BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 31 tetor 2012

Data e publikimit: 31.10.2012

 

Sot, në datën 31 tetor 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.0%. Ky vendim reflekton opinionin e Këshillit Mbikëqyrës se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë në afat të mesëm. Nëpërmjet ruajtjes së normës bazë të interesit në nivelet minimale historike, ai siguron gjithashtu një stimul monetar të përshtatshëm për nxitjen e kërkesës së brendshme dhe për mbështetjen e rritjes ekonomike në vend.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Si pasojë e situatës së vështirë në ekonominë botërore, dhe veçanërisht në Eurozonë, ekonomia shqiptare është përballur me një ambient botëror sfidues gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2012. Goditjet e ofertës, me origjinë të brendshme e të huaj, kanë përcaktuar profilin e rritjes ekonomike dhe kanë vazhduar të testojnë themelet makroekonomike dhe financiare të vendit. Gjatë kësaj periudhe, ekonomia shqiptare është përballur me një rritje të ngadaltë të kërkesës së huaj, me rritjen e primeve të rrezikut në tregjet financiare dhe me tendenca të uljes së ekspozimit ndaj ekonomisë shqiptare të disa agjentëve të tregut financiar. Këto zhvillime janë reflektuar gjithashtu në nivele të ulëta konsumi dhe investimesh në vend. Së bashku me reduktimin e stimulit fiskal përgjatë vitit 2012, ato kanë rezultuar në një kërkesë të zbehtë agregate dhe në një rritje të ulët ekonomike gjatë tre tremujorëve të parë të vitit.

Pavarësisht ndikimit negativ në ritmet e rritjes ekonomike, stabiliteti financiar dhe makroekonomik i vendit rezultoi i qëndrueshëm. Ndonëse në prani të luhatjeve të kërkesës dhe të problemeve të ofertës, niveli i inflacionit në vend rezultoi i ulët dhe nën kontroll, duke reflektuar ndër të tjera edhe ankorimin e mirë të pritjeve të publikut rreth objektivit tonë prej 3%. Qëndrueshmëria e ekuilibrave fiskalë, përmirësimi i pozicionit të jashtëm të vendit, si dhe bilancet e shëndosha të sektorit real dhe financiar të ekonomisë, kanë forcuar më tej stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit gjatë kësaj periudhe.

Shifra vjetore e inflacionit në këtë tremujor u formua më së shumti nga kontributi i shtuar i çmimeve të ushqimeve të papërpunuara dhe të mallrave të konsumit joushqimor. Nga ana tjetër, zhvillimet në çmimet e kategorive të tjera të shportës janë shfaqur të qëndrueshme dhe me luhatshmëri të vogël. Analiza ekonomike dhe monetare konfirmon praninë e presioneve të dobëta inflacioniste nga ana e kërkesës. Zhvillimet në sektorin real të ekonomisë kanë kushtëzuar rritjen e kontrolluar të çmimeve të prodhimit brenda vendit. Këto tendenca reflektohen në prirjen rënëse të inflacionit bazë dhe në inflacionin e ulët të kategorisë së mallrave të patregtueshme të shportës së konsumit.

Gjithashtu, ecuria e çmimeve të konsumit vijon të reflektojë presionet e ulëta nga ana e elementëve të tjerë të kostove. Në veçanti, çmimet e huaja kanë qenë të ulëta dhe, në prani të qëndrueshmërisë relative të kursit të këmbimit, kanë përcjellë presione të ulëta të inflacionit të importuar.

Pas tkurrjes ekonomike në tremujorin e parë, ekonomia shqiptare ka regjistruar një rritje vjetore prej 2.0% në tremujorin e dytë. Rritja e aktivitetit ekonomik është gjeneruar nga sektorët e bujqësisë, të industrisë dhe nga disa degë të sektorit të shërbimeve, ndërkohë që sektori i ndërtimit shënoi një rënie të fortë.

Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike e tremujorit të dytë u mbështet më së shumti nga kërkesa e huaj, ndërsa kërkesa e brendshme vlerësohet të ketë mbetur e zbehtë. Shpenzimet konsumatore, ndonëse më të larta se në tremujorin e parë, nuk i janë rikthyer normave të rritjes së vitit të kaluar. Ecuria e këtij komponenti të kërkesës së brendshme vijon të ndikohet nga pasiguria e perceptuar, nga mungesa e dinamizmit në tregun e punës dhe, së fundi, edhe nga ngadalësimi i treguesit të të ardhurave të disponueshme. Të përballur me një kërkesë të ulët finale për produktet e tyre, si dhe prani të kapaciteteve të pashfrytëzuara dhe të kushteve relativisht të shtrënguara të kreditimit, edhe investimet private kanë mbetur të ulëta.

Në veçanti, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, niveli i ulët i investimeve private ka pasqyruar edhe kërkesën e ulët të familjeve për banesa rezidenciale.

Shpenzimet publike dhe stimuli fiskal ka qenë gjithashtu i dobët, në reflektim të natyrës konsoliduese të politikës fiskale dhe të respektimit të kufizimeve fiskale të përcaktuara në ligj. Procesi i konsolidimit fiskal, i bazuar më së shumti në reduktimin e shpenzimeve, ilustrohet nëpërmjet prirjes rënëse të ndjekur nga deficiti buxhetor përgjatë gjithë kësaj periudhe. Deficiti buxhetor rezultoi rreth 25.7 miliardë lekë gjatë nëntë muajve të parë të vitit, duke u ngushtuar me rreth 19% në terma vjetorë. Deri në muajin shtator, shpenzimet e realizuara janë rreth 0.2% më të ulëta se një vit më parë, ndërkohë që të ardhurat buxhetore janë rritur me 2.3%.

Të dhënat mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të pozicionit të jashtëm të vendit. Eksportet në vlerë kanë shënuar një rritje vjetore prej 6.7% gjatë tetë muajve të parë, në reflektim të moderimit të kërkesës së huaj dhe ecurisë së çmimeve në tregjet botërore. Po për këtë periudhë, importet janë tkurrur me 0.9% në terma vjetorë. Këto zhvillime kanë rezultuar në ngushtimin vjetor me 5.4% të deficitit tregtar deri në muajin gusht, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e kërkesës agregate. Gjithashtu, rënia e fortë e deficitit të llogarisë korrente gjatë tremujorit të dytë, është një sinjal pozitiv për qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij treguesi dhe ndihmon në stabilizimin e kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm.

Edhe zhvillimet në sektorin monetar konfirmojnë presione të ulëta inflacioniste në ekonomi. Ekspansioni i mjeteve monetare ka shfaqur shenja ngadalësimi gjatë tremujorit të tretë, në reflektim të reduktimit të kërkesës së brendshme për para.

Sjellja e kujdesshme e sektorit publik ka diktuar një kërkesë të ulët për mjete monetare, veçanërisht nga sistemi bankar. Nga ana tjetër, ecuria e ngadaltë e aktivitetit ekonomik dhe ekzistenca e kapaciteteve të lira duket të kenë kufizuar kërkesën për mjete monetare të agjentëve privatë të ekonomisë. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 5% në muajin gusht, duke ndjekur trajektoren ngadalësuese të nisur që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011. Ecuria e muajve të fundit tregon se bankat janë më aktive në ndërmjetësimin në monedhën vendase ndërkohë që ato kanë ulur ndërmjetësimin në monedhë të huaj. Ky zhvillim është diktuar si nga gatishmëria e bankave për të investuar fondet në lekë ashtu edhe nga ndërgjegjësimi në rritje i agjentëve ekonomikë për rreziqet që mbart kreditimi në valutë.

Duke u ndalur te problemet e kreditimit, duhet theksuar se ecuria e dobët e kredisë i dedikohet në masën më të madhe kërkesës së ulët të agjentëve ekonomikë për mjete monetare. Megjithatë, edhe oferta e kredisë bankare paraqitet disi e shtrënguar.

