BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 nëntor 2013

Data e publikimit: 27.11.2013

 

Sot, në datën 27 nëntor 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj uljeje, norma bazë e interesit zbret në nivelin 3.25 për qind.

Reduktimi i normës bazë të interesit reflekton projeksionet tona për një inflacion të ulët në periudhën e ardhshme, si pasojë e rritjes së ngadaltë ekonomike në vend dhe e presioneve rënëse në inflacion të ardhur nga ekonomia e jashtme. Ky reduktim përforcon stimulin monetar në ekonomi dhe krijon kushte më të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor rezultoi 1.7% në muajin tetor, duke qëndruar në të njëjtin nivel me një muaj më parë. Pas reduktimit të shpejtë në muajt korrik e gusht, inflacioni shënoi rritje në dy muajt pasardhës, duke konfirmuar natyrën e përkohshme të rënies së fortë të inflacionit gjatë muajve të verës, por duke mbetur në linjë me vlerësimin e përgjithshëm për presione të ulëta inflacioniste. Luhatjet e inflacionit gjatë vitit 2013 kanë ardhur kryesisht nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore - kontributi i tyre formon pothuajse tërësisht vlerën e inflacionit total. Nga ana tjetër, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera të shportës së konsumit kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme dhe kanë dhënë një ndikim fare të ulët në inflacion.

Në këndvështrimin makroekonomik, profili i ulët i inflacionit vijon të përcaktohet nga presione të dobëta inflacioniste, si nga kahu i kërkesës dhe nga ai i ofertës. Informacioni i muajve të fundit konfirmon vlerësimin tonë për një rritje nën potencial të ekonomisë shqiptare. Prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit shoqërohet me rritje të ngadaltë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit, duke u reflektuar më tej në nivele të ulëta të inflacionit bazë. Paralelisht me të, rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, kanë ndikuar në ngadalësimin e presioneve të importuara inflacioniste. Së fundi, pritjet për inflacionin qëndrojnë të ankoruara dhe në linjë me stabilitetin e çmimeve.

Të dhënat e disponuara makroekonomike tregojnë për rritje të ulët ekonomike gjatë tremujorit të tretë të vitit dhe një përmirësim të lehtë të saj gjatë tremujorit të katërt. Luhatjet e ritmeve të rritjes gjatë vitit të fundit kanë ardhur në masën më të madhe nga luhatjet në ritmet e realizimit të shpenzimeve buxhetore.

Nga ana tjetër, kërkesa e huaj ka dhënë një ndikim të ulët pozitiv në rritjen ekonomike, ndërsa konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta.

Konsumi dhe investimet private vazhdojnë të frenohen nga pasiguria e lartë dhe nga kushtet relativisht të shtrënguara të financimit. Lehtësimi i vazhduar i politikës monetare nuk është reflektuar në masën e pritur në rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, konsumatori dhe biznesi shqiptar shfaqen mjaft hezitues në marrjen e vendimeve afatgjata të konsumit e të investimeve. Banka e Shqipërisë vlerëson se zbutja e pasigurisë dhe lehtësimi i kushteve të financimit do të krijonin parakushtet për një ecuri më të mirë të këtyre dy përbërësve të rëndësishëm të kërkesës agregate.

Stimuli fiskal u zbeh dukshëm gjatë tremujorit të tretë. Pas një rritjeje të shpejtë në gysmën e parë të vitit, shpenzimet buxhetore u ngadalësuan në tremujorin e tretë. Stimuli fiskal i nëntëmujorit të parë është reflektuar në një deficit buxhetor rreth 1.2 herë më të lartë se ai së njëjtës periudhe të vitit paraardhës.

