BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 nëntor 2012

Data e publikimit: 27.11.2012

 

Sot, në datën 27 nëntor 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.00%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Këto kushte ofrojnë njëkohësisht dhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor në muajin tetor shënoi 2.4%, duke shënuar rënie për të dytin muaj radhazi. Ecuria e tij është përcaktuar kryesisht nga zhvillimet në çmimet e produkteve ushqimore, të cilat kanë kontribuuar me rreth 70% në krijimin e vlerës së inflacionit. Çmimet e mallrave të tjerë kryesore të shportës së konsumit kanë lëvizur në kahe të ndryshme, duke ruajtur kontributin e tyre në të njëjtat nivele me muajt e mëparshëm.

Nga këndvështrimi i faktorëve makroekonomikë, ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet kryesisht nga veprime të faktorëve të përkohshme të ofertës, me origjinë në tregjet ndërkombëtare si edhe ndryshime strukturore të tregut vendas. Nga ana tjetër, ecuria e ngadaltë e aktivitetit ekonomik është shoqëruar me rritje të ulët të kostove të prodhimit dhe me presione të ulëta mbi inflacionin. Gjithashtu, moderimi i ritmeve të rritjes së treguesve monetarë, rritjet e ulëta të çmimeve në tregjet botërore dhe mirë-ankorimi i pritjeve inflacioniste kanë gjeneruar presione të përmbajtura inflacioniste. Në vija të përgjithshme, kjo situatë pritet të vazhdojë edhe gjatë periudhës së ardhshme.

Të dhënat mbi aktivitetin ekonomik gjatë tremujorit të tretë të vitit janë të pjesshme dhe mbështeten mbi tregues të tërthortë. Analiza e tyre tregon për një rritje pozitive, por të ulët, të ekonomisë vendase në këtë periudhë. Sektorët të cilët kanë mbështetur rritjen ekonomike vlerësohen të kenë qenë industria, bujqësia dhe shërbimet, ndërkohë që aktiviteti në sektorin e ndërtimit nuk vëren shenja të përmirësimit të aktivitetit  aktual apo të pritur. Nga kahu i kërkesës agregate, kërkesa e huaj vijon të jetë nxitësi kryesor i rritjes së aktivitetit ekonomik edhe në tremujorin e tretë të vitit. Kërkesa e brendshme shfaqet ende e dobët, e kushtëzuar nga mungesa e stimulit fiskal dhe plogështia e konsumit dhe investimeve private.

Politika fiskale ka patur një natyrë konsoliduese gjatë vitit 2012. Kjo politikë është reflektuar në uljen me 19% të deficitit buxhetor gjatë 10 muajve të parë të vitit, duke i shërbyer ruajtjes së qëndrueshmërisë së treguesve fiskalë në këtë periudhë. Nga ana tjetër, ecuria e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor nuk kanë mbështetur rritjen e kërkesës agregate.

Shpenzimet publike të dhjetë muajve të parë të vitit rezultojnë 0.2% më të ulëta se një vit më parë, një zhvillim i cili pasqyron edhe rritjen e ulët të të ardhurave buxhetore. Këto të fundit janë rritur me ritme të ulëta vjetore gjatë gjithë vitit dhe, në fund të muajit tetor, ato ishin vetëm 2% më të larta se një vit më parë. Banka e Shqipërisë vlerëson se, ndonëse sjellja e kujdesshme nuk ka patur një ndikim direkt pozitiv në rritjen ekonomike të kësaj periudhe, ajo ka ndihmuar në kontrollin e primeve të rrezikut dhe në uljen e normave afatgjata të interesit, duke favorizuar kështu nxitjen e investimeve private. Duke parë nga e ardhmja, ne vlerësojmë se politika fiskale duhet të ruajë orientimin e saj drejt qëndrueshmërisë së treguesve fiskalë, në mbështetje të stabilitetit ekonomik e monetar të vendit dhe si një parakusht i rëndësishëm i rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Kërkesa e huaj ka vijuar të mbështesë rritjen e eksporteve dhe të aktivitetit ekonomik gjatë gjithë vitit 2012. Deficiti tregtar është ngushtuar me 7.9% në tremujorin e tretë të vitit, duke reflektuar kryesisht ecurinë e mirë të eksporteve. Këto të fundit u rritën me 17% në tremujorin e tretë, duke ruajtur prirjen pozitive të tremujorëve paraardhës. Nga ana tjetër, ecuria e importeve vijon të jetë e dobët, në reflektim të kërkesës së ulët për konsum e për investime. Në tremujorin e tretë të vitit, importet shënuan një rritje vjetore pozitive prej vetëm 0.7%.

