BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit

Data e publikimit: 13.07.2006

 


Në mbledhjen e datës 12 korrik 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet monetare dhe ecurinë e inflacionit të verifikuar në gjysmën e parë të vitit.

Në muajin qershor 2006, prirja e fortë rritëse e normës vjetore të inflacionit, e verifikuar në dy muajt paraardhës pësoi një zbutje. Norma vjetore e inflacionit zbriti në 2.4 për qind krahasuar me 3.1 për qind, në fund të muajit maj 2006.

Efekti sezonal, që ushtron presion në drejtim të uljes së çmimeve të produkteve ushqimore, i vonuar gjatë majit, vlerësohet të jetë kompensuar pjesërisht gjatë muajit qershor. Megjithatë, tremujori i dytë i vitit 2006 shënoi një normë vjetore më të lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky fakt, dëshmon për praninë e shtuar të presioneve inflacioniste gjatë kësaj periudhe.

Faktorë të tjerë, përtej atyre sezonalë, si mbiçmimi më i zbutur i lekut ndaj euros, prirja rritëse në çmimet e importit, rritja kulmore e çmimeve të naftës dhe lendeve te para, përbëjnë bazën e intensifikimit të presioneve inflacioniste në ekonomi gjatë kësaj periudhe të vitit.

Ecuria e treguesve monetarë ka qenë e kënaqshme. Oferta monetare në ekonomi është rritur me ritme pranë tendencave historike. Sipas të dhënave të muajit maj, rritja vjetore e ofertës së parasë, M3, rezultoi 10.5 për qind. Struktura e ofertës monetare po tenton të zhvendoset drejt mjeteve valutore.

Ekspansioni monetar i periudhës janar - maj është tërësisht rrjedhojë e kërkesës së sektorit privat për mjete monetare, ndërkohë që kërkesa e sektorit publik ka patur efekt të kundërt neutralizues. Kredia për ekonominë në muajin maj, arriti 146.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 66.8% krahasuar me një vit më parë. Gjatë 5 muajve të parë të vitit 2006, kredia është rritur mesatarisht me 5 miliardë lekë në muaj ose 30% më shumë se sa një vit më parë. Gjatë muajve të parë të vitit janë akorduar në total 55 miliardë lekë kredi e re ose rreth 33 për qind më shumë se sa një vit më parë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë 2006, normat e interesit kanë patur, në përgjithësi, tendenca rënëse në tregun e depozitave në lekë, në tregun primar të bonove të thesarit, në tregun e obligacioneve dhe në tregun e kredive në lekë. Ndërkohë që ka patur qëndrueshmëri të normave të interesit në tregun ndërbankar.

Leku gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit është karakterizuar nga presione mbiçmuese kundrejt dollarit (si refleksion i zhvillimeve ne tregun ndërkombëtar) ndërsa ka qenë relativisht i qëndrueshëm kundrejt euros.

Për gjysmën e dytë të vitit 2006 si dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, Banka e Shqipërisë në parashikimet e bëra për zhvillimet inflacioniste në ekonomi, ka faktorizuar edhe ndikimet e mundshme që mund të vijnë nga materializimi i disa rreziqeve, të cilat prej kohësh ajo i ka bërë publike.

Banka e Shqipërisë e gjykon të arsyeshme që të ndalet edhe një herë në këta faktorë duke veçuar si më të rëndësishmit:

Rritja e çmimit të energjisë elektrike - Duke filluar nga muaji korrik 2006, përgjatë një viti, norma inflacionit do të ndikohet në rritje, si rezultat i aplikimit të tarifave të reja të energjisë elektrike të konsumuar.

Diferenca në rënie midis normave të interesit në lekë me ato në valutë - Ambienti global me rritje të interesave, ka filluar të krijojë stimuj për ndryshimin e preferencave të agjentëve ekonomikë, veçanërisht në drejtim të mbajtjes së kursimeve në valuta të huaja. Kjo tendencë shfaqet në rritjen e raportit të depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave dhe në dobësimin e tendencave forcuese të kursit të këmbimit. Ky i fundit, megjithëse vazhdon të jetë i mbiçmuar në terma vjetorë kundrejt euros, gjatë muajve të fundit regjistron një moderim të intensitetit të mbiçmimit. Një sjellje e ndryshme e kursit të këmbimit nga sjellja sezonale tipike e viteve të kaluara do të transmetohej menjëherë në inflacion. Siç dihet, kanali i ndikimit të inflacionit (veçanërisht grupi i mallrave të tregtueshëm), siç ndodh rëndom në shumicën e vendeve që janë të varura nga importet, është shumë sensitiv në rastet e zhvlerësimit të monedhës.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës - Vlerat rekord, të regjistruara së fundmi për çmimet të naftës dhe të nënprodukteve të saj, përbëjnë një rrezik potencial për inflacionin. Kjo bëhet edhe më e mprehtë, nëse merret në konsideratë fakti që çmimi i naftës në vend ka tejkaluar pikën ‘kritike', përtej së cilës aktiviteti i bizneseve vihet në vështirësi të dukshme[1].

