BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko për televizionin Klan

Data e publikimit: 18.09.2019

 

Pyetje: Së fundi, Banka e Shqipërisë sapo ka shpallur planin për të hedhur një seri të re të kartëmonedhave shqiptare në treg. Pse një seri e re e këtyre kartëmonedhave dhe çfarë ka ndryshuar?

Guvernatori: Faleminderit. Banka e Shqipërisë ka një periudhë të gjatë kohe që po punon për këtë projekt, rreth 4 vite. Ne kemi përfunduar serinë e re të kartëmonedhave, e cila ka ndryshime esenciale nga seria e mëparshme, por nuk ndryshon tematikën. Pra, ne kemi ruajtur të njëjtën tematikë, të njëjtat figura historike në serinë tonë, pasi ajo ekzistuese është e gjithëpranuar dhe e njohur nga publiku shqiptar. Koha dhe momenti e bëri të domosdoshëm ndryshimin e serisë duke i shtuar disa elemente cilësore. Kjo sepse bankat qendrore, përgjithësisht, çdo 20 vjet, hedhin në qarkullim një seri të re. Kartëmonedha jonë kishte rreth 23 vite e pandryshuar si seri. Prandaj për të përmirësuar elementet e cilësisë, si dhe për të rritur sigurinë e prerjeve të saj, vendosëm të bëjmë ndryshimin e serisë.

Ndryshimi i serisë është bërë vazhdimisht në periudha të ndryshme kohore, pra nuk është diçka e veçantë kjo që po bëjmë. Për shembull, seria e kartëmonedhave që ka pasur kohëzgjatjen më të madhe në qarkullim ka qenë gjatë periudhës së socializmit, e cila ka qarkulluar për më shumë se 25 vite, pra bëhet fjalë për serinë përpara viteve ‘90. Kartëmonedhat ekzistuese datojnë nga viti 1996. Për këtë arsye, si dhe për arsye të rritjes së elementeve të sigurisë dhe cilësisë së kartëmonedhave, ndryshuam serinë e kartëmonedhës sonë. Po të shikoni pamjen e kësaj serie, ka shumë elemente të shtuara sigurie. Një risi tjetër, është përmasa e kartëmonedhave, e cila është reduktuar për të gjitha prerjet. Meqenëse do të nxjerrim edhe një prerje të re, e cila do të ketë vlerën më të lartë nominale, kemi zvogëluar disi në përmasa të gjitha prerjet e tjera të serisë. Për të gjitha këto arsye, kemi prezantuar këtë seri të re të kartëmonedhave.

Pyetje: Në fakt, kemi vënë re që prerja e re e kartëmonedhës 200 lekëshe është polimer. Pse është zgjedhur ky lloj materiali për këtë lloj kartëmonedhe dhe jo për të tjerat?

Guvernatori: Polimeri është një element plastik dhe përbën një risi në fushën e shtypit të kartëmonedhave. Sot shumë banka qendrore të vendeve të ndryshme kanë filluar të nxjerrin kartëmonedhën në polimer. Banka Qendrore e Anglisë, Banka Qendrore e Zelandës së Re, Banka Qendrore e Kanadasë kanë vendosur që gjithë serinë e tyre të kartëmonedhave ta kenë në polimer.

