BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 30 prill 2014

Data e publikimit: 30.04.2014

 

Sot, në datën 30prill 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%.

Në gjykimin e Këshillit, presionet inflacioniste në ekonomi janë dhe do të vazhdojnë të mbeten të ulëta. Në këto rrethana, politika monetare do të vazhdojë të ruajë kahun e saj stimulues edhe për periudhën në vijim, çka do të krijojë kushtet e duhura monetare për respektimin e objektivit tonë të inflacionit në periudhën afatmesme.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2014 janë përgjithësisht në linjë me vlerësimet tona të mëparshme mbi gjendjen e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar. Ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga dobësia e kërkesës agregate, e cila ndikon më tej thuajse të gjithë parametrat ekonomikë e financiarë të vendit. Kështu, në përgjigje të kërkesës së dobët agregate, rritja ekonomike mbetet e ulët dhe ekonomia shqiptare vazhdon të operojë nën potencialin e vet.

Kapacitetet e pashfrytëzuara të prodhimit, si në tregun e punës ashtu dhe në atë të kapitalit, reflektohen në rritje të ulët të punësimit e të kostove të prodhimit, duke u shoqëruar më tej me presione të dobëta inflacioniste. Në aspektin financiar, rritja e dobët ekonomike ushtron presion për rritje të deficitit buxhetor e të borxhit publik, si dhe krijon vështirësi financiare për bizneset. Këto vështirësi janë pasqyruar në rritjen e kredive me probleme në ekonomi dhe ndikojnë negativisht gatishmërinë e bankave për t'u angazhuar në kredidhënie.

Problemet e parashtruara më sipër kanë qenë dhe mbeten ende të pranishme në ekonominë shqiptare. Megjithatë, informacioni i ri përmban sinjale se viti 2014 mund të jetë një pikë kthese për aktivitetin ekonomik në vend. Treguesit e rritjes ekonomike, perceptimi i bizneseve dhe ecuria e tregjeve financiare, kanë shfaqur një përmirësim më të shpejtë se pritjet tona. Ky zhvillim, i kombinuar me përmirësimin e pritur të ambientit ekonomik botëror, me zbutjen e pasigurive dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend, me ndjekjen e politikave stimuluese makroekonomike si dhe me përshpejtimin e reformës strukturore, krijon kushte më të mira për një përmirësim gradual të ekonomisë gjatë tremujorëve në vijim.

Natyrisht që rreziqet ndaj këtij skenari janë dhe do të mbeten të pranishme. Në vazhdim do të ndalem më gjatë në përshkrimin e zhvillimeve të pritura dhe të rreziqeve që i shoqërojnë ato, duke u përpjekur të evidentoj njëkohësisht politikat që duhen ndjekur për shmangien e tyre.

Inflacioni mesatar vjetor shënoi 1.9% gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, duke u rritur  krahasuar me vlerën e regjistruar një tremujor më parë. Në muajin mars, norma e inflacionit vjetor shënoi 2.2%, duke u rikthyer brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ecuria e inflacionit gjatë tremujorit të parë u përcaktua në pjesën më të madhe nga çmimet e produkteve ushqimore të papërpunuara. Çmimet e grupeve të tjera të shportës rezultuan përgjithësisht të qëndrueshme dhe dhanë ndikim minimal në formimin e inflacionit vjetor.
 
Në rrafshin makroekonomik, inflacioni i ulët u përcaktua nga veprimi i njëkohshëm i presioneve të ulëta inflacioniste nga ekonomia e brendshme, i inflacionit të importuar në rënie, dhe i pritjeve të ankoruara për inflacionin. Ambienti i brendshëm ekonomik e monetar ka sjellë presione të ulëta mbi çmimet. Kërkesa e brishtë agregate ka ndikuar në ruajtjen e hendekut negativ të prodhimit, me gjithë rikuperimin e rritjes në tremujorin e katërt të vitit. Presionet nga tregu i punës rezultojnë të reduktuara, si pasojë e rritjes së normës së papunësisë gjatë vitit 2013 dhe e rritjes së moderuar të pagave. Këto zhvillime kanë sjellë një rritje të ulët të kostove të prodhimit dhe kanë kontrolluar marzhet e fitimit të bizneseve. Kërkesa e brendshme e dobët ka zvogëluar edhe hapësirat e bizneseve për të përcjellë rritjet e akcizave tek çmimet përfundimtare. Gjithashtu, inflacioni i importuar ka ardhur në rënie, si pasojë e inflacionit të ulët në partnerët tanë tregtarë dhe e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit. Së fundi, agjentët ekonomikë e financiarë shfaqin pritje të ankoruara inflacioniste, duke mos pasur shmangie të dukshme nga objektivi i Bankës së Shqipërisë apo nga sjellja mesatare historike.

