Duke ndarë pikëpamje të ngjashme me institucionet financiare ndërkombëtare, Guvernatori u shpreh mbi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si parakusht për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

IMG-20200228-WA0008 498

* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Domenico G. Fanizza.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Patrizio Pagano.