BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 20 dhjetor, 2012

Data e publikimit: 20.12.2012

 

Sot, në datën 20 dhjetor 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.00%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Njëkohësisht, ato ofrojnë edhe stimulin e duhur monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin nëntor shënoi vlerën 2.5%. Pjesa më e madhe e inflacionit vijon të përcaktohet nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore. Kontributet e grup-mallrave të tjerë kryesorë kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me muajin e mëparshëm. Luhatjet e inflacionit janë përcaktuar kryesisht nga faktorë të ofertës, me origjinë të brendshme dhe të huaj. Gjithsesi, goditjet e ofertës kanë patur një intensitet të ulët dhe një veprim të shkurtër në kohë. Këshilli Mbikëqyrës konstaton se zhvillimet në ekonominë reale dhe në tregjet financiare kanë prodhuar presione të ulëta inflacioniste. Ekonomia shqiptare vijon të mbetet nën potencial dhe kjo reflektohet në një rritje të ulët të pagave dhe të kostove të prodhimit. Çmimet në tregjet botërore dhe ecuria e kursit të këmbimit kanë qenë relativisht të qëndrueshme, duke mos ushtruar presione për rritjen e çmimeve në vend. Po kështu, inflacioni i pritur mbetet i ankoruar rreth objektivit tonë prej 3%. Së fundi, zhvillimet monetare karakterizohen nga një kërkesë e ulët për mjete monetare likuide. Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka kontribuuar në nxitjen e kërkesës agregate, në administrimin e likuiditetit në sistem dhe në kontrollin e pritjeve inflacioniste. Kjo tablo e presioneve inflacioniste pritet të ruhet edhe në horizontin afatmesëm.

Mbulimi me shifra i aktivitetit ekonomik gjatë gjysmës së dytë të vitit është jo i plotë. Megjithatë, analiza e të dhënave të tërthorta konfirmon vlerësimet e mëparshme për një rritje pozitive në këtë periudhë, në nivele të ngjashme me tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike është mbështetur më së shumti nga kërkesa e huaj, ndërkohë që kërkesa e brendshme paraqitet ende e dobët.

Shpenzimet konsumatore vlerësohen të jenë rritur gjatë tremujorit të tretë, duke u reflektuar edhe në një aktivitet më të mirë të sektorit të shërbimeve. Megjithatë, konsumi privat mbetet i dobët, si pasojë e ecurisë së ngadaltë të ekonomisë dhe e pasigurisë së perceptuar për të ardhmen. Ecuria e tij në afat të mesëm mbetet ende e paqartë. Gjithashtu, investimet private mbeten të ulëta, në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit, të pasigurisë mbi ecurinë e kërkesës së brendshme dhe të huaj, si dhe të kushteve më të shtrënguara të financimit nga sektori financiar.

Kërkesa e sektorit publik ka qenë gjithashtu e ulët në tremujorin e tretë, duke mos ndihmuar rritjen e kërkesës agregate. Deri në fund të muajit tetor, deficiti buxhetor i këtij viti është rreth 19.0% më i ulët se një vit më parë. Politika fiskale e ndjekur gjatë tre tremujorëve të parë të vitit është materializuar në një rënie vjetore të shpenzimeve publike në këtë periudhë, ndërkohë që rritja e të ardhurave ka qenë e ulët dhe deficiti buxhetor i kontrolluar. Nga ana tjetër, tremujori i katërt dhe viti 2013 pritet të karakterizohen nga rritja e shpenzimeve fiskale dhe e deficitit buxhetor. Kjo politikë fiskale rrit stimulin makroekonomik në afat të shkurtër, por ajo duhet të jetë e kujdesshme ndaj nevojës për qëndrueshmëri afatmesme dhe afatgjatë të borxhit publik.

Kërkesa e huaj ka qenë burimi kryesor i rritjes së aktivitetit ekonomik në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat më të fundit nga tregtia e jashtme konfirmojnë të njëjtën ecuri edhe në periudhën pasuese. Kështu, në muajin tetor, deficiti tregtar ka vijuar tendencën korrektuese, duke u ngushtuar me 10.3% në terma vjetorë. Ecuria e tij ka reflektuar kryesisht performancën e mirë të eksporteve, të cilat kanë ruajtur ritme pozitive të rritjes vjetore, prej 12.0% në këtë muaj. Importet gjithashtu kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit tregtar, duke u tkurrur me 2.3% në terma vjetorë në këtë muaj.

Analiza e treguesve monetarë tregon për presione të ulëta monetare mbi ecurinë e çmimeve. Rritja e ofertës së parasë, M3, ka vijuar të ngadalësohet më tej në muajin tetor, duke zbritur në 6.2%. Në mënyrë të veçantë, financimi i sektorit privat është ngadalësuar ndjeshëm. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi 2.4% në muajin tetor, duke zbritur në nivele të ulëta historike. Në një masë të madhe, ajo është ndikuar nga kërkesa e ulët e individëve dhe bizneseve për financim, sikurse pasqyrohet edhe nga ecuria e konsumit dhe e investimeve private. Nga ana tjetër, edhe sistemi bankar vijon të tregojë kujdes të shtuar në kreditim, ndonëse gëzon kushte të mira likuiditeti e kapitali.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga rënia e primeve të rrezikut të likuiditetit. Normat e interesit në tregun ndër-bankar janë ulur më tej në muajin nëntor, në reflektim të likuiditetit të bollshëm dhe të kushteve të lehtësuara monetare. Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë vijuar të bien. Gjithashtu, normat e interesit të depozitave dhe të kredive në lekë kanë shënuar rënie, duke vijuar përgjigjen ndaj sinjaleve të politikës monetare. Në periudhën në vazhdim, pritet një reagim më i plotë i ekonomisë reale ndaj kushteve të lehtësuara monetare.

***

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se inflacioni do të mbetet në nivele të ulëta dhe afër objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme. Ecuria e pritur e ekonomisë së brendshme, e ekonomisë së huaj, dhe e tregjeve financiare nuk parashikohet të gjenerojë shmangie të inflacionit nga objektivi i synuar prej 3.0%. Në këto kushte, dhe në mungesë të goditjeve të papritura të ofertës, çmimet e konsumit do të rriten me norma të ulëta dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.00%. Mbajtja në nivele minimale e normës bazë të interesit ruan karakterin stimulues të politikës monetare, duke i mundësuar ekonomisë reale të përfitojë nga kushtet më të mira të financimit gjatë vitit 2013. Gjithashtu, kjo politikë ndihmon në kontrollin e pritjeve të inflacionit, duke ndihmuar në uljen e normave afatgjata të interesit.