BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 28 gusht 2012

Data e publikimit: 28.08.2012

 

Sot, në datën 28 gusht 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 4.00%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme, duke ofruar njëkohësisht stimulin e nevojshëm monetar në mbështetje të kërkesës së brendshme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor rezultoi 2.7% në muajin korrik, duke u rritur me 0.5 pikë përqindje kundrejt muajit paraardhës. Rritja e normës së inflacionit erdhi kryesisht si pasojë e rritjes më të lartë të çmimeve të mallrave ushqimorë të papërpunuar në këtë muaj. Gjithashtu, edhe çmimet e mallrave të konsumit jo-ushqimor kanë shtuar kontributin e tyre në inflacionin vjetor, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës. Kontributet e mallrave të tjera të shportës në inflacion mbeten të qëndrueshme dhe me luhatshmëri të vogël.

Pavarësisht rritjes, inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet në gjysmën e poshtme të intervalit të tolerancës së Bankës së Shqipërisë. Në aspektin makroekonomik, rritja e tij ka ardhur si pasojë e veprimit të faktorëve të përkohshëm, ndërkohë që ecuria e dobët e kërkesës agregate vijon të shoqërohet me presione të ulëta mbi çmimet e konsumit. Gjithashtu, rritja e kostove të prodhimit mbetet e dobët, inflacioni i importuar shfaqet i ulët, ndërsa pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë vijojnë të jenë të ankoruara.

Të dhënat mbi ecurinë e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit tregojnë për rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Megjithëse disa tregues indirektë flasin për një përmirësim kundrejt tremujorit të parë të vitit, konsumatori vijon të karakterizohet nga një sjellje e orientuar drejt kursimit. Kjo sjellje pasqyrohet në shtyrjen e shpenzimeve të rëndësishme, në rritjen e depozitave dhe të investimeve në letrat me vlerë, si dhe në kërkesën e ulët konsumatore për kredi bankare. Investimet private vazhdojnë të mbeten të dobëta, në reflektim të ecurisë së dobët të kërkesës finale në ekonomi. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijon të jetë e ulët ndërsa importi i makinerive dhe pajisjeve regjistroi një rënie vjetore me 9.5% në tremujorin e dytë, pas zgjerimit me një normë të ulët rreth 1.5% në tremujorin e parë të vitit. Lidhur me financimin e investimeve private, sistemi bankar vijoi të akordojë kredi për qëllime investimi në ritme të krahasueshme me tremujorin e parë të vitit.

Politika fiskale ka shfaqur një natyrë konsoliduese gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2012, duke u materializuar në ngushtimin e deficitit buxhetor gjatë kësaj periudhe. Në prani edhe të rritjes së ngadaltë të të ardhurave buxhetore, kjo sjellje është reflektuar në tkurrjen me 1.2% të shpenzimeve buxhetore. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 4.0%, të ndikuar nga rritja e dobët e të ardhurave tatimore. Ecuria e të ardhurave, shpenzimeve, dhe e huamarrjes publike është materializuar në një deficit buxhetor rreth 31.6% më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë vëren se ruajtja e disiplinës fiskale i ka shërbyer pozitivisht shëndetit financiar të ekonomisë shqiptare dhe kontrollit të primeve të rrezikut në ekonomi gjatë gjysmës së parë të vitit 2012. Vazhdimi i përpjekjeve për ruajtjen e qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik do të ndihmojë në rritjen e kredibilitetit të politikës fiskale dhe në reduktimin e kostove të financimit të ekonomisë shqiptare.

