BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani gjatë konferencës për shtyp me Misionin e FMN-së

Data e publikimit: 08.05.2007

 

Në mbyllje të bisedimeve intensive të dy javëve të shkuara me Misionin e FMN-së dhe Ministrinë e Financave, të finalizuara me një mirëkuptim të përgjithshëm për çështjet kryesore të diskutuara, në vijim të deklaratës përmbyllëse të Misionit të FMN-së dhe të mesazheve të lëna nga Ministri i Financave, më lejoni edhe mua të shpreh disa mendime në emër të Bankës së Shqipërisë.

Analiza integrale e treguesve ekonomikë sugjeron për rekuperim të ritmit të rritjes ekonomike, afër nivelit të tij potencial. Kjo sjellje është diktuar nga zhvillimi i sektorit privat dhe është favorizuar nga kushtet e përshtatshme makroekonomike dhe nga qëndrueshmëria makrofinanciare. Në këtë kontekst, zgjerimi i shpejtë i kreditimit spikat si burimi kryesor i mbështetjes së ekonomisë me fonde dhe si nxitës i rritjes së konsumit dhe të investimeve në vend. Si një shenjë inkurajuese për të ardhmen, këto zhvillime nuk kanë përcjellë strese të tepërta në nivelin e inflacionit apo të treguesve të tjerë të stabilitetit ekonomik dhe financiar. Në vecanti, u evidentua roli pozitiv që ka luajtur politika monetare nëpërmjet rritjes, në kohën dhe në masën e duhur, të normave të interesit; nëpërmjet administrimit të përshtatshëm të likuiditetit dhe nëpërmjet zhvillimit e zgjerimit të tregut monetar.

Natyrisht që këto bisedime, si diskutime që lidhen dhe prekin direkt politikat ekonomike të nje vendi, u orientuan nga e ardhmja. Objektivi i tyre themelor, ishte dhe mbetet ndërmarrja në kohë e përgjigjeve të duhura politike, për të ruajtur e për të forcuar më tej perspektivat e afatgjata të zhvillimit të vendit.

Vizioni i Bankës së Shqipërisë për të ardhmen, karakterizohet nga pritshmëri pozitive, ndonëse zhvillimet e fundit kanë rritur tonet e kujdesit, duke përforcuar shkallën tonë të gatishmërisë, për të marrë masat e nevojshme për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe rritjen ekonomike, në një periudhë afatgjatë.

Faktorët kryesorë të zhvillimit mbeten në vend edhe për periudhën e ardhme. Rritja e sektorit privat, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, dhe stabiliteti makroekonomik do te plotësohen nga reforma të mëtejshme strukturore dhe infrastrukturore, dhe duhet të shoqërohen nga përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit. Në një periudhë afatmesme, këto nisma duhet të ngrenë profilin e ekonomisë shqiptare, duke rulur shkallën e varësisë ndaj importeve, thithjes së kapitaleve të qëndrueshme afatgjata dhe orientimin e tyre drejt sektorëve prioritarë të ekonomisë. Banka e Shqipërisë konstaton me kënaqësi se retorika e përdorur shpesh në lidhje me këtë program, si një program maturimi për ekonominë dhe për institucionet shqiptare, është pasuar nga aksione konkrete, në një pjesë të madhe të institucioneve të përfshira. Në anën e saj, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë hapash për fuqizimin e kapaciteteve analizuese dhe vendimmarëse në fushën e politikës monetare, duke adoptuar një fizionomi moderne në këtë fushë, si një garanci institucionale për kontrollin e inflacionit brenda nivelit të synuar. Së bashku me nismat e marra për zhvillimin e tregut financiar dhe fuqizimin e funksionit të saj mbikëqyrës, këta hapa janë konkretizuar në masa të prekshme për tregun financiar dhe ekonominë.

Për të zgjeruar tonet e kujdesit të përmendur më sipër, me lejoni të citoj më qartë disa prej rreziqeve kryesore të identifikuara dhe të shtjelloj masat e projektuara nga Banka e Shqipërisë.

Tabloja e mësipërme ekonomike, e pasqyruar gjerësisht në kontaktet periodike të Bankës së Shqërisë me publikun, është plotësuar edhe me shqetësimet tona për rreziqet potenciale që mund të cënojnë stabilitetin e cmimeve dhe atë monetar. Pa dashur të shtjelloj në detaje, do të përmendja: situatën e rënduar financiare të KESH-it, me implikimet që ka ajo për treguesit buxhetorë dhe për kostot e prodhimit; nivelin elartë të kërkesës së brendshme, e cila ndikon direkt në rritjen e cmimeve dhe në zgjerimin e deficitit tregtar; ritmet e larta të rritjes së kredisë; shtrëngimin e vazhdueshëm të politikës monetare në Eurozonë dhe impaktin e saj në tregjet financiare shqiptare; si arsye të qenësishme për të rikonsideruar përshtatshmërinë e kushteve monetare aktuale në vend, me objektivin e ruajtjes së inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë është duke vlerësuar me prioritet ndikimet që kanë faktorët e mësipërm, vecanërisht rritja e shpejtë e kredisë, në stabilitetin financiar të sistemit. Në këtë kontekst, ajo është duke shqyurtar mundësinë e aplikimit të një pakete masash rregullatore, bazuar edhe në eksperiencën e vendeve të rajonit.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se përparësi e rëndësisë së veçantë, u konsiderua nevoja për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar. Gjatë vitit 2006, ka arritje të spikatura në këtë drejtim por megjithatë, prurjet cilësore të vitit të kaluar duhen ndjekur me procese të mëtejshme thithjesh dhe bashkimesh, në mënyrë që numri dhe cilësia e pjesmarrësve në sistem, të jenë gjithnjë e më afër parametrave bashkëkohorë.