BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 28 gusht 2013

Data e publikimit: 28.08.2013

 

Sot, në datën 28 gusht 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3,50%.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni vjetor i muajit korrik rezultoi 1.6%, duke shënuar rënie krahasuar me muajin e kaluar dhe duke qëndruar poshtë objektivit tonë prej 3%. Rënia e fortë e inflacionit në këtë muaj pritet të jetë e përkohshme. Ajo u shkaktua kryesisht nga çmimet e ulëta të produkteve ushqimore të stinës, si dhe nga dinamika rënëse e çmimeve të disa mallrave të tjerë të shportës. Megjithatë, grupet dhe artikujt kryesorë të shportës së mallrave të konsumit vazhdojnë të karakterizohen nga norma të ulëta inflacioni vjetor.

Konteksti ekonomik dhe financiar i zhvillimit të vendit ka gjeneruar norma të ulëta inflacioni. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike mbeten të dobëta, duke mos arritur të vënë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese të vendit.

Kjo situatë nuk mbështet rritjen e punësimit dhe krijon presione të ulëta për rritjen e pagave, të kostove të prodhimit, dhe të marxheve të fitimit. Gjithashtu, presionet inflacioniste me origjinë të huaj shfaqen të përmbajtura, në reflektim të ecurisë së moderuar të çmimeve në tregun botëror dhe të qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit. Së fundi, inflacioni i pritur nga sektori real dhe ai financiar shfaqet i ulët, ndërsa situata e likuiditetit është në linjë me një rritje të moderuar çmimesh në afat të mesëm. Banka e Shqipërisë gjykon se, në vija të përgjithshme, këto tendenca zhvillimi do të vijojnë të jenë të pranishme edhe në periudhën e ardhshme dhe do të përcaktojnë norma të ulëta inflacioni gjatë horizontit afatmesëm.


Përditësimi me informacion të ri i analizës ekonomike sugjeron se aktiviteti ekonomik është zgjeruar me ritme të ulëta gjatë gjashtëmujorit të parë.


Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike duket se kanë shënuar një përmirësim të lehtë në tremujorin e dytë, në përgjigje të rritjes së stimulit fiskal dhe të një ecurie më të mirë të shpenzimeve konsumatore, ndërkohë që investimet private mbeten të dobëta.
Gjithashtu, kërkesa e huaj ka vazhduar të kontribuojë pozitivisht në nxitjen e aktivitetit ekonomik. Të dhënat më të fundit të sektorit të jashtëm të ekonomisë, tregojnë një reduktim vjetor prej 14.6% të deficitit tregtar në muajin korrik. Ky ngushtim u ndikua nga rritja me 23.9% e eksporteve, ndërsa importet totale shënuan një rritje të lehtë prej 1.2%.

Politika fiskale ka patur një natyrë stimuluese gjatë shtatë muajve të parë të vitit, duke u karakterizuar nga rritja e shpejtë e shpenzimeve publike dhe nga ulja e drejtpërdrejtë apo indirekte e disa taksave. Gjatë periudhës në fjalë, shpenzimet buxhetore u rritën me 10.4% ndërkohë që të ardhurat buxhetore u reduktuan me 2.6%. Kjo situatë u reflektua në një deficit buxhetor rreth 2.3 herë më të lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
 Zgjerimi i deficitit ka mbështetur kërkesën agregate në këtë periudhë, por ai nënkupton ndjekjen e një politike fiskale të kujdesshme në pjesën e mbetur të vitit në kushtet e ezaurimit të hapësirave për huamarrje në gjysmën e dytë.

Kahu lehtësues i politikës monetare, reduktimi i kërkesës për financim të sektorit publik, si dhe situata e mirë e likuiditetit në sektorin bankar, kanë mundësuar një rënie të mëtejshme të normave të interesit gjatë muajve korrik e gusht. Në veçanti, normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të depozitave në lekë kanë njohur një rënie të mëtejshme, ndërkohë që normat e interesit të kredive në lekë kanë reflektuar më pak. Ky zhvillim vazhdon të tregojë për praninë e primeve relativisht të larta të rrezikut në tregun financiar dhe ilustron gjithashtu politikat konservatore të bankave në kreditim. Ashtu si dhe në eksperiencën e shumë ekonomive të tjera, ai tregon se përcjella e plotë e lehtësimit të politikës monetare në kushte më të mira financimi për sektorin privat mbetet problematike.
Nga ana tjetër, edhe sektori privat shfaq një elasticitet kërkese ndaj kostos së kredisë relativisht të ulët, duke reduktuar përcjelljen e stimulit monetar në ekonomi.

Në këto rrethana, zgjerimi i kredisë për ekonominë ka vijuar të shënojë norma të ulëta rritjeje. Në fundin e tremujorit të dytë,kredia për ekonominë rezultoi rreth 0.9% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Së bashku me aktivitetin e dobët ekonomik, perceptimi i pasigurisë nga agjentët ekonomikë vazhdon frenon kërkesën për kredi të sektorit privat. Megjithatë, në muajin qershor kredia akorduar sektorit privat shfaqi shenja të lehta përmirësimi në krahasim me dy muajt paraardhës. Në fund të muajit qershor, agregati i parasë së gjerë, M3, regjistroi rritje vjetore me 4.5%.

Duke parë nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë gjykon se burimet e rritjes ekonomike mbeten të dobëta dhe të pasigurta.

Në veçanti, konsumi dhe investimet private vuajnë nga pasiguria dhe hezitimi i familjeve dhe bizneseve në ndërmarrjen e angazhimeve afatgjata. Gjithashtu, kushtet e financimit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, vijojnë të mbeten relativisht të shtrënguara dhe nuk favorizojnë rritjen e kredisë dhe të investimeve. Performanca e këtyre komponentëve do të përcaktojë ecurinë e ardhshme të ekonomisë.

Në një horizont afatmesëm, skenari bazë i zhvillimeve të pritura karakterizohet nga një rritje ekonomike e dobët dhe nën potencial - në linjë me atë të vënë re gjatë dy viteve të fundit. Në mungesë të presioneve të huaja inflacioniste, apo të goditjeve të tjera nga ana e ofertës, presionet inflacioniste priten të jenë të dobëta dhe rritja vjetore e çmimeve të konsumit pritet të jetë në gjysmën e poshtme të objektivit.

Ky skenar zhvillimi kërkon ruajtjen e një kahu stimulues për politikat ekonomike, në interes të mbështetjes së kërkesës agregate dhe të rikuperimit të ritmeve potenciale të rritjes. Në terma të politikave makroekonomike, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale në të ardhmen duhet të ketë si objektiv të saj primar ruajtjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik. Ky kurs veprimi do të forcojë besimin e tregjeve financiare në financat publike të vendit dhe do të reduktojë kostot e shërbimit të borxhit në periudhën afatgjatë. Konteksti makroekonomik i gjeneruar prej tij do të krijonte kushte më të përshtatshme për zhvillimin e sektorit privat dhe do të linte më shumë hapësirë për përcjelljen dhe forcimin e stimulit monetar në ekonomi.

***

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3,50%. Në gjykimin e Këshillit, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Njëkohësisht, këto kushte ofrojnë stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se dinamika e pritur e zhvillimeve ekonomike dhe financiare do të kërkojë ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare deri në një horizont afatmesëm.