Kërkesa e huaj është shfaqur e përmirësuar në tremujorin e dytë të vitit. Pas tkurrjes të shënuar në tremujorin e parë, eksportet e mallrave kanë regjistruar një rritje nominale vjetore prej 19.2%. Nga ana tjetër, importet e mallrave në vlerë janë tkurrur me 4.4% në terma vjetorë, duke u reflektuar në ngushtimin me 16.5% të deficitit tregtar në këtë periudhë. Orientimi në rritje i ekonomisë shqiptare drejt eksportit dhe rritja e konkurrueshmërisë së produkteve tona duhet të jetë një prioritet i sektorit publik dhe privat. Megjithëse tregjet ndërkombëtare janë të pafavorshme, si pasojë e krizës së zgjatur të partnerëve tanë tregtarë, rritja e eksporteve tona duhet parë si një strategji afatgjatë kombëtare në mbështetje të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian.

Zhvillimet monetare kanë qenë në linjë me ecurinë e ekonomisë reale.

Rritja vjetore e ofertës monetare u ngadalësua në 8.3% në muajin qershor, duke reflektuar reduktimin e financimit të sektorit publik nga sistemi bankar dhe kërkesën e ulët për mjete monetare të sektorit privat. Sektori privat i ekonomisë, i ndikuar nga pasiguritë e shtuara për zhvillimet makroekonomike brenda dhe jashtë vendit, ka shfaqur një kërkesë të ulët për kredi bankare. Në të njëjtën kohë dhe për të njëjtat arsye, bankat vazhdojnë të tregojnë kujdes të shtuar në procesin kredidhënës. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes vjetore të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 6.8% në muajin qershor. Nxitja e kreditimit të shëndoshë ka qenë dhe mbetet një prioritet konstant i politikave të Bankës së Shqipërisë. Në mbështetje të tij, ne kemi ulur në nivelet minimale historike normën bazë të interesit, kemi rishikuar kuadrin mbikëqyrës dhe rregullator, si dhe kemi furnizuar sistemin bankar me të gjithë likuiditetin e kërkuar. Për rrjedhojë, sistemi bankar shqiptar është ndër të paktat sisteme bankare në rajon që ka mbajtur një normë pozitive ekspansioni të kredive gjatë viteve të fundit.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga kushte të mira likuiditeti dhe luhatshmëri e ulët e normave të interesit. Normat e interesit të monedhës vendase kanë vijuar prirjen rënëse edhe në muajin korrik, në ndjekje të ciklit lehtësues të politikës monetare dhe të përmirësimit të raporteve të kërkesës e ofertës në tregun e brendshëm të borxhit publik. Në veçanti, në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë është vënë re frenimi i rritjes së yield-eve dhe ka sinjale për reduktimin e tyre në të ardhmen. Në tërësi, zhvillimet në tregjet financiare tregojnë për prime të ulëta të rrezikut të likuiditetit dhe të inflacionit në ekonomi.

Projeksionet bazë për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimet e mëparshme për një rritje të ngadaltë të ekonomisë shqiptare gjatë periudhës së ardhshme. Kërkesa e brendshme, e cila është shfaqur e dobët në pjesën e parë të këtij viti, pritet të vijojë të kushtëzohet nga hezitimi i agjentëve ekonomikë në ndërmarrjen e konsumit dhe investimeve private.

Paralelisht me të, respektimi i objektivave të qëndrueshmërisë së borxhit publik përcakton një sjellje konsoliduese të politikës fiskale dhe një kontribut të ulët të saj në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, kërkesa e huaj pritet të japë një kontribut pozitiv, por të dobët, në rritjen e kërkesës agregate. Në këto rrethana, rritja ekonomike parashikohet të mbetet nën potencialin e saj për periudhën e ardhshme dhe presionet inflacioniste të gjeneruara prej saj pritet të jenë të ulta. Duke faktorizuar edhe variablat e tjerë që ndikojnë në inflacion, Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste për horizontin afatmesëm  mbeten të kontrolluara, duke përcaktuar ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare gjatë kësaj periudhe.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në 4.00%. Në periudhën në vazhdim, Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve ekonomike dhe financiare, brenda dhe jashtë vendit, dhe e gatshme për të ndërhyrë në kohën dhe masën e duhur në përmbushje të mandatit të saj.