BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 gusht 2014

Data e publikimit: 27.08.2014

 

Sot, në datën 27 gusht 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%. Në gjykimin e Këshillit, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Pas rënies së vërejtur në tre muajt e mëparshëm, inflacioni vjetor u rrit në muajin korrik, duke shënuar vlerën 1.8%. Si edhe në muajt paraardhës, dinamika e tij është përcaktuar nga ecuria e çmimeve të ushqimeve dhe veçanërisht e ushqimeve të freskëta të stinës. Mallrat e tjera të shportës së konsumit kanë vijuar të japin kontribute të ulëta dhe të qëndrueshme në rritjen e inflacionit në vend.

Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria e çmimeve vazhdon të përcaktohet nga presione të ulëta inflacioniste, si nga kahu i kërkesës ashtu dhe nga ai i ofertës. Rritja ekonomike nën potencial dhe hendeku negativ i prodhimit kanë ushtruar presione të përmbajtura mbi çmimet. Inflacioni i importuar ka qenë gjithashtu i moderuar dhe në rënie, si rrjedhojë e inflacionit të ulët në vendet partnere dhe e ecurisë së qëndrueshme të kursit të këmbimit. Së fundi, pritjet për inflacionin mbeten të ulëta, ndërsa zgjerimi monetar është në linjë me rritje të moderuara çmimesh në afat të mesëm.

Të dhënat e reja të sektorit real të analizuara në mbledhjen e fundit janë të pakta. Sinjalet e marra nga treguesit e tërthortë mbështesin vlerësimet tona të mëparshme për një rritje më të shpejtë ekonomike në tremujorin e dytë, në linjë me parashikimin për një rikuperim gradual të saj gjatë vitit. Ecuria pozitive e kërkesës së brendshme private është mbështetur nga kushtet më të favorshme të financimit dhe nga rritja e besimit të bizneseve e konsumatorëve në këtë periudhë. Në të njëjtën kohë, kërkesa e huaj për mallra dhe shërbime vazhdon të rritet, por rritja e importeve si rrjedhojë e gjallërimit të konsumit dhe investimeve ka zbehur kontributin e saj në rritjen ekonomike. Eksportet dhe importet e mallrave u rritën me përkatësisht 9.2% dhe 10.4% në terma vjetorë gjatë tremujorit të dytë, ndërsa deficiti tregtar me 11.6%.

Sikurse pritej, natyra konsoliduese e politikës fiskale ka kushtëzuar rënie të kërkesës së sektorit publik dhe një kontribut direkt negativ të saj në rritjen e kërkesës agregate. Kahu konsolidues i politikës fiskale është shprehur si në rritjen e të ardhurave ashtu dhe në reduktimin e shpenzimeve. Ecuria e të ardhurave është ndikuar nga rritja e shpejtë e të ardhurave tatimore, nën efektin e paketës së re fiskale dhe të përmirësimit të administrimit të sistemit tatimor. Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore kanë shënuar rënie si në zërin e shpenzimeve korrente, ashtu dhe në atë të shpenzimeve kapitale. Deficiti buxhetor në fund të 6-mujorit ishte rreth 22.2 miliardë lekë ose rreth 54% më i ulët se një vit më parë. Banka e Shqipërisë mbështet masat për konsolidim fiskal, pasi ndjekja e kësaj politike i shërben ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të vendit dhe reduktimit të primeve të rrezikut në ekonomi. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson dhe njëherë nevojën për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor gjatë vitit, për të minimizuar luhatjet e aktivitetit ekonomik dhe të tregjeve financiare.

Tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta në muajt korrik e gusht. Aktiviteti në këto tregje ka qenë në nivele normale, i karakterizuar nga presione të kontrolluara likuiditeti dhe nga luhatje të vogla të normave të interesit. Në përgjigje të politikës monetare stimuluese, tendenca kryesore e tregjeve ka qenë ajo e reduktimit të normave të interesit, ndonëse ky reduktim ka pasur intensitet të ndryshëm në segmente të ndryshme të tregut. Kështu, reduktimi më i shpejtë i normave të interesit është vënë re në tregun ndërbankar, në depozitat në lekë dhe në segmentin afatshkurtër të letrave me vlerë të qeverisë. Nga ana tjetër, segmenti afatgjatë i letrave me vlerë të qeverisë dhe interesat e kredive në lekë kanë shënuar rënie më të ngadaltë. Këto të fundit vazhdojnë të reflektojnë prime të larta rreziku, të lidhura si me bilancet e rënduara të bizneseve shqiptare ashtu dhe me politikat konservatore të kreditimit të adoptuara nga grupet bankare.

Rritja vjetore e ofertës monetare shënoi 0.9% në muajin qershor. Ecuria e saj ka reflektuar nevojën e ulët të sektorit publik për financim dhe rënien e kredisë për sektorin privat. Rënia vjetore e kredisë për sektorin privat rezultoi 1.8% në muajin qershor, duke ruajtur të njëjtin ritëm si në maj. Ndërkohë, në terma mujorë kredia ka shënuar rritje për të dytin muaj radhazi, ndonëse në nivele më të ulëta nga ato historike. Sinjalet për lehtësimin e kushteve të ofertës dhe rritjen e kërkesës për kredi, të marra nga vrojtimet e kryera tremujorin e dytë të vitit, duket se po materializohen ngadalë në përmirësimin e ecurisë së kreditimit. Sikurse e kemi thënë dhe më parë, kushtet e shtrënguara të kreditimit dhe ecuria e ngadaltë e kredisë është një fenomen rajonal e evropian, zgjidhja e të cilit do të vijë vetëm në prani të një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë vendase dhe qetësimit të plotë të tregjeve financiare evropiane. Banka e Shqipërisë gjykon se realiteti dhe perspektiva e vendit kërkojnë adoptimin e strategjive më realiste, në drejtim të një kreditimi më të shpejtë të ekonomisë shqiptare. Pa cënuar stabilitetin financiar, ne kemi ndërmarrë dhe do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat e duhura për mbështetjen e këtij procesi. Nga ana tjetër, bilancet e shëndosha e në përmirësim të sistemit bankar shqiptar janë një garanci për mbështetjen me fonde të ekonomisë shqiptare në afat të mesëm e të gjatë.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se informacioni i ri i disponuar nuk i ndryshon projeksionet tona bazë. Ekonomia pritet të rritet në mënyrë graduale gjatë këtij viti, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Në reflektim të stimulit monetar, të rritjes së besimit në ekonomi si dhe të përmirësimit të pritur të kushteve financiare e të klimës së biznesit në partnerët tanë tregtarë, ekonomia shqiptare pritet të konvergojë gradualisht drejt potencialit të saj në një periudhë afatmesme. Mbyllja e hendekut negativ të prodhimit do të sjellë edhe kthimin gradual të inflacionit në objektiv.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%. Duke u bazuar në informacionin e disponuar si dhe në përputhje me projeksionet tona, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të kërkojë ruajtjen e normës bazë të interesit në nivele të ulëta edhe gjatë disa tremujorëve në vazhdim. Rreziqet rreth projeksioneve bazë mbeten ende në kahun rënës, të lidhura ngushtë me qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes dhe me zhvillimet ekonomike e financiare në vendet partnere. Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të situatës; ajo është tërësisht e angazhuar dhe disponon instrumentet e nevojshme për respektimin e objektivit të saj të inflacionit.