Duke analizuar ecurinë ekonomike, të dhënat e raportuara nga Instat-i tregojnë se prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 1.1% gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, pas tkurrjes prej 2.5% në tremujorin e tretë të tij. Kjo rritje u përcaktua gjerësisht nga ecuria pozitive e kërkesës së brendshme private, ndërkohë që sektori publik dhe eksportet neto dhanë kontribut negativ. Në këndvështrimin sektorial, rritja ekonomike u gjenerua nga ecuria pozitive e sektorit prodhues, ndërkohë që sektori i shërbimeve shënoi rënie.

Kërkesa agregate vazhdon të ndikohet negativisht nga vështirësitë e partnerëve tanë kryesorë tregtarë, besimi i dobët i bizneseve dhe familjeve shqiptare, kushtet e shtrënguara të financimit. Megjithatë, në tremujorin e katërt, kërkesa e brendshme private vlerësohet të jetë rritur, pas tkurrjes së regjistruar një tremujor më parë. Treguesit e tërthortë tregojnë për një ecuri pozitive të investimeve private në tremujorin e katërt, ndërsa konsumi final i popullatës vlerësohet të ketë vijuar të jetë i dobët. Sikurse e kemi thënë dhe më parë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e këtyre dy komponentëve të kërkesës agregate do të diktojë ecurinë e ekonomisë në afatin e shkurtër e të mesëm. Në këtë kontekst, ne vlerësojmë se përmirësimi i pritur i kushteve të financimit, përmirësimi i bilanceve si pasojë e pagimit të detyrimeve të prapambetura fiskale dhe reduktimi i pasigurisë, do të ofrojnë stimujt e duhur për një ecuri më të mirë në tremujorët vijues. Gjithsesi, rikuperimi i konsumit dhe investimeve private do të kërkojnë në të njëjtën kohë një sjellje më kurajoze dhe një gatishmëri më të madhe për të marrë përsipër rrezik nga agjentët ekonomikë.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë sinjalizojnë një kontribut negativ të eksporteve neto gjatë tremujorit të fundit të vitit. Zgjerimi i deficitit të eksporteve neto erdhi si pasojë e rritjes së importeve në tremujorin e katërt. Në muajt janar e shkurt, deficiti tregtar shënoi një zgjerim vjetor prej 6.7%, si pasojë e rritjes së importit të mallrave dhe e moderimit të ritmit të rritjes së eksporteve. Aftësia e ekonomisë shqiptare për të ruajtur ritmet e qëndrueshme rritëse të eksporteve dhe për të diversifikuar bazën e mallrave të eksportuara, do të jetë një faktor parësor në sigurimin e rritjes ekonomike afatmesme dhe afatgjatë të vendit. Në afat të gjatë, rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, diversifikimi i burimeve të rritjes dhe integrimi në tregjet rajonale e botërore do të jenë parakushte për rritje të qëndrueshme ekonomike. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë mbështet ndjekjen me përparësi të reformave strukturore në sektorët eksportues apo ata që konkurrojnë importin.

Sjellja fiskale e tremujorit të parë u karakterizua nga tkurrja e deficitit buxhetor dhe e shpenzimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, deficiti buxhetor u zvogëlua me rreth 57% në nivel vjetor, duke reflektuar rritjen me rreth 8.2% të të ardhurave buxhetore dhe tkurrjen me rreth 2.4% të shpenzimeve publike. Ndonëse intensiteti i uljes është më i lartë se pritjet tona, ai është në përputhje me politikën korrektuese fiskale të synuar për tu ndjekur gjatë vitit 2014.

