BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko priti sot në një takim mirëseardhjeje Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, rezident në Prishtinë, SH.T.Z. Jens Erik Grøndahl

Data e publikimit: 17.01.2020

 

Më 17 janar 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e ri të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, rezident në Prishtinë, SH.T.Z.  Jens Erik Grøndahl, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

DSC 3658-2 498

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Shkëlqesinë e tij Ambasadorin Grøndahl me zhvillimet financiare në vend, ku u shpreh se sistemi bankar shqiptar është likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti.  Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e kujdesshme të riformatimit të sistemit bankar në vend, duke kontribuar në konsolidimin e tij.

Duke u ndalur tek ecuria ekonomike e vendit, Guvernatori Sejko, theksoi se rritja ekonomike ka vijuar trendin pozitiv. Ndërkohë që ambienti i jashtëm makroekonomik mbetet sfidues, autoriteti monetar dhe institucionet e tjera në vend do të japin të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur ruajtjen e parametrave makroekonomikë.

DSC 3670-2 498

Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve të konsumit dhe stabilitetit financiar të vendit. Banka e Shqipërisë ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë edhe në periudhën në vijim një politikë monetare lehtësuese.

Nga ana e tij, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, falënderoi Guvernatorin Sejko për takimin dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Ambasadori SH.T.Z.  Jens Erik Grøndahl, theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit në këtë drejtim. Zbatimi i mëtejshëm i reformave në përputhje me standardet evropiane do të ndikojë pozitivisht në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian si dhe në krijimin e një ambienti tërheqës për investitorët e huaj. Guvernatori Sejko vlerësoi rëndësinë e investimeve norvegjeze të deritanishme në Shqipëri në drejtim të punësimit dhe rritjes ekonomike.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri, në sektorë si ai i turizmit, bujqësisë, minierave etj..