Ecuria e treguesve monetarë dëshmon për presione të moderuara inflacioniste me natyrë monetare. Ritmi i rritjes vjetore të parasë së gjerë është ngadalësuar në 6.8% në muajin shtator. Në pasqyrim të ecurisë së dobët të kërkesës së brendshme, kërkesa e agjentëve ekonomikë për mjete monetare ka qenë e ulët.

Kërkesa e dobët për mjete monetare është shoqëruar me rënien e vazhdueshme të kontributit të financimit të sektorit publik e privat në rritjen e ofertës monetare gjatë gjithë vitit 2012. Kredia për sektorin privat ka vijuar të ngadalësohet edhe këtë muaj; ritmi i rritjes vjetore së saj arriti në 4.2%, duke shënuar një ndër nivelet më të ulëta historike.

Zhvillimet e fundit në tregjet financiare kanë reflektuar kushte të lehtësuara monetare dhe prime të ulëta apo në rënie të rrezikut të likuiditetit dhe inflacionit. Normat e interesit në tregun ndër-bankar kanë qenë në rënie, në ndjekje të sinjaleve të dhëna nga politika monetare. Në të njëjtën kohë, me sheshimin e problemeve strukturore në tregun primar, edhe yield-et e bonove të thesarit kanë shënuar rënie të shpejtë në të gjitha maturitetet. Në një treg të qetë financiar dhe në mungesë të goditjeve shtesë në të ardhmen, lehtësimet e mëparshme të politikës monetare pritet të vijojnë të përcillen edhe në segmente të tjerë të tregut financiar. Në këto kushte, rritja e stimulit monetar në ekonomi do të mbështesë më tej nxitjen e kërkesës agregate, pa cënuar ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afat të mesëm.

Në një masë të madhe, zhvillimet në kredi dhe në tregjet financiare reflektojnë hezitimin e individëve dhe të bizneseve për të ndërmarrë angazhime afatgjata. Megjithatë, shkalla e ngadaltë e rritjes së kredisë pasqyron edhe sjelljen e kujdesshme të bankave në kreditim. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vëren se, megjithë rreziqet afatshkurtra të gjeneruara kryesisht nga mjedisi i jashtëm i ekonomisë, perspektiva afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit të vendit mbetet e shëndetshme. Konsumatori dhe biznesi shqiptar duhet të jenë më realistë në planet e tyre të zhvillimit dhe të adoptojnë një përqasje më pragmatiste drejt rritjes së konsumit dhe të investimeve aktuale.

Po ashtu, bilancet e shëndosha të sistemit bankar duhet të vihen më shumë në mbështetje të ekonomisë me fonde financiare, nëpërmjet rritjes së kreditimit.

Duke parë nga e ardhmja, informacioni i ri i marrë gjatë muajit të fundit konfirmon projeksionet tona të mëparshme mbi ecurinë e pritur të ekonomisë shqiptare përgjatë horizontit të veprimit të politikës monetare. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të rritet me norma pozitive, por këto norma pritet të mbeten të ulëta dhe nën potencial. Ecuria e dobët e konsumit dhe investimeve private kufizon hapësirat e rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, informacioni paraprak tregon se stimuli fiskal mund të jetë në rritje gjatë vitit të ardhshëm, duke plotësuar kërkesën e huaj si një mbështetës afatshkurtër i rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, efekti tërësor i stimulit fiskal do të varet nga reagimi i sektorit privat dhe ai i tregjeve financiare. Ndërkohë, efekti afatgjatë i tij do të varet nga kostot shtesë që do të sjellë ai në buxhet.

Banka e Shqipërisë gjykon se kërkesa agregate nuk do të ushtrojë presione rritëse mbi inflacionin. Në prani të një ambienti të qëndrueshëm monetar, të pritjeve të ankoruara inflacioniste, si dhe të një ndikimi të moderuar të çmimeve të huaja dhe të kursit të këmbimit, inflacioni pritet të qëndrojë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën e ardhshme. Në këto rrethana, politika jonë monetare pritet të vijojë të ruajë natyrën e saj stimuluese në një afat të mesëm.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.0%.