BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 30 maj 2014

Data e publikimit: 30.05.2014

 

Sot, në datën 30 maj 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.50%.
 
Ulja e normës bazë të interesit synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit pranë objektivit tonë në një periudhë afatmesme. Ky vendim reflekton vlerësimin dhe projeksionet tona për presione të ulëta inflacioniste gjatë tremujorëve në vijim, në përgjigje të dobësisë së kërkesës agregate dhe të tendencave rënëse të inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Kjo lëvizje i shërben nxitjes së konsumit dhe investimeve të brendshme, duke synuar një shfrytëzim më të plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe një kthim më të shpejtë të inflacionit në objektiv.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor rezultoi 1.7% në muajin prill, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vlerën mesatare të shënuar në tremujorin e parë të vitit 2014. Gjatë muajve të fundit, dinamika e inflacionit është përcaktuar në masën më të madhe nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore.

Inflacioni i këtyre produkteve ka pasur luhatshmëri të shtuar gjatë muajve të fundit, në përgjigje të ndryshimeve strukturore të tregut vendas dhe të tendencës rënëse të inflacionit të tyre në tregjet rajonale. Nga ana tjetër, çmimet e mallrave të tjera të shportës vijojnë të japin kontribute të ulëta.

Pavarësisht luhatjeve, tendencat afatmesme të inflacionit mbeten të qarta. Ambienti i përgjithshëm ekonomik e monetar karakterizohet nga presione të dobëta inflacioniste, të cilat reflektohen më tej në nivele të ulëta të inflacionit bazë. Analiza e faktorëve makroekonomikë evidenton se kërkesa agregate mbetet e dobët, duke e mbajtur aktivitetin ekonomik nën nivelin e tij potencial. Mosshfrytëzimi i plotë i kapaciteteve prodhuese ka sjellë rritje të ulët të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit. Paralelisht me to, presionet inflacioniste nga kahu i ofertës mbeten të dobëta, si pasojë e inflacionit në rënie në vendet partnere, çmimeve të ulëta të lëndëve të para dhe kursit të qëndrueshëm të këmbimit. Së fundi, pritjet inflacioniste në ekonomi mbeten të ulëta dhe afër objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Për sa i përket aktivitetit ekonomik, të dhënat e fundit mbështesin vlerësimet tona të mëparshme për rritje pozitive në muajt e parë të këtij viti. Rritja e kërkesës agregate është mbështetur nga një ecuri pozitive e kërkesës së brendshme private, ndërkohë që kontributi i sektorit publik vlerësohet negativ. Gjithashtu, kërkesa e huaj vijon të rritet, duke u reflektuar në rritjen e eksporteve të vendit.

Konsumi dhe investimet private vlerësohen të kenë pasur rritje në tre muajt e parë të vitit, ndonëse kjo rritje ishte më e ulët se në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Ecuria e tyre mbetet megjithatë e ngadaltë, duke reflektuar pasiguritë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet e shtrënguara të financimit. Rimëkëmbja e këtyre përbërësve të kërkesës do të jetë përcaktuese për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit 2014. Në këtë kontekst, ulja e sotme e normës bazë të interesit synon t'i japë një shtysë të mëtejshme konsumit dhe investimeve private, duke krijuar premisa për kosto më të ulëta financimi në sistemin bankar.

Të dhënat mbi ecurinë e sektorit publik i përkasin katër muajve të parë të vitit. Gjatë kësaj periudhe, të ardhurat janë rritur me 9.1% në terma vjetorë, ndërkohë që shpenzimet kanë rënë me 5.9%. Kjo ecuri është materializuar në një deficit buxhetor rreth 73.1% më të ulët se një vit më parë. Një dinamikë e tillë, por me nuanca më të zbehta, pritet të vërehet edhe në muajt pasues. Në mënyrë të vazhdueshme, Banka e Shqipërisë është shprehur në favor dhe ka mbështetur kahun konsolidues të politikës fiskale, duke vlerësuar se kjo politikë i shërben reduktimit të rreziqeve në ekonomi.

