BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Demografia, punësimi dhe rritja ekonomike: Duke përshkuar të ardhmen në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore”

Data e publikimit: 16.07.2019

 

Në datë 15 korrik 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e dytë të nivelit të lartë me temë “Demografia, punësimi dhe rritja ekonomike: Duke përshkuar të ardhmen në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore”, organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Dubrovnik, Kroaci. Në këtë konferencë, përveç përfaqësuesve të lartë të FMN-së, merrnin pjesë rreth 15 guvernatorë e ministra të financave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), përfaqësues nga Banka Botërore, Komisioni Evropian, Banka Ndërkombëtare për Rregullim, si dhe nga institucione të tjera financiare dhe bota akademike.

Group-101 498

Punimet e kësaj konference u fokusuan kryesisht në çështje që lidhen me lëvizjet demografike të popullsisë së vendeve të EQJL-së, rritjen ekonomike, punësimin dhe edukimin, si dhe masat që duhen ndërmarrë në të ardhmen për të ulur nivelin e papunësisë dhe ekonomisë informale, në mënyrë që të garantohet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe e qenësishme për këto vende.

Gjatë punimeve të konferencës, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet e ndryshme politike dhe ekonomike në vendet e EQJL-së gjatë dekadës së fundit, dhe efektet që kanë dhënë në ecurinë ekonomike fenomene të tilla si rritja e emigracionit, plakja e popullsisë dhe rënia e fuqisë punëtore.

HNB-1066 498

Gjatë konferencës, Guvernatori Sejko ishte pjesë e tryezës së diskutimit të drejtuar nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Tao Zhang. Ashtu si konferenca, edhe kjo tryezë u përqendrua në trajtimin e sfidave demografike me interes të përbashkët dhe reformat për trajtimin e tyre. Zbutja e emigracionit, rritja e punësimit dhe edukimi janë sfidat e kohës me të cilat përballen ekonomitë e këtyre vendeve dhe për këtë arsye, qeveritë përkatëse kanë vendosur prioritete për kapërcimin e tyre.

DSC 0500 498

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se këto fenomene vërehen dhe ndiqen me shqetësim edhe në ekonominë shqiptare. Prandaj, për trajtimin e tyre, institucionet shqiptare janë angazhuar me programe zhvilluese që rrisin produktivitetin e punës dhe ngadalësojnë emigrimin e kualifikuar. Qëllimi është jo vetëm rritja e produktivitetit të forcës punëtore profesionale në vend, por mbi të gjitha ofrimi i mundësive për punësim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të rinjve të talentuar, në mënyrë që ata të investojnë dijet e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, vijimësia e reformave strukturore është mjaft thelbësore, ku midis tyre, një vend të veçantë duhet të zënë domosdoshmërisht reformat e fokusuara drejt ngritjes së nivelit arsimor, zhvillimit të aftësive teknike dhe kualifikimit profesional, për të shtuar potencialet ekonomike dhe krijuar vende të reja pune.

HNB-1057 498

Në përfundim, Guvernatori Sejko shtoi se një element mjaft i rëndësishëm dhe me rol kyç në arritjen e suksesit e këtyre përpjekjeve, është edhe bashkëpunimi me vendet partnere dhe me institucione prestigjioze financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për të marrë eksperiencën e praktikave më të mira, por dhe orientimet e duhura në këtë drejtim.