BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 24 dhjetor 2018

Data e publikimit: 24.12.2018

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

mirë se keni ardhur në konferencën e fundit të shtypit për këtë vit!

Sot, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh për t’u njohur dhe diskutuar mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend, pritjet për të ardhmen, përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare, si dhe çështje të tjera të organizimit dhe drejtimit të Bankës së Shqipërisë.

Në vazhdim të fjalës sime do të paraqes njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës mbi vendimin e politikës monetare.

DSC 0062 - Copy-2 498

 

Megjithëse informacioni i disponuar mbetet i pjesshëm dhe i tërthortë, të dhënat e marra në analizë sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në rritje, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018. Rritja ekonomike është pasqyruar në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese, sikundër tregon rritja e punësimit, reduktimi i normës së papunësisë, si dhe forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste.

Kjo ecuri ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona të mëparshme dhe nuk sjell ndryshime të rëndësishme në parashikimet tona për të ardhmen. Ndër të tjera, ajo evidenton ndikimin pozitiv që ka patur politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë, dhe sugjeron se qëndrimi aktual i kësaj politike mbetet i përshtatshëm, si për të siguruar një rritje ekonomike në linjë me potencialin prodhues të vendit, ashtu edhe për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.

Në këndvështrimin sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se pasqyron kryesisht rritjen e prodhimit në industri e shërbime. Megjithatë, të dhënat e disponuara tregojnë se ritmi i rritjes së prodhimit të energjisë elektrike ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, duke sugjeruar për një ngadalësim të lehtë të rritjes ekonomike në gjysmën e dytë të vitit.

Në këndvështrimin e kërkesës agregate, rritja ekonomike duket se ka vijuar të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve shqiptare. Nga ana tjetër, kahu konsolidues i politikës fiskale, gjatë tremujorit të tretë dhe pjesës më të madhe të tremujorit të katërt, ka qenë më i fortë se ai i parashikuar, duke sjellë një kontribut më të ulët se parashikimi të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike.

Në balancë, konteksti i përgjithshëm i zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend mbetet pozitiv.

Ekonomia shqiptare vijon të përfitojë nga ecuria pozitive e partnerit tonë kryesor tregtar, Eurozonës, nga bilancet financiare në përmirësim të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga konsolidimi fiskal, i cili ka reduktuar primet e rrezikut në tregjet e brendshme financiare.

Paralelisht me këta faktorë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të mbështetet nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë. Kjo politikë është transmetuar nëpërmjet nivelit të ulët të normës bazë të interesit, injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit në tregun e brendshëm financiar, orientimit të tregut mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen, si dhe ndërhyrjeve selektive në tregun valutor gjatë periudhës së verës.

Stimuli ynë monetar ka krijuar një ambient financiar likuid dhe me norma të ulëta interesi, si dhe ka zbutur efektin e presioneve forcuese mbi kursin e këmbimit. Normat e ulëta të interesit kanë mbështetur zgjerimin e kreditimit: e pastruar nga efekti i kursit dhe nxjerrjae kredive jashtë bilancit, kredia për sektorin privat u rrit me 4.9% dhe 4.5%, përkatësisht gjatë tremujorit të tretë dhe dy muajve të parë të tremujorit të katërt. Gjithashtu, normat e ulëta të interesit kanë ndihmuar ristrukturimin e kredive, duke lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit dhe duke përmirësuar stabilitetin e sistemit financiar. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 12.7% në muajin nëntor, duke ilustruar përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të sektorit bankar. Së fundi, ndërhyrja e përkohshme në tregjet valutore ka reduktuar zhbalancimet e ofertës dhe kërkesës për valutë, duke qetësuar funksionimin e tregut valutor dhe duke reduktuar shmangiet e kursit nga nivelet e sugjeruara nga faktorët fondamentalë.

Rritja e kreditimit, lehtësimi i barrës financiare të kredimarrësve dhe reduktimi i luhatjeve të kursit të këmbimit, kanë inkurajuar konsumin, investimet, rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv, në horizontin kohor afatmesëm.

Inflacioni shënoi vlerën 1.8% në muajin nëntor, duke u reduktuar kundrejt nivelit të regjistruar në tremujorin e tretë dhe muajin tetor. Në përputhje dhe me pritjet tona të mëparshme, ky reduktim pasqyron efektin rënës që sjell forcimi i kursit të këmbimit mbi inflacionin e importuar. Analizat tona sugjerojnë se ky efekt pritet të jetë kalimtar dhe nuk do të cënojë përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm.

Përditësimi i parashikimeve sipas skenarit bazë konfirmoi pritjet tona të mëparshme mbi kthimin e ekonomisë në ekuilibër në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, dhe kthimin e inflacionit në objektiv në vitin 2020. Kjo ecuri pritet të mbështetet nga ecuria pozitive e Eurozonës dhe partnerëve tanë të tjerë tregtarë e financiarë, nga ambienti stimulues monetar dhe financiar në vend, si dhe nga qetësimi i presioneve forcuese mbi kursin e këmbimit.

Paralelisht me të, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se balanca e rreziqeve vijon të mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Këto rreziqe lidhen si me goditje të mundshme që mund të vijnë nga ambienti i huaj, ashtu dhe me shpejtësinë e përmirësimit të klimës së biznesit dhe të kreditimit në vend.

***

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
  • Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%.

Ruajtja e kahut dhe intensitetit të stimulit monetar nxit rritjen e kërkesës agregate, duke ndihmuar rritjen e punësimit, të pagave, dhe të presioneve të brendshme inflacioniste.

Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e normës bazë të interesit nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe mbetet e gatshme të përdorë instrumentet që disponon për të shmangur forcimin e kursit të këmbimit në nivele që rrezikojnë përmbushjen e objektivit të inflacionit.