BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 28 mars 2019

Data e publikimit: 28.03.2019

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në mbledhjen e datës 28 mars 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Të dhënat e reja të përftuara gjatë dy muajve të fundit kanë qenë përgjithësisht në linjë me parashikimet tona. Po ashtu, pritjet tona për të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme, ndonëse rreziqet në mjedisin e brendshëm dhe të huaj janë shtuar.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivave të Bankës së Shqipërisë. Stimuli monetar, i transmetuar nëpërmjet normave të ulëta të interesit dhe komunikimit të kahut të ardhshëm të politikës monetare, mbetet i nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

***

Ambienti i huaj paraqet një ngadalësim të ritmeve të rritjes dhe reduktim të nivelit aktual e të pritur të inflacionit, si në kontekstin evropian dhe në atë global. Në përgjigje të tyre, bankat qendrore kryesore kanë riparë qëndrimin e politikës monetare, drejt lehtësimit të mëtejshëm ose drejt shtyrjes në kohë të normalizimit të saj. Nga ana tjetër, tregjet e huaja financiare shfaqen relativisht të qeta.

Në përputhje me pritjet tona, inflacioni në vend pësoi rënie gjatë dy muajve të parë të vitit 2019. Inflacioni mesatar i kësaj periudhe shënoi vlerën 1.8%, duke pasqyruar përcjelljen më të plotë të efektit frenues të forcimit të kursit të këmbimit. Sipas vlerësimeve tona, ky efekt do të kulmojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2019 dhe do të shuhet gradualisht gjatë tremujorëve në vazhdim.

Paralelisht me këtë efekt, presionet e brendshme inflacioniste paraqiten ende të pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv. Ndonëse zgjerimi i vazhduar i kërkesës agregate ka sjellë rritje të punësimit dhe të pagave, kostot e prodhimit dhe normat e fitimit nuk janë ende të mjaftueshme për të përmbushur objektivin tonë të inflacionit.

Sipas të dhënave të tërthorta të disponuara, ritmi i rritjes ekonomike duket të jetë ngadalësuar disi gjatë dy tremujorëve të fundit. Në një masë të madhe, ky ngadalësim pasqyron ecurinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe, si i tillë, nuk vlerësohet se do të ndikojë trendet afatmesme të rritjes.

Nga ana tjetër, faktorët përcaktues afatmesëm e afatgjatë të kërkesës agregate dhe të rritjes ekonomike, duken më të qëndrueshëm. Po sipas të dhënave të tërthorta të disponuara, konsumi dhe investimet private kanë vijuar të shënojnë rritje në këtë periudhë, duke pasqyruar përmirësimin e të ardhurave të disponueshme dhe të bilanceve financiare, rritjen e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve, dhe kushtet e favorshme të financimit. Eksportet shqiptare të mallrave kanë shënuar rritje në tremujorin e katërt të vitit të shkuar dhe ngadalësim në dy muajt e parë të vitit 2019. Ky ngadalësim pasqyroi efektin bazë të eksportit të lartë të energjisë elektrike gjatë së njëjtës periudhë të vitit të shkuar, si dhe koniunkturën jo të favorshme ndërkombëtare për disa kategori të eksporteve tona. Së fundi, politika fiskale ka ruajtur qëndrimin e saj konsoliduese, edhe gjatë dy muajve të parë të vitit 2019.

Stimuli monetar dhe konsolidimi fiskal kanë krijuar një ambient të favorshëm financiar për nxitjen e kërkesës.

Në përgjigje të tyre, normat e interesit dhe kostot e financimit të sektorit publik e privat shfaqen pranë minimumeve të tyre historike. Po ashtu, kursi i këmbimit shfaqet relativisht i qëndrueshëm, duke pasqyruar balancimin më të mirë të kërkesës dhe ofertës për valutë.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur nga – dhe pasqyruar në – trendin gradual rritës të kredisë për sektorin privat. Duke përjashtuar efektin kontabël të kursit të këmbimit si dhe atë të nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilanceve, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej rreth 6% gjatë dy muajve të parë të vitit 2019. Kjo rritje, ndonëse ende e moderuar, përbën një sinjal pozitiv për gjallërimin e kërkesës dhe përmirësimin e ofertës për kredi.

Konsolidimi në proces i sektorit bankar, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve të tij, krijojnë parakushte për një përmirësim më të shpejtë të ofertës dhe të ritmit të kreditimit në vend. Trendi i vazhdueshëm rënës i raportit të kredive me probleme tregon se rreziku i kreditit në vend është reduktuar ndjeshëm. Banka e Shqipërisë gjykon se këto premisa pozitive duhet të pasqyrohen më me konsekuencë në politikat dhe standardet e kreditimit të sektorit bankar.

Duke gjykuar mbi trendet aktuale të zhvillimit, si dhe faktorët përcaktues të tyre, Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa agregate do të vijë në rritje gjatë horizontit afatmesëm. Rritja e konsumit, investimeve dhe eksporteve, do të mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të punësimit, rritjen e pagave dhe të normave të fitimit, si dhe forcimin gradual të presioneve të brendshme inflacioniste. Paralelisht edhe me shuarjen e plotë të efektit frenues të kursit të këmbimit, këto zhvillime do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.

***

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare është një parakusht i rëndësishëm i plotësimit të këtij parashikimi. Në këto rrethana, ai vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
  • Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Paralelisht me rikonfirmimin e skenarit bazë të pritjeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rreziqet e kahut të poshtëm janë forcuar gjatë vitit 2019. Përkeqësimi i ambientit të huaj, situata e tensionuar politike në vend, si dhe përputhshmëria në kohë e ritmit të përmirësimit të ofertës me atë të kërkesës për kredi, janë faktorë të cilët mund t’i zhvendosin zhvillimet ekonomike poshtë pritjeve të skenarit bazë.

Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm, por intensiteti i stimulit do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Në veçanti, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se materializimi i faktorëve të rrezikut, mund të kërkojë shtyrjen në kohë të normalizimit të politikës monetare.