Zhvillimet në tregtinë e jashtme tregojnë për një zgjerim vjetor prej rreth 8.7% të deficitit tregtar gjatë tremujorit të parë të vitit. Eksportet tona u rritën me 11.6%, por zgjerimi i deficitit tregtar u përcaktua nga rritja vjetore prej 10.1% e importeve. Një vështrim më i detajuar në zhvillimet tregtare tregon se zgjerimi i deficitit tregtar i atribuohet thuajse tërësisht rritjes së importit të energjisë elektrike. Rritja e eksporteve shqiptare është mbështetur nga përmirësimi gradual i kërkesës së huaj dhe nga nënçmimi i kursit real të këmbimit gjatë viteve të fundit. Megjithatë, përmirësimi i qëndrueshëm i saj duhet të ankorohet me reforma strukturore të cilat mbështesin rritjen e produktivitetit, zhvillimin e avantazheve tona krahasuese dhe reduktimin e dobësive në sektorë të caktuar të ekonomisë.

Parashikimet për një nivel të ulët inflacioni në periudhën e ardhshme kanë diktuar ndjekjen e një politike monetare lehtësuese gjatë tremujorëve të fundit. Uljet e normës bazë janë transmetuar tashmë në normat e interesit të tregut ndërbankar, të depozitave dhe në pjesën më të madhe të yield-eve të letrave me vlerë. Normat e interesit të kredisë gjithashtu kanë reflektuar politikën monetare stimuluese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, por ato vijojnë të mbartin prime të larta të rrezikut të kredisë dhe të rreziqeve të tjera të lidhura me investimet afatgjata.

treguesit monetarë. Rritja vjetore e ofertës së parasë vijon të jetë e dobët, duke qëndruar në 2.1% në muajin mars. Ecuria e saj ka reflektuar rënien e financimit të sektorit privat dhe nevojën më të ulët të sektorit publik për financim. Kredia për sektorin privat është tkurrur me 2.4% në mars. Krahas kërkesës së ulët të bizneseve dhe individëve, ecuria e ngadaltë e kredisë pasqyron edhe politikat konservatore të bankave në kredidhënie. Kjo përqasje reflektohet jo vetëm në normat e interesit të kredisë, por edhe në kushtet e tjera të kreditimit të zbatuara nga sistemi bankar.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar ka vend dhe duhet të adoptojë një sjellje më të drejtë ndaj kreditimit të ekonomisë shqiptare. Realiteti ekonomik dhe financiar i vendit, lehtësimet e vazhdueshme të politikës monetare dhe operacionet tona të injektimit të likuiditetit, si dhe përshtatja e vazhdueshme e rregulloreve me kushtet e tregut, krijojnë premisa për një kreditim më të shpejtë në ekonomi.

Si i përbërë nga institucione financiare të licencuara për të lehtësuar lëvizjen e fondeve në ekonomi, sistemi bankar duhet të jetë më aktiv në kreditim, pasi rritja e qëndrueshme e vendit është parakusht për rritjen e qëndrueshme të vetë sistemit bankar.

***

Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se informacioni i ri i disponuar nuk i ndryshon projeksionet tona bazë mbi aktivitetin ekonomik. Ekonomia do të shënojë rritje graduale përgjatë tremujorëve, e mbështetur nga kërkesa e huaj dhe nga kërkesa e brendshme private. Hendeku i prodhimit do të mbetet negativ gjatë vitit 2014, por pritet të vijë duke u ngushtuar. Në këto kushte, ecuria e çmimeve do të vijojë të jetë e përmbajtur dhe inflacioni pritet t'i afrohet gradualisht objektivit. Gjithsesi, informacioni i ri përforcon gjykimin tonë për presione të ulëta inflacioniste në periudhën e ardhshme dhe e ruan balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e poshtëm.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e ulur atë në nivelin 2.50%. Ky lehtësim i mëtejshëm i kushteve monetare pritet të ndihmojë në një kthim më të shpejtë të inflacionit në nivelin 3% të synuar nga Banka e Shqipërisë.