BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në Konferencën e 6-të Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë - "Tregu financiar rajonal dhe stabiliteti financiar", Hotel "Sheraton", Tiranë, 30-31 tetor 2006

Data e publikimit: 30.10.2006

 

Të nderuar Guvernatorë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,


Kur menduam për temën e kësaj konference vjetore, nuk kishte dyshime lidhur me nevojën për të trajtuar çështje të stabilitetit financiar dhe bashkëpunimit në nivel rajonal. Momenti duket i përshtatshëm, për shkak të zhvillimeve në tregjet financiare kombëtare dhe zhvillimi ekonomik, si dhe për shpejtësinë me të cilën rajoni po përparon drejt pranimit të standardeve më të mira ndërkombëtare në drejtim të qeverisjes më të mirë, hapjes së tregut dhe integrimit, përmirësimeve teknologjike dhe bashkëpunimit shumërajonal.

Në fjalimin e ditës së sotme do të trajtoj ngjashmëritë dhe ndryshimet, por edhe pasiguritë dhe rreziqet që hasin tregjet tona financiare në rrugën e tyre drejt modernizimit dhe integrimit në tregjet financiare globale, si dhe do të përpiqem të trajtoj rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal në përballimin sa më mirë të sfidave. Në përfundim, do të jap disa mendime rreth bashkëpunimit rajonal praktik, të cilin po e ndaj me ju sot, duke shpresuar se këto do të çojnë drejt diskutimeve të mëtejshme.

Në nivel rajonal, ditët e sotme vendet tona po përballen me një normë më të lartë rritjeje të tregjeve financiare, krahasuar me atë të rritjes ekonomike. Si pasojë, pesha e sektorit financiar në ekonomitë kombëtare, nga pikëpamja sasiore, po vjen duke u rritur. Njëkohësisht, ky zgjerim shoqërohet me ndryshime në aftësinë e tregut për të akomoduar më mirë nevojat e pjesëmarrësve të tij për fonde, diversifikim dhe nivel të pranueshëm rreziku. Pa dyshim, pjesëmarrësit institucionalë në tregjet financiare e gjejnë veten me një numër të madh mundësish për zhvillimet e biznesit dhe specializimin financiar.

Krahas sa më sipër, interesi i publikut të gjerë në përdorimin e produkteve dhe shërbimeve të tregjeve financiare është rritur në mënyrë mbresëlënëse, mbështetur në përfitimin që pritet nga përmirësimi i efikasitetit në veprimtaritë e përditshme. Nga pikëpamja cilësore, këto zhvillime nxjerrin në pah rëndësinë e tregjeve financiare në mirëqenien tonë ekonomike. Le të kujtojmë gjithashtu që përmirësimet ekonomike nxisin dhe mbështesin ndryshime sociale dhe aspekte kulturore të jetës sonë, duke i afruar kombet tona me vlerat dhe parimet ndërkombëtare dhe me njëri-tjetrin.

Siç pritet, për shkak të sfondit historik, vendet tona ndryshojnë për sa i përket shpejtësisë dhe intensitetit gjatë kalimit në fazën e tranzicionit në dekadën e fundit. Ndërkohë që ne kishim shumë ngjashmëri në adoptimin e reformave të para bazë dhe urgjente, përfshirë liberalizimin e çmimeve, ristrukturimin e ndërmarrjeve dhe privatizimin në disa fusha ekonomike; ne dallonim më tepër në përmbushjen e reformave të tjera që do të lejonin kapacitete ndërtuese institucionale, të cilat nga ana tjetër, do t'i bënin këto ndryshime të rrënjoseshin thellë në shoqëritë tona.

Sot, vendet tona gëzojnë mjedise makroekonomike të stabilizuara. Ne kemi nivele të ulëta inflacioni, kurse këmbimi të qëndrueshme, një politikë fiskale më të përgjegjshme e më të matur, shoqëruar me deficite buxhetore të administrueshme dhe të kufizuara. Bankat Qendrore Kombëtare kanë krijuar pavarësinë e tyre dhe perceptohen në publik si autoritete të besueshme dhe të respektueshme. Ka gjithashtu përpjekje të përbashkëta për të hapur plotësisht ekonomitë tona dhe për të tërhequr kapitalin e huaj. Meqenëse jemi në procesin e hapjes së plotë të tregjeve, ne po përfitojmë nga rritja e konkurrencës, përmirësimi i produktivitetit dhe eficiencës dhe po rrisim cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë.

Por ne po hasim gjithashtu edhe disa pasiguri dhe rreziqe. Tregjet mbeten të segmentuara dhe infrastruktura e tyre ka vështirësi në mbështetjen e zhvillimeve të reja dhe të detyrueshme. Mangësitë në infrastrukturën e tregut e rëndojnë situatën dhe vështirësojnë veprimet e pjesëmarrësve të ndryshëm të tij në arritjen e objektivave të biznesit të tyre dhe në administrimin e rreziqeve të tyre. Përmirësimet teknologjike duhet të shfaqin plotësisht efektin e tyre në uljen e kostove të shërbimeve financiare në mënyrë të konsiderueshme. Boshllëqet rregullatore në fusha të ndryshme të tregjeve financiare lokale, krijojnë kushte për arbitrazh rregullator dhe mund të ndikojnë për keq punën e mbikëqyrjes.

