BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 2 nëntor 2022

Data e publikimit: 02.11.2022

 

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 2 nëntor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Ky Raport konstaton se pasojat e goditjes së ofertës të huaj në ekonominë shqiptare po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Në veçanti, analiza e informacionit të disponuar sugjeron se presionet inflacioniste po vijnë në rritje dhe baza e tyre shfaqet në zgjerim. Ky gjykim bazohet në vijimin e pranisë së çmimeve të larta në tregjet botërore, kërkesën relativisht të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, shfrytëzimin në rritje të kapaciteteve prodhuese, si dhe në rritjen e nivelit të pritur të inflacionit nga agjentët ekonomikë.

 DSC8832 498

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim është i nevojshëm për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2024. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë do të ndihmojë ruajtjen e stabilitetit të brendshëm monetar dhe financiar dhe do të krijojë kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

***

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje të mëtejshme në tremujorin e tretë. Ky inflacion regjistroi një vlerë mesatare prej 7.9% gjatë tremujorit, duke shfaqur dhe rritje progresive gjatë tij.

Në këndvështrimin e shportës së konsumit, rritja e inflacionit pasqyroi – në masën më të madhe – rritjen e çmimit të ushqimeve, të naftës dhe të kostove të transportit. Këta grup-artikuj gjeneruan rreth 80% të inflacionit total në tremujorin e tretë. Megjithatë, rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend. Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste.

 DSC8858 498

Në këndvështrimin makroekonomik, rritja e inflacionit pasqyron – në masën më të madhe – presionet e forta që vijnë nga ambienti i huaj, por dhe një kontribut në rritje nga ambienti i brendshëm. Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve. Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, pozicion i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton një shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave. Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes.

Edhe përballë këtyre goditjeve, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë vitit 2022. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% në tremujorin e dytë. Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se rritja ekonomike ka vijuar të mbetet në territor pozitiv edhe në tremujorin e tretë. Ajo u mbështet nga zgjerimi i konsumit privat dhe i eksportit të mallrave e të shërbimeve. Kjo ecuri u pasqyrua në zgjerimin e sektorit të shërbimeve, të bujqësisë dhe të degëve të caktuara të sektorit të industrisë, si dhe në rritjen e mëtejshme të punësimit dhe të pagave në sektorin privat. Këto të fundit shënuan një rritje vjetore prej 11.9% në tremujorin e dytë, duke ilustruar si kërkesën solide për punë ashtu edhe rënien e vazhdueshme të normës së papunësisë.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të mbështetet nga një ambient financiar stimulues, ndonëse intensiteti i stimulit monetar ka ardhur drejt reduktimit. Tregjet financiare në vend vijojnë të jenë të qeta, likuiditeti në to është i mjaftueshëm për plotësimin e nevojave të ekonomisë, normat e interesit janë ende akomoduese, ndërsa kursi i këmbimit vijon të shfaqet i fortë dhe i qëndrueshëm. Ky ambient financiar ka mundësuar ruajtjen e ritmeve të rritjes së kredisë për sektorin privat. Në muajin shtator, ky portofol regjistroi një rritje vjetore prej 13.9%, duke mbuluar nevojat për fonde – në lekë e në valutë – të bizneseve dhe familjeve shqiptare.

Megjithatë, ritmi i rritjes së ekonomisë ka ardhur në ngadalësim pas tremujorit të parë. Ky ngadalësim pasqyron efektet negative që burojnë nga nivelet e larta të inflacionit, në vend dhe në botë. Ndër të tjera, këto efekte shfaqen në formën e rritjes së pasigurisë së bizneseve, të shtrëngimit të detyruar të kushteve të financimit, të tkurrjes së fuqisë blerëse të familjeve, si dhe të shtrenjtimit të faturës së importit të ekonomisë shqiptare.

Projeksionet tona të skenarit bazë për dy vitet e ardhshme, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim.

Inflacioni pritet të mbetet i lartë në tremujorin e katërt të vitit aktual, por të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024. Ky projeksion mbetet i kushtëzuar nga vijimi i procesit të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Gjithashtu, ai faktorizon pritjet tona për stabilizimin e çmimeve në tregjet e huaja dhe për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në vend.

Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes do të vijë në ngadalësim në afatin e shkurtër dhe do të përshpejtohet në afatin e mesëm. Rritja ekonomike do të vijojë të ushqehet nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, nga zgjerimi i mëtejshëm i eksporteve shqiptare, si dhe nga ulja e pasigurisë në përgjigje të reduktimit të pritur të inflacionit. Po ashtu, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të përfitojë nga një ambient i qëndrueshëm monetar dhe financiar. Në veçanti, bilancet financiare të shëndosha dhe likuide të sektorit bankar japin garanci se ky sektor do të vijojë të mbështesë me fonde bizneset dhe familjet shqiptare, duke ndihmuar si zgjerimin e konsumit dhe të investimeve ashtu edhe mbulimin e nevojave të përkohshme për likuiditet.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se ambienti i përgjithshëm mbetet sfidues dhe projeksionet për të ardhmen rrethohen nga pasiguri të shtuara. Këto pasiguri qëndrojnë në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rikonfirmoi gjykimin e tij se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Për këtë arsye, në respektim të objektivit të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%;
  • të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.25% në nivelin 3.75%;
  • të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni ende stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.

Në konsistencë me komunikimet e kaluara dhe me parashikimet tona afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në të ardhmen e afërt. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në kohë implikimet për ecurinë e inflacionit dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për administrimin efektiv të saj.