BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Deklaratë e Këshillit Mbikëqyrës mbi vendimin e politikës monetare, 18 dhjetor 2014

Data e publikimit: 18.12.2014

 

Sot, në datën 18 dhjetor 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ruajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.25%. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare dhe kushtet financiare mbështesin kthimin e rritjes ekonomike në potencial dhe të inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme.

***

Inflacioni rezultoi në vlerën 1.7% në muajin nëntor, duke shënuar rritje krahasuar me muajin paraardhës. Rritja e inflacionit gjatë këtij muaji erdhi si pasojë e kontributit më të lartë të kategorive të ushqimeve të përpunuara, të barnave dhe të qirasë, ndërkohë që kontributi i kategorive të tjera të shportës mbeti relativisht i pandryshuar nga një muaj më parë.

Lëvizja e inflacionit në kahun rritës ishte në përputhje me pritjet e Bankës së Shqipërisë, por vlera e tij ishte në zonën e poshtme të parashikimeve. Inflacioni pritet të shënojë rritje graduale gjatë muajve të ardhshëm, por balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste mbetet e zbehtë. Analizat tona ekonomike dhe monetare tregojnë se rikthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të realizohet në një periudhë afatmesme.

Vlerat e ulëta të inflacionit gjatë tremujorëve të fundit reflektojnë presione të dobëta, si nga kahu i kërkesës dhe nga ai i ofertës. Ndonëse në rritje, kërkesa e brendshme shfaqet ende e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese në ekonomi. Burimet e pashfrytëzuara në tregun e punës dhe të kapitalit, si dhe pritjet për norma të ulëta inflacioni, ndikojnë në rritjen e ngadaltë të pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit. Kjo dinamikë reflektohet në nivelet e ulëta të inflacionit bazë. Paralelisht me të, inflacioni në vendet partnere shfaqet i moderuar dhe përcjellja e tij në tregun e brendshëm frenohet nga dobësia ciklike e kërkesës. Së fundi, zgjerimi monetar dhe situata e likuiditetit në ekonomi është në linjë me nivele të ulëta inflacioni.

Banka e Shqipërisë pret një përmirësim gradual të tablosë së faktorëve që ndikojnë në inflacion. Në veçanti, rritja ekonomike dhe pozicioni ciklik i ekonomisë pritet të përmirësohet, edhe në sajë të politikës monetare stimuluese që kemi ndërmarrë.

Aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë shfaqur një ecuri të përmirësuar në gjysmën e dytë të vitit, i mbështetur kryesisht nga gjallërimi i kërkesës së brendshme. Duke ndjekur uljet tona të normës bazë të interesit, kushtet e financimit shfaqen të përmirësuara dhe kanë mbështetur rritjen e konsumit dhe të investimeve private në vend.

Ambienti i jashtëm ekonomik nuk ka mbështetur rritjen e eksporteve shqiptare gjatë vitit 2014. Së bashku dhe me disa zhvillime strukturore në industritë e orientuara drejt eksportit, ky faktor është reflektuar në një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes së eksporteve shqiptare dhe në një zgjerim të deficitit tonë tregtar. Në nivel vjetor, deficiti tregtar nominal në mallra u zgjerua me 20.4% në muajin tetor. Në ndryshim me gjysmën e parë të vitit, kontribut të kahut zgjerues ka dhënë edhe rënia e eksportit në mallra. Në anën tjetër, importet kanë vijuar prirjen rritëse të nisur gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar.

Politika fiskale ka pasur një kah të përgjithshëm konsolidues gjatë vitit 2014. Deri në muajin tetor, deficiti buxhetor ka qenë rreth 31% më i ulët se një vit më parë, duke reflektuar rritjen me 12.6% të të ardhurave fiskale dhe rritjen me 5.1% të shpenzimeve publike. Shpejtësia e konsolidimit fiskal është ngadalësuar në gjysmën e dytë të vitit dhe politika fiskale ka pasur një natyrë stimuluese në këtë periudhë. Megjithatë, në terma afatmesëm, politika fiskale pritet të mbetet e angazhuar drejt konsolidimit të treguesve të borxhit publik.

Parashikimet për presione të ulëta inflacioniste dhe rritje ekonomike nën potencial kanë diktuar rritjen progresive të stimulit monetar. Në fund të muajit nëntor, norma bazë e interesit zbriti në 2.25%. Kjo lëvizje është reflektuar tek normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar dhe pritet të reflektohet edhe në segmentet e tjera të tregut financiar. Normat e interesit vazhdojnë të mbeten në nivelet minimale historike dhe kushtet e likuiditetit të qëndrueshme, por gatishmëria për rrezik e bizneseve, e familjeve dhe e sistemit bankar mbetet e ulët. Kredia për sektorin privat u rrit me 3.5% në terma vjetorë në muajin tetor nga 2.1% që shënonte një muaj më parë. Pavarësisht prirjes pozitive, rigjallërimi i kredisë është i ngadaltë dhe nuk mbështetet në një bazë të gjerë. Kërkesa për kredi pritet të rritet me ritme të qëndrueshme, duke ndjekur ecurinë e pritur pozitive të aktivitetit ekonomik në vend. Nga ana tjetër, aktiviteti kredidhënës do të ndikohet edhe nga rregullimi i bilanceve të sistemit bankar nga kreditë me probleme si edhe nga politikat financiare të grupeve bankare që operojnë në Shqipëri. Këta faktorë do të përcaktojnë ecurinë e kredisë në vitin e ardhshëm.

Projeksionet tona sugjerojnë një trajektore rritëse të ekonomisë për vitin 2014 dhe në horizontin afatmesëm. Ekonomia shqiptare pritet të përfitojë nga kahu stimulues i politikave makroekonomike, nga besimi i përmirësuar i agjentëve ekonomikë dhe nga lehtësimi i kushteve të financimit. Brenda kuadrit kohor të veprimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë pret që stimuli i saj të reflektohet në ulje të kostove të financimit dhe në nxitje të kërkesës për konsum dhe investime në ekonomi. Gjithashtu, angazhimi rigoroz i qeverisë për konsolidim fiskal dhe përfundimin e reformave strukturore në ekonomi, duhet të ndihmojë në uljen e primeve të rrezikut dhe të lehtësojë iniciativat për sipërmarrjen e investimeve të huaja dhe vendase.

Parashikimet e mësipërme janë konsistente dhe do të kërkojnë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare në të ardhmen. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë gjykon se balanca e rreziqeve vazhdon të mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Materializimi i skenarëve të rrezikut apo zhvendosja në kahun e poshtëm të parashikimeve tona, mund të kërkojë rishikime të mëtejshme të qëndrimit të politikës monetare.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ruajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.25%. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për arritjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme. Duke u nisur nga parashikimet e skenarit bazë, ne vlerësojmë se arritja e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme, do të kërkojë ruajtjen e kushteve të lehtësuara monetare edhe për disa tremujorë.