BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Deklaratë e Këshillit Mbikëqyrës mbi Vendimin e Politikës Monetare

Data e publikimit: 24.09.2014

 

Sot, në datën 24 shtator 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%. Në gjykimin e Këshillit, qëndrimi i politikës monetare dhe kushtet financiare janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një periudhe afatmesme.

***

Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 2.0% në muajin gusht, duke shënuar rritje për të dytin muaj radhazi. Rritja e inflacionit gjatë dy muajve të fundit është në përputhje me pritjet tona për një konvergjencë graduale të tij drejt objektivit 3%. Megjithatë, ritmi i rritjes së inflacionit gjatë kësaj periudhe është ndikuar edhe nga efekti statistikor i çmimeve të ulëta të vitit të kaluar. Ky ndikim pritet të moderohet në muajt e ardhshëm. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se shpejtësia e rikthimit të inflacionit në objektiv do të jetë më e ulët se ajo e sugjeruar nga dinamika e dy muajve të fundit.

Në aspektin strukturor, norma e inflacionit vazhdon të përcaktohet nga ecuria e çmimeve të ushqimeve, dhe veçanërisht e çmimeve të produkteve bujqësore. Mallrat dhe shërbimet e tjera të konsumit kanë dhënë kontribute të ulëta pozitive në inflacion.

Në aspektin makroekonomik, vlerat e ulëta të inflacionit vazhdojnë të përcaktohen nga presione të ulëta, si nga kahu i kërkesës ashtu edhe nga ai i ofertës. Ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga kapacitete të lira prodhimi, çka sjell presione të pakta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit në vend. Gjithashtu, inflacioni i importuar është i ulët, si pasojë e çmimeve në rënie të mallrave bazë, e normave të ulëta të inflacionit në vendet partnere dhe e kursit të qëndrueshëm të këmbimit. Paralelisht me to, ecuria e pritjeve inflacioniste dhe e treguesve monetarë është në linjë me rritje të ulëta çmimesh në ekonomi.

Informacioni i ri i analizuar në mbledhjen e radhës, mbi zhvillimet në sektorin real të ekonomisë, është i pakët. Megjithatë, analiza e treguesve të disponuar sugjeron se rritja ekonomike mbetet në territor pozitiv dhe ka shenja gjallërimi gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit.

Rritja ekonomike është nxitur nga një ecuri më e mirë e kërkesës së brendshme private. Konsumi dhe investimet private vlerësohet të jenë rritur, duke reflektuar përmirësimin e besimit të individëve dhe të bizneseve, kushtet më të mira të financimit në tregjet financiare dhe forcimin e bilanceve në ekonomi. Megjithatë, ecuria e konsumit dhe e investimeve private mbetet ende e brishtë, për sa kohë që ajo nuk mbështetet nga përmirësime të qëndrueshme në tregun e punës, nga një ecuri më e mirë e ekonomisë botërore dhe nga rritje solide e burimeve të financimit, duke përfshirë investimet e huaja direkte dhe kredinë e sistemit bankar. Në të ardhmen, përcjellja e politikës monetare stimuluese në tregjet financiare si dhe reduktimi i pritur i primeve të rrezikut në to, pritet të reflektohen në kushte më të mira financimi për biznesin dhe familjet shqiptare.

Kërkesa e huaj ka mbështetur rritjen ekonomike edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit. Eksportet shqiptare shënuan një rënie të lehtë vjetore në muajin korrik, por informacioni i disponuar sugjeron se ky reduktim është i përkohshëm. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve pritet të ndjekin një trajektore rritëse në afat të mesëm dhe ndikimi i tyre në rritjen e kërkesës agregate pritet të vijë në rritje.

Politika fiskale ka pasur tipare konsoliduese gjatë vitit 2014. Megjithatë, të dhënat e dy muajve të fundit tregojnë se intensiteti i konsolidimit fiskal dhe ndikimi frenues direkt që jep në rritjen e kërkesës agregate po zbuten. Zhvillimet e pritura në treguesit buxhetorë për pjesën e mbetur të vitit pritet të përkthehen në një stimul pozitiv fiskal. Muajt korrik dhe gusht u karakterizuan nga një nivel më i lartë i shpenzimeve buxhetore, duke e sjellë në territor pozitiv ndryshimin vjetor të shpenzimeve. Nga ana tjetër, të ardhurat fiskale kanë vijuar të ruajnë ritme të larta rritjeje vjetore. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, deficiti buxhetor është zgjeruar gjatë muajit gusht, por ai mbetet rreth 50% më i ulët se niveli i planifikuar për këtë periudhë. Banka e Shqipërisë mbështet trajektoren konsoliduese afatmesme e afatgjatë të politikës fiskale. Megjithatë, ne gjykojmë se shpërndarja e zërave të buxhetit përgjatë vitit duhet të jetë më e njëtrajtshme, në interes të zbutjes së luhatshmërisë në ekonomi dhe në tregjet financiare, si dhe në interes të rritjes së eficiencës së shpenzimeve.

Në përgjigje të kahut të politikës monetare, tregjet financiare janë karakterizuar nga norma interesi në nivelet minimale historike. Ndjekja e një politike monetare stimuluese ka mundësuar lehtësimin e kostos së huamarrjes për sistemin bankar dhe përcjelljen e saj tek segmente të tjera të tregjeve financiare. Interesat në tregun ndërbankar, në depozitat në lekë dhe në segmentin afatshkurtër të letrave me vlerë të qeverisë janë stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa segmenti afatgjatë i letrave me vlerë të qeverisë paraqitet më i luhatshëm. Muaji korrik shënoi gjithashtu rënie të normës së interesit të kredisë në lekë, si për bizneset dhe për individët, dhe nivele relativisht të qëndrueshme të kursit të këmbimit.

Ecuria e përmirësuar e aktivitetit ekonomik dhe e tregjeve financiare është reflektuar në një zgjerim më të shpejtë të treguesve monetarë. Rritja vjetore e ofertës së parasë rezultoi 2.1% në muajin korrik, nga 1.0% që shënonte një muaj më parë. Kredia për sektorin privat ka treguar përmirësim për të tretin muaj radhazi, duke konfirmuar sinjalet e marra nga vrojtimet e biznesit, të konsumatorit dhe të bankave, për një rikuperim gradual të saj. Rritja vjetore e portofolit të kredisë kaloi në terma pozitivë, prej 0.5% në muajin korrik. Ajo është mbështetur nga kredia në monedhë vendase, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë vijon të tkurret.

***

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se informacioni i ri i disponuar është në përputhje me pritjet tona dhe nuk ndryshon vlerësimet dhe projeksionet tona bazë. Ekonomia shqiptare pritet të rritet gradualisht drejt potencialit të saj në një periudhë afatmesme, duke sjellë dhe kthimin gradual të inflacionit në objektiv. Në veçanti, transmetimi më efektiv i stimulit monetar, reduktimi i primeve të rrezikut në tregjet ndërkombëtare, pagimi i detyrimeve të prapambetura sektorit privat dhe përmirësimi i ndjesisë ekonomike krijojnë një ambient më të favorshëm për ndërmarrjen e investimeve dhe rritjen e financimit nga sistemi bankar.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%. Duke u bazuar në informacionin e disponuar si dhe në përputhje me projeksionet tona, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të kërkojë ruajtjen e normës bazë të interesit në nivele të ulëta edhe gjatë disa tremujorëve në vazhdim.