BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë në vitin 2002 dhe pritshmëritë për vitin 2003

Data e publikimit: 07.02.2003

 

Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se arritëm t'ia dalim me sukses një fushate kundër spekulimit me çmimet e fundvitit. Për të qenë të sinqertë, nuk mendonim se që në vitin e parë të eksperimentimit do të ishim të suksesshëm dhe me këtë rast ju falenderoj për kontributin tuaj në mbarëvajtjen e kësaj fushate. Media, ishte ndër partnerët kryesorë për realizimin me sukses të saj. Televizionet dhe gazetat ku ju punoni, ditën të drejtkuptojnë mesazhin e Bankës së Shqipërisë për mosrritjen pa arsye të çmimeve në fund të vitit dhe për më shumë nëpërmjet kronikave, emisioneve televizive, shkrimeve apo intervistave ju ditët ta transmetoni këtë mesazh në mënyrë profesionale te publiku.

Ky është një nga shembujt që më lejon të pohoj se niveli i transparencës i Bankës së Shqipërisë kundrejt mediave dhe publikut është përmirësuar ndjeshëm. Pa dashur të bëjmë krahasime me institucione të tjera vendase, por nën shembullin e bankave qendrore me histori qindravjeçare dhe nën rekomandimet e FMN-së për "Kodin e praktikave të mira për transparencën e politikës monetare", Banka e Shqipërisë ka rritur nga viti në vit nivelin e trasparencës. Duke qenë të bindur se vetëm një bankë qendrore transparente është e suksesshme, gjatë vitit 2002 tentuam të rrisim më tej shkallën e bashkëpunimit me mediat, publikimin e raporteve apo të botimeve të Bankës së Shqipërisë, njoftimet e rregullta për mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës dhe takimet me misionet e FMN-së, dhe përgjithësisht, kemi gjetur në media reagimin pozitiv të pritur.

Besoj se e kujtoni që në pranverën e vitit 2002, si pasojë e paqartësive politike që po kalonte vendi, por edhe për shkak të disa spekulimeve u trondit besimi i publikut te sistemi bankar. Media, falë edhe reagimeve të njëpasnjëshme të Bankës së Shqipërisë, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe deri ishambasadorit amerikan në Tiranë, nga "përhapëse" e panikut, e në disa raste, u shndërrua në partnere e Bankës së Shqipërisë, në shpjegimin e projetkligjit "Për sigurimin e depozitave" dhe rikthimin e likuiditeteve në sistem. Në këtë mënyrë, arritëm të përballojmë edhe një sfidë të vështirë jo vetëm për bankën qendrore dhe bankat e nivelit të dytë, por për gjithë ekonominë vendase.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.