Sistemi bankar vijon të jetë i kujdesshëm në përzgjedhjen e projekteve që financon, si pasojë e rënies së cilësisë së portofolit të kredisë dhe e pasigurive të perceptuara për të ardhmen. Bankat kanë vazhduar të mbajnë kritere të shtrënguara kredidhënieje, duke u shfaqur mjaft përzgjedhëse në vlerësimin e planeve të biznesit dhe në përmbushjen e kërkesave për kredi. Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se krijimi i një klime më pozitive do të ndihmonte në gjallërimin e kërkesës për kredi dhe të aktivitetit kreditues. Sistemi bankar i vendit mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë me kredi. Megjithatë, brenda parametrave të kujdesit financiar, ai duhet të jetë më largpamës në vendimet e veta dhe më fleksibël në mbështetjen financiare të biznesit shqiptar.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga prirje rënëse të normave të interesit gjatë tremujorit të tretë, të shoqëruara nga presione të ulëta likuiditeti dhe në reflektim të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

Rritja e aktivitetit në tregun ndërbankar sugjeron një rritje të eficiencës së përdorimit të këtij tregu dhe është një premisë e mirë për zhvillimin e gjithë tregut monetar në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, janë përcjellë më mirë sinjalet lehtësuese të politikës monetare në drejtim të uljes së yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë. Kjo përcjellje është favorizuar nga përfundimi i lëvizjeve strukturore në sistemin bankar dhe nga rënia e kërkesës të qeverisë për financim. Normat e interesit të depozitave kanë vijuar gjithashtu të ulen, por, sikurse reflektohet në nivelin e lartë të rritjes së depozitave këtë tremujor, ato nuk kanë frenuar rritjen e kursimeve financiare pranë sistemit bankar. Lehtësimi i kostove të financimit nuk ka gjetur përçim të plotë në segmentin e kredive për sektorin privat gjatë muajve korrik-gusht. Në veçanti, kostot shtesë që bankat kërkojnë për akordimin e kredisë së re mbeten ende të shtrënguara, në përgjigje të pasigurisë së perceptuar dhe mekanizmit reagues të tyre për reduktimin e rrezikut në procesin kredidhënës.

Në prani të një panorame ekonomike të karakterizuar nga ecuria e ngadaltë, aktuale dhe e pritur, e inflacionit dhe e kërkesës agregate, politika monetare thelloi natyrën e saj stimuluese në tremujorin e tretë. Në fund të muajit korrik, norma bazë u reduktua me 0.25 pikë përqindje, duke zbritur në nivelin minimal historik prej 4.0%. Kjo ishte ulja e pestë radhazi e normës bazë, që prej muajit shtator 2011. Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të furnizojë sistemin bankar me likuiditetin e kërkuar, nëpërmjet operacioneve të saj të injektimit të likuiditetit me afate të ndryshme.

***

Zhvillimet e pritura në të ardhmen sugjerojnë se presionet inflacioniste mbeten të ulëta. Analizat dhe projeksionet tona arrijnë në përfundimin se aktiviteti ekonomik do të vijojë të mbetet nën potencial, duke ushtruar presione në kahun rënës mbi inflacion. Në të njëjtën kohë, edhe presionet e prodhuara nga faktorët e ofertës paraqiten të përmbajtur.

Bazuar në ecurinë e deritanishme të faktorëve përcaktues të inflacionit dhe projeksionet për ecurinë e tyre në të ardhmen, me një probabilitet prej 90%, inflacioni pritet të luhatet në intervalin 1.2% – 3.4% pas 12 muajsh. Zhvillimet e pritura ekonomike dhe në inflacion nënkuptojnë ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare edhe gjatë periudhës së ardhshme. Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme dhe informacionit të ri, e gatshme për të reaguar në masën dhe kohën e duhur në funksion të përmbushjes së misionit të saj ligjor.