Rritja e pritur e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor, në tremujorin e katërt, e zhvendos përsëri në territor pozitiv kontributin e stimulit fiskal në rritjen ekonomike. Megjithatë, nivelet e larta të borxhit publik kufizojnë mundësinë e politikës fiskale për të mbështetur aktivitetin ekonomik në të ardhmen. Banka e Shqipërisë vlerëson se korrektimi fiskal në vitin e ardhshëm është i domosdoshëm për rikthimin e borxhit publik në parametra më të qëndrueshëm. Korrektimi i pritur fiskal për vitin 2014 dhe në vazhdim do të ushtrojë ndikimin e vet në aktivitetin ekonomik. Ndërkohë, reduktimi i huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare do të krijojë më shumë hapësirë për zgjerimin e financimit të sektorit privat.

Të dhënat mbi tregtinë e huaj flasin për një kontribut pozitiv të kërkesës së huaj në rritjen e aktivitetit ekonomik, gjatë tremujorit të tretë. Gjatë kësaj periudhe, deficiti tregtar u tkurr me 17.7% në terma vjetorë, duke reflektuar ecurinë e mirë të eksporteve dhe rënien e importeve. Eksportet shënuan një rritje vjetore prej 13.6% në tremujorin e tretë të vitit, ndërkohë që importet ranë me rreth 5.2%.

Periudha në fjalë është karakterizuar nga ecuria rënëse e normave të interesit në tregjet financiare. Normat e interesit të letrave me vlerë të borxhit publik kanë rënë, si pasojë e reduktimit të huamarrjes së qeverisë në këtë periudhë. Ecuria e yield-eve dhe ajo e normave të interesit në tregun ndërbankar janë në linjë me ciklin lehtësues të politikës monetare. Nga ana tjetër, normat e interesit të depozitave dhe të kredive kanë reaguar më ngadalë, si pasojë e primeve të larta të rrezikut të përfshira në çmimin e kredisë. Sistemi bankar ka adoptuar një përqasje konservatore ndaj kreditimit, në përgjigje të politikave më të shtrënguara të imponuara nga bankat mëma dhe të rritjes së kredive me probleme në bilancet e tyre. Kjo përqasje është reflektuar në kushte më të shtrënguara kreditimi dhe në norma interesi, të cilat nuk kanë ndjekur lehtësimet e politikës monetare. Në prani edhe të kërkesës së ulët për kredi, ajo është reflektuar në rënien e kredisë gjatë muajve të fundit. Në fund të muajit shtator, kredia për sektorin privat rezultoi 2.6% më e ulët se një vit më parë.

Primet e larta të rrezikut të kredisë, si dhe reagimi i pakët i konsumatorit dhe biznesit ndaj normave të interesit, kanë zbehur transmetimin e stimulit monetar në ekonomi. Rikthimi i pritur i këtyre dy treguesve në parametra më normalë do të forcojë transmetimin e stimulit monetar dhe do të krijojë kushte për rimëkëmbjen e kërkesës së brendshme në ekonomi.

Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste do të mbeten të dobëta edhe në periudhën e ardhme. Zhvillimet e faktuara deri më tani nuk kanë ndryshuar ndjeshëm projeksionet tona makroekonomike, por kanë shtuar rreziqet në kahun rënës. Rritja ekonomike pritet të mbetet e dobët dhe të mos gjenerojë presione inflacioniste. Ky parashikim reflekton edhe efektin frenues të korrektimit të pritur fiskal për vitin e ardhshëm. Po ashtu, inflacioni i importuar pritet të mbetet i ulët, ndërsa pritjet për inflacionin janë të ankoruara.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Reduktimi i normës bazë të interesit pritet të përcillet në norma më të ulta interesi për kreditimin e ekonomisë. Duke patur parasysh edhe kahun e pritur fiskal për vitin e ardhshëm, ky veprim synon të ruajë stimulin makroekonomik në ekonomi dhe të krijojë kushte më të përshtatshme për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se zhvillimet e pritura ekonomike e financiare, brenda dhe jashtë vendit, do të kërkojnë ruajtjen e natyrës lehtësuese të politikës monetare, në periudhën e ardhshme. Në varësi të kahut dhe të intenstitetit të politikës fiskale në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet vazhdimisht e gatshme të vlerësojë dhe të reagojë në kohë përmes politikës monetare.