BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 shtator 2012

Data e publikimit: 26.09.2012

 

Sot, në datën 26 shtator 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.0%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme, ndërkohë që ofrojnë edhe stimulin e nevojshëm monetar në mbështetje të kërkesës së brendshme dhe të rritjes ekonomike.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin gusht shënoi 2.8%, duke u rritur me 0.1 pikë përqindjeje ndaj nivelit të muajit korrik.

Ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet kryesisht nga rritja e çmimit të mallrave ushqimorë dhe të naftës. Çmimet e mallrave të tjerë të shportës janë shfaqur relativisht të qëndrueshëm dhe kanë dhënë një kontribut të ulët në inflacionin total.

Sipas vlerësimeve tona, ecuria e inflacionit pasqyron më së shumti veprimin e përkohshëm të faktorëve të ofertës, të lidhur kryesisht me zhvillimet në tregjet botërore si edhe lëvizje të mundshme strukturore në tregun e brendshëm. Përkundrejt tyre, presionet inflacioniste të origjinuara në ekonominë vendase shfaqen të përmbajtura. Kërkesa e brendshme e dobët dhe rritja ekonomike nën potencial janë reflektuar në rritje të ngadaltë të kostove të prodhimit, në pritje të ankoruara për inflacionin dhe në zgjerim të kontrolluar monetar. Banka e Shqipërisë vlerëson se, në vija të përgjithshme, këto zhvillime do të vazhdojnë të përcaktojnë ecurinë e inflacionit edhe në periudhën e ardhshme.

Në balancë, të dhënat e tërthorta mbi ecurinë e ekonomisë në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, tregojnë për një rritje pozitive por të ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Ekonomia shqiptare ka përfituar nga ecuria më e mirë e kërkesës së huaj dhe e eksporteve në këtë periudhë, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet ende e dobët.

Përveç stimulit të munguar të sektorit publik, të dhënat indirekte tregojnë për dinamikë të dobët të konsumit dhe të investimeve private. Në veçanti, rritja e kujdesit të konsumatorëve është reflektuar në uljen e konsumit dhe në rritjen e kursimit të familjeve shqiptare.

Sikurse e kemi thënë edhe më parë, kjo sjellje pasqyron në një masë të madhe korrektimin e nivelit të lartë të konsumit, të vërejtur në ekonomi deri në fund të vitit 2008. Por, në kontekstin e zhvillimeve aktuale në ekonominë dhe në tregjet financiare botërore, hezitimi i konsumatorit në blerjen e mallrave të qëndrueshëm, reflekton edhe pasigurinë e tij në lidhje me zhvillimet e pritura në të ardhmen. Banka e Shqipërisë gjykon se frenimi i konsumit si reagim ndaj pasigurisë mbi ecurinë ekonomike në të ardhmen, mund të shndërrohet në një spirale ndikimesh të ndërsjella midis treguesve makroekonomikë. Tkurrja e konsumit shoqërohet me rënie të kërkesës së brendshme, duke çuar në ngadalësim të rritjes ekonomike dhe në rënie të të ardhurave të familjeve në një kohë të dytë. Në vazhdimësi analizat dhe projeksionet tona kanë sugjeruar se situata makroekonomike dhe vetë ekonomia shqiptare kanë baza të qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë. Ky realitet duhet të përkthehet në një sjellje më realiste, drejt një niveli më të lartë konsumi në ekonomi, brenda kufijve të bilanceve të qëndrueshëm familjarë.

Në të njëjtin kah, edhe investimet private vlerësohen të jenë relativisht të ulëta, të kushtëzuara nga kapacitetet e lira të prodhimit, nga pritjet për kërkesën finale për mallra dhe shërbime në të ardhmen, si dhe nga kujdesi i shtuar i bankave në kredidhënie. Në veçanti, kërkesa e dobët e sektorit privat është përcjellë edhe në një kërkesë të ulët të tij për kredi në muajt e fundit. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve kredia për sektorin privat ka vijuar të ngadalësojë ritmin e rritjes vjetore, duke shënuar një rritje vjetore prej 5.5% në muajin korrik. Banka e Shqipërisë ka krijuar në vazhdimësi kushtet e duhura për nxitjen e kredidhënies. Kjo politikë është realizuar nëpërmjet lehtësimit të politikës monetare, injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit në sistemin bankar, si dhe krijimit të kuadrit të duhur mbikëqyrës e rregullator.  Ajo është reflektuar në një rritje krahasimisht të shpejtë të kredisë në lekë kundrejt kredisë në valutë. Gjithsesi, ne mendojmë se ka vend për një bashkëpunim më të ngushtë të biznesit me sistemin bankar. Sistemi bankar duhet të jetë më fleksibël dhe i vëmendshëm ndaj perspektivave makroekonomike dhe sektoriale të zhvillimit, ndërkohë që biznesi ka hapësira për investime në ato degë të ekonomisë të cilat ofrojnë potenciale ende të pashfrytëzuara.

