BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik - Perspektiva zhvillimore”, organizuar nga BQK

Data e publikimit: 20.11.2019

 

Në datën 19 nëntor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik - Perspektiva zhvillimore”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 20-vjetorit të themelimit të saj. Në këtë konferencë morën pjesë guvernatorët e bankave qendrore e drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit, si edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

DSC 9865 - fb 498

Konferenca e organizuar në qytetin e Prishtinës, u hap nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti, si dhe u përshëndet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi, dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Tao Zhang.

Punimet e konferencës u fokusuan kryesisht në ndikimin e faktorëve globalë dhe evropianë në sektorin financiar rajonal, duke përfshirë proceset transformuese nëpër të cilat po kalon sot bankingu tradicional, sfidat e të ardhmes që mbart inovacioni teknologjik dhe mënyrat se si rregullatorët në rajon mund t’i përgjigjen këtyre zhvillimeve.

DSC 9830 - fb 498

I ftuar si folës në sesionin e dytë të konferencës, Guvernatori Sejko ndau me të pranishmit këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me temën “Efektet e sektorit financiar në zhvillim: Mundësitë dhe rreziqet për zhvillimin e sektorit financiar në ekonomitë e tregut në zhvillim – Perspektiva e Ballkanit Perëndimor”.

Diskutimi i Guvernatorit u përqendrua tek progresi i bërë në sektorin financiar dhe kontributi i dhënë nga aktorët e tregut dhe autoritetet rregullatore në ekonomitë e rajonit si dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, Guvernatori theksoi se sektori bankar paraqitet me parametra të qëndrueshëm duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

  DSC 9800 - fb 498   DSC 9763 498

Në këtë kuadër, ai shtoi se masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë si autoritet rregullator e mbikëqyrës, dhe mekanizmat e vënë në funksionim për të stimuluar ekonominë, kanë mundësuar krijimin e një ambienti favorizues për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm. Në veçanti, mbajtja e një kursi lehtësues e stimulues të politikës monetare, shtimi i kujdesit në aspektin rregullator e mbikëqyrës dhe krijimi i platformave të përbashkëta të punës, në bashkëpunim me sektorin financiar e institucionet e tjera në vend, kanë dhënë efekte mjaft pozitive, ku të dhënat më të fundit tregojnë se kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje mesatare prej 7% dhe raporti i kredive me probleme ka shënuar nivelin 10%.

Në vijim, Guvernatori u ndal në zhvillimet teknologjike të sistemit bankar. Ai u shpreh se konsumatori do të vijojë të tërhiqet nga lehtësitë, zgjedhjet më të shumta dhe kostot më të ulëta që mundëson përdorimi i teknologjisë në shërbimet financiare. Në këtë drejtim, Guvernatori e vlerësoi të domosdoshme që bankat të monitorojnë nga afër zhvillimet, të identifikojnë përparësitë dhe rreziqet që shoqërojnë përdorimin e teknologjisë në shërbimet financiare, si edhe të vlerësojnë ndikimet e mundshme e rrjedhimisht të planifikojnë mënyrën e përshtatjes. Nga ana e tyre, edhe autoritetet mbikëqyrëse duhet të punojnë për të njëjtin objektiv, për të siguruar një mbikëqyrje të përshtatshme ndaj mundësive dhe sfidave të reja.

DSC 9598 498   DSC 9567 498

Në këtë prizëm, Guvernatori theksoi rëndësinë dhe vlerësoi bashkëpunimin mes autoriteteve mbikëqyrëse të sistemit financiar, si mjaft të rëndësishëm për të siguruar një sistem të qëndrueshëm, me rreziqe të kontrolluara, i cili ofron akses dhe mbrojtje të përshtatshme për konsumatorin e shërbimeve financiare.

Gjatë konferencës u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi në fushën e qeverisjes së korporatave midis pesë autoriteteve mbikëqyrëse bankare të rajonit: Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankës së Shqipërisë, Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bankës Qendrore të Malit të Zi, Bankës Qendrore të Bosnje–Hercegovinës. Nëpërmjet këtij memorandumi synohet bashkëpunimi i palëve në fushën e mbikëqyrjes, kërkimit dhe vendimmarrjes, lidhur me treguesit e qeverisjes së korporatave të bankave të rajonit.

DSC 9940 - Copy 498   DSC 9821 - twiter 498