BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në takimin e 41të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 26.03.2019

 

Në datat 25-26 mars 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 41 të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit i zhvilluar në Stamboll, Turqi. Pjesëmarrës në takim qenë drejtues të bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit, si dhe përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BIS), si dhe akademikë të shquar. Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya.

#800 Family Photo

Gjatë punimeve të Klubit, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike botërore dhe rajonale, si dhe sfidat me të cilat përballen bankat qendrore: qëndrueshmërinë e çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar. Të pranishmit diskutuan gjerësisht edhe për disa çështje të tjera me rëndësi, si qeverisja institucionale e bankave qendrore dhe komunikimi i procesit të vendimmarrjes.

Në këtë aktivitet, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një prezantim në panelin me temë “Komunikimi i bankës qendrore për rritjen e efektshmërisë së politikave: forcimi i njohurive dhe ndërtimi i besimit”.

Gjatë prezantimit, Guvernatori Sejko theksoi se ndërtimi i besimit të publikut te institucioni i bankës qendrore është një proces i gjatë dhe i vështirë, por rritja e transparencës dhe komunikimi i vazhdueshëm janë faktorë kyç për suksesin e këtij procesi. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë komunikimit të saj me publikun, jo vetëm për të përmbushur maksimalisht llogaridhënien e saj si institucion i pavarur, por edhe si një mjet për rritjen e efektivitetit të politikave të ndërmarra prej saj.

KUBI9760#498

Guvernatori Sejko, përmes ilustrimit me shembuj konkretë, ndau me të pranishmit eksperiencën e Bankës së Shqipërisë në komunikimin e politikës monetare dhe politikave të tjera të saj, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Guvernatori shpjegoi objektivat, parimet dhe kanalet kryesore mbi të cilat Banka e Shqipërisë mbështet komunikimin me publikun, duke u kujdesur mbi të gjitha që informacioni të jepet në kohë dhe të jetë sa më i thjeshtë dhe i qartë.

KUBI9773#498

Një element i rëndësishëm, i cili tashmë është kthyer në një nga përgjegjësitë e bankave qendrore është dhe edukimi financiar i publikut. Banka e Shqipërisë krahas informimit të publikut mbi veprimtarinë, prej vitesh përpiqet të shpjegojë arsyet që qëndrojnë pas vendimmarrjes së saj nëpërmjet një sërë programesh edukuese, të cilat janë përshtatur sipas grup-moshave dhe nevojave për informacion të grupeve të ndryshme të interesit. Këto përpjekje kanë një qëllim afatgjatë, krijimin e një shoqërie që kupton, reagon e krijon pritshmëri në përputhje me vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.

IMG-20190325-WA0024

Guvernatori Sejko, në përfundim të prezantimit të tij, theksoi se komunikimi i Bankës së Shqipërisë synon ta konsolidojë atë si një institucion i përgjegjshëm, i besueshëm dhe eficient. Një institucion i tillë kontribuon në zhvillimin afatgjatë makroekonomik, përballimin e sfidave kombëtare dhe integrimin evropian të vendit.

Prezantimi i Guvernatorit 

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.