BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 25 qershor 2014

Data e publikimit: 25.06.2014

 

Sot, në datën 25 qershor 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%. Në gjykimin e Këshillit, transmetimi gradual i uljeve të mëparshme të normës bazë të interesit në tregjet financiare do të krijojë kushte të përshtatshme monetare për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor rezultoi 1.6% në muajin maj, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me muajin e mëparshëm. Rënia e inflacionit erdhi si pasojë e reduktimit të çmimeve të mallrave të kujdesit shëndetësor, ndërkohë që çmimet e mallrave të tjera të shportës regjistruan luhatje të vogla. Si edhe në muajt e mëparshëm, inflacioni vjetor vijon të përcaktohet nga çmimet e ushqimeve të papërpunuara, kontributi i të cilave formon rreth 88% të vlerës finale të tij.

Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria e çmimeve të konsumit vazhdon të pasqyrojë presionet e dobëta inflacioniste, si në ambientin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Hendeku negativ i prodhimit nuk favorizon rritjen e punësimit dhe të pagave, duke sjellë dhe rritje të ulëta të kostove të tjera të prodhimit. Presionet e importuara inflacioniste mbeten të përmbajtura; inflacioni në vendet partnere tregtare dhe rritja e çmimeve të mallrave bazë janë në nivele të ulëta, ndërkohë që kursi i këmbimit paraqitet i qëndrueshëm. Gjithashtu, pritjet për inflacionin dhe situata e likuiditetit në ekonomi paraqiten në linjë me norma të ulëta inflacioni në periudhën e ardhshme

Të dhënat e tërthorta të disponuara mbi aktivitetin ekonomik sinjalizojnë për rritje pozitive në muajt e parë të vitit. Zgjerimi i kërkesës agregate është mbështetur si nga kërkesa e brendshme private, ashtu edhe nga ajo e huaj. Nga ana tjetër, politika fiskale konsoliduese e ndjekur gjatë kësaj periudhe nuk ka mbështetur rritjen e kërkesës.

Të dhënat e reja të muajit qershor nuk kanë ndryshuar gjykimin tonë mbi ecurinë e konsumit dhe investimeve private. Këta përbërës të rëndësishëm të kërkesës agregate vlerësohet të kenë shënuar rritje në këtë periudhë, por ecuria e tyre mbetet ende e brishtë. Rimëkëmbja e qëndrueshme e tyre vijon të pengohet nga pasiguritë e individëve dhe bizneseve. Këto pasiguri reflektohen në hezitimin për të marrë përsipër rrezik nga sektori real dhe financiar i ekonomisë. Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të mëtejshëm të konsumit dhe investimeve private në pjesën e mbetur të vitit, duke reflektuar, ndër të tjera, edhe politikën tonë monetare lehtësuese. Shkalla e rikuperimit të këtyre treguesve do të përcaktojë dinamikat afatshkurtra dhe afatmesme të zhvillimit të vendit.

Të dhënat mbi ecurinë e sektorit publik tregojnë për një politikë fiskale konsoliduese në pesë muajt e parë të vitit. Kjo politikë është materializuar në një deficit buxhetor rreth 68% më të ulët se një vit më parë. Natyra shtrënguese e politikës fiskale është e dukshme si në kahun e të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Të ardhurat fiskale u rritën me 9.0% në terma vjetorë, në një kohë që shpenzimet buxhetore ishin 7.5% më të ulëta se një vit më parë. Lehtësimet tona të politikës monetare kanë pasur parasysh edhe këtë tipar të politikës fiskale, të cilin Banka e Shqipërisë e ka kërkuar dhe mbështetur. Megjithatë, Banka e Shqipërisë dëshiron të sjellë në vëmendje nevojën për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor gjatë vitit, për të rritur efektivitetin e tyre dhe për të shmangur luhatjet që përqendrimi i tepërt i tyre mund të sjellë në treguesit ekonomikë e financiarë të vendit.

Përmirësimi i kërkesës së huaj dhe dinamika pozitive e disa sektorëve të ekonomisë u reflektuan në një rritje vjetore prej 10.3% të eksporteve në muajin prill. Analiza e detajuar e të dhënave të tregtisë mbart sinjale inkurajuese mbi aktivitetet me natyrë rieksportuese dhe ato bujqësore. Megjithatë, deficiti tregtar i vendit u rrit me 1.8% në këtë muaj, si pasojë e rritjes së njëkohshme të importeve me 6.0%. Në veçanti, situata energjetike vijon të rëndojë bilancin tregtar të vendit, nëpërmjet importeve të larta të energjisë elektrike. Përmirësimet strukturore të ekonomisë si dhe një ambient më i favorshëm i huaj do t'i hapnin rrugë një rritjeje më të shpejtë të eksporteve shqiptare. Banka e Shqipërisë e sheh këtë kanal si instrumentin më të përshtatshëm për të mbështetur rritjen e qëndrueshme të vendit në afat të mesëm dhe të gjatë.

Projeksionet për vlera të ulëta të inflacionit vjetor, në kushtet e rritjes ekonomike nën potencial, kanë diktuar ndjekjen e një politike monetare lehtësuese nga Banka e Shqipërisë. Stimuli monetar u forcua në fund të muajit të kaluar, nëpërmjet uljes së mëtejshme të normës bazë të interesit. Nga informacioni i disponuar mbi tregjet financiare, kjo ulje rezulton të jetë përcjellë e plotë në tregun ndërbankar dhe në atë të letrave me vlerë të qeverisë. Gjithashtu, ajo është reflektuar në ulje të kostove të financimit të sistemit bankar, duke krijuar kështu premisat për përcjelljen e stimulit në normat e interesit të kredisë e më tej në ekonomi. Banka e Shqipërisë kërkon nga sistemi bankar respektimin e kësaj hallke të rëndësishme të mekanizmit të transmetimit.

Pavarësisht lehtësimit të kushteve monetare, kërkesa e ekonomisë për mjete financiare mbetet e dobët. Treguesit monetarë për muajin prill tregojnë për ngadalësim të rritjes vjetore të ofertës monetare, në 0.7%. Ecuria e saj ka reflektuar nevojën e ulët të sektorit publik për financim dhe rënien e kredisë për sektorin privat. Në muajin prill, kredia për sektorin privat ishte 2.4% më e ulët se një vit më parë, duke vijuar, prej thuajse një viti, tkurrjen. Ecuria e dobët e kreditimit reflekton kryesisht rënien e financimit për bizneset. Analiza e faktorëve të kërkesës dhe ofertës për kredi tregon se në të dyja kahet ekzistojnë pasiguri, të cilat materializohen në prime të larta rreziku. Sikurse e kemi thënë dhe më parë, përmirësimi i qëndrueshëm i kreditimit do të ndjekë përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se informacioni i ri i disponuar nuk i ndryshon projeksionet tona bazë. Ekonomia pritet të rritet në mënyrë graduale gjatë vitit, me një ritëm më të përmirësuar në pjesën e dytë të tij. Megjithatë, rritja e kërkesës agregate do të mbetet nën potencialin e ekonomisë edhe gjatë vitit 2014, duke përcaktuar kështu një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit tonë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%.