BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 13.11.2019

 

Më datë 13 nëntor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN),  të kryesuar nga z. Jan Kees Martijn, Shefi i Misionit  për Shqipërinë. Ky takim u zhvillua në kuadër të diskutimeve për Artikullin IV me misionin e FMN-së në vendin tonë.

DSC 9030 - Copy 498

 

Çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi ishin zhvillimet makroekonomike gjatë vitit 2019 dhe pritjet për rritjen ekonomike, inflacionin, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar, kreditimin, kreditë me probleme për periudhën në vijim. Guvernatori Sejko u shpreh se rritja ekonomike ka vijuar trendin rritës, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në përmirësim gjatë dy viteve të ardhshme, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv në afat të mesëm. Më tej, ai evidentoi se ambienti i brendshëm financiar shfaqet stimulues dhe kursi i këmbimit shfaqet relativisht i stabilizuar. Raporti i këmbimit të lekut me euron është më afër ekuilibrit, ndërsa faktorët sezonalë kanë ndikuar në luhatjet e tij. 

DSC 9022 - Copy 498

 

Për sa i përket sektorit bankar, Guvernatori theksoi se ai paraqitet i qëndrueshëm, me tregues që evidentojnë një ambient financiar të gatshëm për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të vendit. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5% në tremujorin e tretë 2019. Zgjerimi i kërkesës dhe përmirësimi i ofertës së kredisë bankare kanë ndikuar në përshpejtimin e ritmit të rritjes së kredisë. Oferta e kredisë bankare ka ardhur në rritje si pasojë e përmirësimit të vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar - sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme – por edhe nga rritja e konkurrencës në sektor, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar.

DSC 9013 - Copy 498

 

Në ditët në vijim, misioni i FMN-së do të zhvillojë takime me drejtues të lartë pranë Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim diskutimin më në detaje të çështjeve të ndryshme lidhur me ecurinë e ekonomisë së vendit.