Polimeri është një material më i qëndrueshëm në krahasim me materialin tjetër me të cilin prodhohet kartëmonedha, që është fibra e pambukut, përfshirë dhe disa elemente të tjera specifike. Ne kemi vendosur që të bëjmë kartëmonedhën 200 lekëshe në polimer, pasi duke qenë kartëmonedha me vlerën më të vogël nominale, ajo ka edhe përdorim më të madh. Duke qenë se ka një përdorim më të madh, jetëgjatësia e kësaj prerjeje është më e vogël. Për këtë arsye, kemi vendosur që kartëmonedha me prerje 200 Lekë të jetë prej polimeri. Gjithashtu, po mendojmë, por nuk kemi marrë ende një vendim përfundimtar, që ndoshta edhe kartëmonedhën me prerje 500 Lekë ta nxjerrim në polimer, e cila do të jetë e fundit në radhën e emetimit të emisionit tonë të kartëmonedhave. Patjetër që kartëmonedhat në polimer kanë një kosto më të lartë prodhimi, por kanë dyfishin e jetëgjatësisë në krahasim me kartëmonedhat me përbërje pambuku. Megjithatë, edhe kartëmonedhat e tjera kanë elemente mjaft cilësore, të cilat do t’i shikojmë kur të dalin në qarkullim. Publiku mund të njihet më mirë me elementet e shtuara të sigurisë në Muzeun e Bankës e Shqipërisë, nëpërmjet shpjegimeve dhe ekzemplarëve konkretë.

Pyetje: Kur do të ndodhë hedhja e plotë e serisë së kartëmonedhave në treg dhe çfarë do të ndodhë me kartëmonedhat ekzistuese?

Guvernatori: Është shumë e rëndësishme që ta sqarojmë se çfarë do të ndodhë me kartëmonedhat ekzistuese. Kartëmonedhat ekzistuese do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor paralelisht me kartëmonedhat e vjetra në qarkullim.

Në datën 30 shtator të këtij viti do të hedhim në qarkullim vetëm dy prerje kartëmonedhash, të cilat i disponojmë dhe janë gati për t’u hedhur në qarkullim, që është kartëmonedha me prerje 200 Lekë në polimer dhe kartëmonedha me prerje 5000 Lekë. Nga e gjithë seria e kartëmonedhave e përfunduar, këto dy kartëmonedha do të hidhen në qarkullim më 30 shtator. Ndërkohë, kartëmonedha e re me prerje 10.000 Lekë dhe kartëmonedha me prerje 1000 Lekë do të hidhen në qarkullim vitin e ardhshëm. Kartëmonedhat me prerje 2000 Lekë do të hidhen në qarkullim në vitin 2021 dhe e fundit në serinë e kartëmonedhave do të jetë kartëmonedha 500 Lekë, e cila do të hidhet në vitin 2022.

Paralelisht me hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave të reja, ne do të mbajmë dhe kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim, sepse është e pamundur që kartëmonedhat ekzistuese të dalin nga qarkullimi menjëherë. Ka një sasi kartëmonedhash në qarkullim, të cilat do të vazhdojnë të përdoren nga publiku dhe gradualisht, Banka e Shqipërisë, me hedhjen e prerjeve të reja do të bëjë edhe tërheqjen e kartëmonedhave ekzistuese, të cilat janë më të përdorura. Pra, në mënyrë graduale do të hidhet seria e re dhe do të tërhiqet seria ekzistuese. Gjatë kësaj periudhe, të cilën nuk mund ta përcaktojmë saktë se sa do të zgjasë, do të jenë në qarkullim të dyja kartëmonedhat, pra ne do të kemi dhe prerjen e re edhe prerjen ekzistuese. Ndonëse ka ndryshime, kartëmonedhat përsëri janë të ngjashme, me të njëjtat figura dhe të njëjtën tematikë. Ne kemi informuar vazhdimisht publikun dhe do të vazhdojmë ta mbajmë të përditësuar lidhur me elementet e sigurisë dhe specifikat e prerjeve të reja të kartëmonedhave dhe besojmë se nuk do të ketë asnjë konfuzion në përdorimin e tyre.

Gjithashtu, do të doja të theksoja se emetimi dhe hedhja në qarkullim e serisë së re do të ndikojë edhe në drejtim të përmirësimit të edukimit financiar të publikut, i cili ende vazhdon të përdorë termin “Leku i ri” dhe “Leku i vjetër”. Duke shfrytëzuar këtë rast, do të donim të risillnim në vëmendje përdorimin e saktë të emërtimit të monedhës tonë, Lek, pasi akoma në koncept, ngatërrojmë kartëmonedhën e re me kartëmonedhën e vjetër, lekun e ri me lekun e vjetër.