Përbërësi i tretë i kërkesës agregate, shpenzimet publike, ka patur gjithashtu një kontribut të ulët në rritjen ekonomike.

Politika fiskale ka patur karakter konsolidues në tetë muajt e parë të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, shpenzimet buxhetore janë tkurrur me 0.4% në terma vjetorë, si pasojë e rritjes së ulët të shpenzimeve korente dhe e tkurrjes së shpenzimeve kapitale. Të ardhurat fiskale u rritën me 3.7% gjatë tetë muajve të parë të vitit, duke regjistruar ritme historikisht të ulëta rritjeje. Politika e kujdesshme për realizimin e shpenzimeve është materializuar në tkurrjen e deficitit buxhetor. Për periudhën janar-gusht të këtij viti, ky deficit rezultoi rreth 29% më i ulët se një vit më parë, duke ndihmuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë afatgjatë fiskale. Ne gjykojmë se ndjekja e kësaj politike në vazhdimësi, e orientuar drejt qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të treguesve të borxhit publik, është e domosdoshme dhe produktive në kushtet aktuale të tregjeve financiare.

Kërkesa e huaj ka mbështetur rritjen e aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë të vitit. Deficiti i eksporteve neto është ngushtuar me 23.9% në këtë periudhë, duke reflektuar rritjen e eksporteve dhe reduktimin e importeve në krahasim me një vit më parë. Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se ky impuls pozitiv ka vijuar edhe në muajin korrik. Eksportet janë rritur me 11.6% në terma vjetorë në këtë muaj, ndërkohë që importet kanë regjistruar një rritje vjetore të ulët prej 1.1%. Këto zhvillime kanë bërë që deficiti tregtar në muajin korrik të ulet me 5.2% në terma vjetorë.

Zhvillimet monetare tregojnë për presione të moderuara inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi. Oferta e parasë ka ruajtur ritmet e zgjerimit të muajve të mëparshëm, duke regjistruar një rritje vjetore prej 8.4% në muajin korrik. Ecuria e saj reflekton kërkesën e ulët të sektorit të brendshëm të ekonomisë për mjete monetare. Ecuria e tregjeve financiare ka reflektuar kushtet e përmirësuara të likuiditetit si dhe primet më të ulëta të rrezikut dhe të inflacionit në ekonomi. Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë shënuar rënie, duke përcjellë uljen më të fundit të normës bazë në muajin korrik. Gjithashtu, edhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë ka vijuar ulja e mëtejshme e yield-eve. Lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare pritet të përcillet edhe në normat e interesit në segmentet e tjera të tregut financiar, në përputhje me periudhën e veprimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Në kontekstin e përmirësuar të tregjeve të brendshme financiare dhe në prani të një sistemi bankar të shëndetshëm, Banka e Shqipërisë është në pritje të një përcjelljeje më të plotë në ekonomi të vendimeve të saj të mëparshme për lehtësimin e politikës monetare.

Projeksionet për zhvillimet e pritura ekonomike në të ardhmen i përmbahen skenarit bazë të vlerësuar në muajt e mëparshëm.

Aktiviteti ekonomik në vend pritet të mbetet i ulët, i kushtëzuar nga ecuria e dobët e konsumit dhe e investimeve private dhe nga hapësirat e pakta për stimul fiskal. Për rrjedhojë, presionet inflacioniste mbeten të ulëta dhe nën kontroll, duke u reflektuar në një ecuri të pritur të inflacionit afër objektivit të Bankës së Shqipërisë.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në 4.0%.