Ecuria e çmimeve bujqësore - Çmimet e produkteve bujqësore kanë regjistruar një sjellje relativisht të ndryshme. Gjatë dy viteve të fundit, çmimet e këtyre produkteve janë karakterizuar nga norma negative të ndryshimit vjetor, duke kontribuar në nivelet e ulta të inflacionit, ndërkohë që këtë vit kjo ecuri duket pak e ndryshme.

Shtimi i shpejtë i kredisë për ekonominë - Ashtu si në vitin e kaluar edhe në gjysmën e parë të vitit 2006, është evidentuar një rritje lartë e kredisë për ekonominë. Shtimi i shpejtë i kredisë, veçanërisht i asaj konsumatore, ndikon në rritjen e kërkesës së brendshëm, e cila nga ana saj, do të ndikonte në shtimin e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Mënyra e realizimit te deficitit buxhetor - Rritja graduale e inflacionit gjatë gjysmës së parë të vitit, paraqet një zhvillim më shqetësues po të kemi parasysh se ajo ka ndodhur në kushtet e një politike fiskale me karakter shtrëngues. Në përputhje me programin e vitit 2006, deficiti buxhetor i financuar me burime te brendshme për vitin 2006 është programuar në vlerën 23 miliardë lekë, ndërkohë që aktualisht vazhdon prania e një teprice të lartë rreth vlerës 11 miliardë lekë. Nëse e gjithë kjo diferencë e madhe, edhe në kushtet e një zvogëlimi të mundshëm të vlerës totale të programuar, do të mbulohej në pjesën e mbetur të vitit atëherë përveç presioneve për likuiditet, në një kohë të dytë mund të gjeneroheshin edhe presione të tjera në drejtim të kërkesës së brendshme.

Rritja e inflacionit bazë - Një pjesë e faktorëve të mësipërm kanë një natyrë kalimtare. Megjithatë, tendenca në rritje e inflacionit bazë është në mbështetje të rritjes së përgjithshme të presioneve inflacioniste në ekonomi, duke mos përjashtuar ekzistencën e tyre nga ana e kërkesës.

Duke marrë në konsideratë të gjitha rreziqet e lartpërmendura, mbështetur në zhvillimet më të fundit si dhe në parashikimet e inflacionit për 12 muajt në vijim, Banka e Shqipërisë gjykon se mundësia për të ndodhur një ose disa nga efektet negative të mësipërme është rritur. Kjo do të krijonte premisa që norma vjetore e inflacionit të luhatet rreth vlerës ekstreme të tolerancës së objektivit të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës në vijim.

Në këto rrethana, në vijim të qëndrimeve të kohëve të fundit, mbështetur në analiza të shumta përfshirë dhe modele empirike, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën e marrëveshjeve javore të riblerjes me 0.25 pikë, duke çuar normën bazë të interesit nga niveli 5 për qind në nivelin 5.25 për qind.

Nëpërmjet kësaj rritjeje synohet një kontroll më i mirë i presione të kërkesës, akomodim më i mirë i goditjeve që vijnë nga ana e ofertës, stabilizim më i mirë i kursit të këmbimit si dhe kontroll i pritjeve inflacioniste.

Ky vendim, do të shërbejë për të sinjalizuar vullnetin institucional të Bankës së Shqipërisë për kontrollin e inflacionit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka besim se normat e ulta të inflacionit që karakterizojnë ekonominë tonë, pa dyshim janë një arritje e spikatur, tërësisht në përputhje me mendimin e përparuar teorik, me praktikat dhe eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe me kriteret nominale të Mastritit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, gjykon se ky është vendimi i duhur, i marrë në momentin e duhur, i cili shikon nga e ardhmja. Vendimmarrja jonë është e bazuar në analizën e kujdesshme të rreziqeve potenciale që janë në horizont. Ndërkohë që vendimet që rrjedhin nga këto analiza, synojnë orientimin e së ardhmes drejt niveleve të programuara.

Ky është një koncept modern, i cili ka për qëllim ankorimin e të gjitha pritshmërive mbi inflacionin rreth vlerës 3 për qind, me interval tolerance ±1 për qind.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë vigjilente në të gjitha drejtimet, sigurisht duke bërë përpjekjet maksimale që edhe në të ardhmen, vendimet e saj të jenë në përputhje me objektivin themelor që i njeh ligji, për te mbështetur një zhvillim ekonomik


--------------------------------------------------------------------------------
[1] Sipas vlerësimeve, bazuar në përgjigjet e bizneseve (IBB, T1-2005), përtej çmimit 110 lekë/litër, aktiviteti i bizneseve, bëhet më i ndjeshëm ndaj efekteve negative të rritjes së çmimit të naftës.