Pyetje: Për herë të parë do të shikojmë hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës së re 10.000 Lekë, që është një prerje e re. A mund të na thoni ndonjë detaj më tepër lidhur me këtë lloj kartëmonedhe?

Guvernatori: Kjo është një prerje tërësisht e re. Nëse kartëmonedhat e tjera janë ndryshuar,  prerja prej 10.000 lekësh është një prerje e re, e cila do të hidhet në qarkullim vitin që vjen. Kjo kartëmonedhë do të përfaqësojë në tematikë himnin e flamurit dhe do të shoqërohet me portretin e autorit të himnit të flamurit, poetin Asdreni. Akoma jemi në procesin e dizenjimit të kësaj kartëmonedhe dhe prandaj nuk e kemi shfaqur, por gjithsesi shumë shpejt do ta kemi dhe do ta shfaqim. Kjo është një prerje me vlerë nominale më të madhe, kështu që edhe në përmasa do të jetë pak më e madhe se kartëmonedhat e tjera. Kjo prerje mund të ketë afërsisht përmasën e 5.000 lekëshit që ne kemi sot. Prerja 10.000 Lekë do të jetë prerja më e madhe dhe të gjithë kartëmonedhat e tjera do të vijnë gradualisht në përmasa më të vogla. Do të jetë një kartëmonedhë shumë e bukur dhe kemi besim se publiku do ta mirëpresë. Nga pikëpamja praktike, patjetër që kjo prerje ofron një lehtësi në duart e publikut, pasi do të ketë një sasi më të vogël kartëmonedhash në portofol për përdorimin. Zhvillimet ekonomike e kanë sjellë nevojën e emetimit të kësaj kartëmonedhe, pra ka ardhur koha që kjo prerje të hidhet në qarkullim dhe pikërisht për këtë arsye, vendosëm që vitin e ardhshëm të hedhim në qarkullim prerjen më të madhe të kartëmonedhës tonë prej 10.000 Lekë.

Pyetje: Dhe në fakt, nëse mund të jepnim një metaforë të lekut të fortë, Banka e Shqipërisë vendosi edhe prerjen e re të kartëmonedhës 10.000 Lekë. Edhe gjatë këtij sezoni turistik dhe fillimit të vjeshtës, leku është paraqitur sërish i fortë përballë monedhave të tjera kundrejt dollarit dhe euros. A mund të na thoni diçka më shumë se çfarë është duke ndodhur me kursin e këmbimit?

Guvernatori: Ne i kemi theksuar vazhdimisht edhe në konferencat tona për shtyp dhe në komunikimet që kemi pasur me mediat faktorët që kanë ndikuar në kursin e këmbimit në mbiçmimin e lekut tonë kundrejt euros kryesisht, por dhe monedhave të tjera që e shoqërojnë. Praktikisht ne kemi pasur edhe këtë vit hyrje nga disa drejtime në euro në ekonominë tonë. Oferta e euros ka qenë e fortë dhe ka vazhduar të jetë e fortë. Nëse i referohemi shifrave më të fundit nga të dhënat e bilancit të pagesave, vëmë re se investimet e huaja direkte kanë vazhduar të rriten në ekonominë tonë. Kemi pasur një sezon turistik shumë të mirë, me shumë hyrje, i cili ka sjellë euro. Gjithashtu, edhe të ardhurat nga remitancat kanë vazhduar të rriten. Këto janë disa kanale kryesore, të cilat sjellin euron në ekonominë shqiptare.

Ne jemi një vend i vogël me një treg dhe ekonomi të hapur, dhe partnerët tanë kryesorë tregtarë janë në Eurozonë. Shkëmbimet tregtare dhe të gjithë llojet e shkëmbimeve të tjera i bëjmë me Eurozonën, pra sigurisht që kemi një ofertë të rritur në euro, e cila preson në kursin e këmbimit. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë monitoron tregun në mënyrë të kujdesshme për të parë efektin e kursit të këmbimit në inflacion.