Konsolidimi fiskal pritet të jetë më i shpejtë në kahun e të ardhurave, i mbështetur nga një paketë e re fiskale dhe nga angazhimi për uljen e evazionit fiskal. Ndërkohë, shlyerja e detyrimeve të prapambetura pritet të përmirësojë situatën financiare të bizneseve, duke mbështetur rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Duke ruajtur konsistencën me mesazhet tona të mëparshme, ne mbështesim kahun korrektues të politikës fiskale dhe e gjykojmë këtë korrektim si një hap të domosdoshëm për të përmirësuar ekuilibrat makroekonomikë të vendit. Ndjekja e një politike fiskale korrektuese ka krijuar më shumë mundësi dhe hapësira për ndjekjen e një politike monetare stimuluese, në mbështetje të kërkesës agregate dhe të respektimit të objektivit tonë të inflacionit. Banka e Shqipërisë ka lëvizur me bindje në këtë drejtim.

Mbështetur në perspektivën e zhvillimeve të pritura ekonomike dhe duke synuar nxitjen e mëtejshme të kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë reduktoi me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit gjatë tremujorit të parë të vitit, duke e zbritur atë në nivelin 2.75%. Ky reduktim pasoi lehtësimet e mëparshme të politikës monetare në gjysmën e dytë të vitit 2013. Në interes të forcimit dhe transmetimit më të mirë të stimulit monetar, vendimet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë janë shoqëruar me injektime të vazhdueshme likuiditeti dhe me orientime publike mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen e afërt. Politika jonë monetare ka arritur të kontrollojë pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin dhe t'i mbajë ato të ankoruara pranë objektivit tonë. Gjithashtu, ajo ka zbutur primet e rrezikut të likuiditetit dhe të inflacionit në tregjet financiare, duke ndihmuar në reduktimin e normave të interesit në tregun ndërbankar, në tregun e letrave të borxhit të qeverisë, në tregun e depozitave dhe në atë të kredive në lekë. Megjithatë, përcjellja e saj në një aktivitet më të lartë kreditues mbetet jo e plotë. Interesat e kredisë në lekë faktorizojnë ende prime relativisht të larta rreziku dhe bankat vazhdojnë të mbeten mjaft konservatore në kreditim, duke shtrënguar standardet e aplikuara. Ky zhvillim reflekton kushtet financiare në Eurozonë, por edhe pasigurinë e perceptuar nga agjentët financiarë në tregun e brendshëm. Ai përbën një pengesë në mekanizmin tonë të transmetimit dhe ilustron nevojën për reduktimin e rrezikut dhe përmirësimin e klimës së biznesit në ekonomi.

Ky angazhim duhet të jetë objekt i punës së të gjithë agjentëve ekonomikë, publikë e privatë.

Krahas politikave konservatore, ecuria e kreditimit vazhdon të ndikohet edhe nga mungesa e kërkesës për fonde nga biznesi dhe konsumatori. Ecuria e dobët e kreditimit, dhe në veçanti e kredisë në valutë dhe e kredisë për biznese, është përkthyer në një tkurrje vjetore prej 2% të portofolit të kredisë në muajin shkurt.

Duke parë nga e ardhmja, projeksionet tona bazë sugjerojnë se, pas një performance të dobët në vitin 2013, ekonomia shqiptare do të lëvizë përgjatë një trajektoreje rritëse në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike pritet të jetë më e balancuar gjatë vitit 2014, duke gjetur mbështetje në kërkesën e brendshme dhe në atë të huaj. Përmirësimi i klimës së besimit do t'i mundësojë sektorit real që të përfitojë nga stimuli monetar, duke inkurajuar konsumin dhe investimet në vend. Gjithashtu, rikuperimi i qëndrueshëm i ekonomisë botërore do të mbështesë rritjen e eksporteve shqiptare, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit. Rritja ekonomike do të mbështetet nga ruajtja e kahut aktual stimulues të politikave ekonomike, si dhe do të përfitonte nga vazhdimi i reformave të duhura strukturore. Kjo trajektore do ta çojë ekonominë shqiptare afër potencialit të saj dhe do të krijojë kushte për respektimin e objektivit tonë të inflacionit në afat të mesëm.

Në afat të shkurtër, dobësia ciklike e kërkesës agregate pritet të mbajë ekonominë nën nivelin e saj potencial dhe do të shoqërohet me presione të ulëta inflacioniste. Me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni pritet të luhatet brenda intervalit 0.5%-3.9% pas katër tremujorëve.

***


Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%. Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar dhe parashikimet tona për të ardhmen, duke vlerësuar forcën vepruese të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe konsiderata të tjera të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë vlerëson se politika monetare do të mbetet në kah dhe parametra stimulues gjatë periudhës afatmesme.