Ajo që na shqetëson në radhë të parë, sepse këtë kemi edhe detyrë ligjore, është se çfarë efekti do të kishte kursi i këmbimit në objektivin tonë të inflacionit, pasi mbiçmimi i kursit të këmbimit sigurisht që ndikon negativisht në objektin tonë të inflacionit. Për këtë arsye, edhe vitin e kaluar, kemi vendosur të ndërhyjmë me një program të veçantë ndërhyrjeje, për të hequr valutë nga tregu. Në bazë të parametrave, ky plan do të aplikohet përsëri në rast se do të shihnim se kursi i këmbimit do të ndikonte negativisht në inflacion, por duhet të mbajmë parasysh që kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe sigurisht që ky regjim i lirë na detyron të ndjekim tregun sipas këtij regjimi, pra nuk mund të ndërhyjmë në çdo moment kur ka mbiçmim, pasi shpeshherë ne shikojmë jo vetëm ndikimin në inflacion, por edhe sjelljen e kursit të këmbimit në treg, nëse ka çrregullime. Ato çka ne konsiderojmë çrregullime, janë spekulimet, janë hapja e spread-eve më shumë se ç’duhet ose sjellje të çuditshme në kuptimin e sjelljes spekulative në kursin e këmbimit. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur një monedhë të mbiçmuar, por sjellja e kursit të këmbimit në sistemin financiar dhe në ekonominë reale nuk ka pasur çrregullime. Pra, spread-et dhe sjelljet e bankave kanë qenë në terma normalë. Për këtë arsye, nuk kemi ndërhyrë, por sigurisht që ne e monitorojmë.

Oferta e valutës vazhdon të mbetet e fortë në ekonominë shqiptare dhe kursi i këmbimit, nëse vazhdon të ketë këtë ofertë, natyrisht që do të jetë nën presion. Ka një ekuilibër të ri në kursin e këmbimit dhe ne e shohim. Prej shumë kohësh, kursi i këmbimit po qëndron në një nivel të caktuar dhe në rast se nuk do të kemi oshilacione, do të kemi një sjellje normale. Sigurisht që ne do të vazhdojmë të ndjekin regjimin e lirë të kursit të këmbimit në rast se do të kemi sjellje të çuditshme, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar, kur kishte faktorë specifikë që lidheshin si p.sh. me konvertimin e kapitalit të disa bankave ose me një kredi të madhe në miliona euro nga BERZH, e cila mbylli një kredi tjetër në sistemin financiar. Këta faktorë, në një moment të caktuar, paralelisht me sezonin turistik, ndikuan në një mbiçmim më të madh të euros dhe të shoqëruar dhe me faktorë spekulativë na detyruan të kishim këtë program. Në rast se do të ndodhin faktorë të tillë, ne patjetër që do të rishikonim sjelljen tonë, por për momentin, jemi në këtë situatë. Nuk e parashikojmë dot kursin e këmbimit.

Pyetje: Niveli aktual i kursit të këmbimit nuk përbën problem për nivelin e inflacionit edhe pse në fakt kemi pasur presione deflacioniste edhe gjatë muajit të fundit, duke qenë se edhe niveli i inflacionit është larg objektivit të Bankës Qendrore prej 3%...

Guvernatori: Në nivelin e inflacionit në fakt reflektohet sjellja e kursit e tremujorëve të mëparshëm. Parashikimi që ka bërë Departamenti i Politikës Monetare është në një nivel më të ulët për ndërhyrje, prandaj edhe ne nuk kemi ndërhyrë. Por do të shohim sjelljen e kursit të këmbimit si do të shkojë dhe do të shikojmë dhe efektin e tij jo vetëm në inflacion, por dhe në parametrat e përgjithshëm makroekonomikë.