Rrjedhimisht, vendimet e gabuara dhe të kushtueshme janë të pashmangshme. Situata financiare e pjesëmarrësve të një tregu të vetëm, për shkak të segmentimit të tij, ndikohet së tepërmi nga aftësia e tyre për të gjetur mbështetje financiare në tregjet financiare ndërkombëtare. Në realitet, kjo çon në një hendek në rritje ndërmjet të ashtuquajturave institucione të mëdha financiare vendase dhe atyre të huaja. Zhvillimi i ekonomisë reale është një burim shtesë rreziku për tregjet financiare.

Një ndërveprim i tillë duhet të mbikëqyret me kujdes për të kuptuar më mirë tendencën e tregjeve financiare në të ardhmen dhe për të identifikuar çekuilibrat financiarë në vend dhe në nivel rajonal. Në të vërtetë, ne po hasim një "bum" në ndërtim, ku çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm. Në disa vende, kjo nxitet nga zgjerimi i kredisë, por në të gjithë rajonin, ka pikëpamje të ndryshme lidhur me faktin nëse kjo gjë është e përballueshme. Në të njëjtën kohë, ritmi i zgjerimit të kredisë, veçanërisht për konsum dhe në valutë, është alarmues dhe na detyron ne të mendojmë për disa skenarë lidhur me pyetjen "çfarë ndodh nëse", dhe të ndërmarrim veprime parandaluese.

Është detyra jonë si autoritete monetare dhe mbikëqyrëse, të sigurojmë një mjedis të duhur, për një zhvillim të qëndrueshëm e të balancuar të tregjeve financiare. Kjo nuk është një punë e lehtë, veçanërisht kur nuk ka tregues të thjeshtë për të matur suksesin tonë në arritjen e stabilitetit financiar, dhe kur e kuptojmë se kjo është një çështje me shumë aspekte, të cilën ne nuk mund ta kontrollojmë dhe as ta parashikojmë plotësisht. Mbi gjithçka, ndjekja e objektivit për stabilitet financiar është një garë që nuk mbaron kurrë, ku "vija e përfundimit " vazhdon të lëvizë para nesh.

Ne duhet të gjejmë dhe të zbatojmë politikat e duhura, pasi këto politika përfaqësojnë një kompensim ndërmjet bërjes së sistemit më elastik nga njëra anë dhe ndikimit në eficiencën e tij afatshkurtër, nga ana tjetër. Në këtë sfidë, ne duhet të sjellim në industrinë e tregut financiar, një mbikëqyrje të orientuar drejt rrezikut, nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm dhe nxitjes së pranimit të standardeve ndërkombëtare për një qeverisje të mirë.

Bazuar në përgjegjësitë tona ligjore, ne duhet t'iu drejtohemi këtyre sfidave në nivel kombëtar. Por, për shkak të rritjes së liberalizimit të punës dhe të lëvizjes së kapitalit, dhe sjelljes së pjesëmarrësve të tregut financiar, e kuptojmë se kjo nuk është e mjaftueshme. Në vendet tona sot kemi të njëjtat institucione financiare dhe të njëjtën sjellje të këtyre institucioneve, në përgjigje të një politike të centralizuar për zhvillimin e biznesit, duke rritur kështu bashkëveprimet jashtë vendit, ndërmjet bizneseve dhe familjarëve dhe duke krijuar tendenca të ngjashme në jetën sociale.

Autoritetet monetare dhe mbikëqyrëse të vendeve të ndryshme të rajonit, në një masë të konsiderueshme, i janë përgjigjur zhvillimeve të tilla, duke krijuar bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse të vendit-mëmë, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes së sistemit bankar, nëpërmjet firmosjes së memorandumeve të mirëkuptimit dypalëshe. Fakti që vendet tona janë në prag të Bashkimit Evropian, ka shkaktuar një prani në rritje të institucioneve financiare, përfshirë edhe bankat.

Kështu, janë firmosur memorandume mirëkuptimi me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të BE-së. Cilësia e bashkëpunimit ndryshon në vende të ndryshme, por mund të thuhet me bindje se gatishmëria e vendeve pritëse për të bashkëpunuar, jo gjithmonë ka pasur të njëjtin interes nga homologët tanë. Kjo pritet deri-diku, sepse aktivet e bankave të tyre në vendet tona ndonjëherë përfaqësojnë vetëm një pjesë të aktiveve totale të tyre. Megjithatë, ato duhet të marrin parasysh preokupimin tonë, se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për ne, veçanërisht kur këto banka të huaja dominojnë tregjet tona lokale.

Liberalizimi i tregjeve financiare në Shqipëri ka qenë një lëvizje e dëshirueshme. Ne e konsiderojmë hyrjen e kapitalit të huaj një faktor të rëndësishëm për të rritur nivelin e sistemit bankar, për të përmirësuar eficiencën dhe cilësinë e produkteve të tij, duke përmirësuar kushtet e konkurrencës në treg. Në shumicën e rasteve, bankat e huaja kanë sjellë ekspertizën dhe mendësinë e zhvillimit modern të biznesit, të vendeve më të zhvilluara prej nga ato vijnë.
Siç përmendi edhe z. Bini Smaghi në fjalimin e tij, rritja e pranisë së huaj në tregjet tona financiare gjithashtu ka çuar në ide të reja në institucionet tona financiare dhe veçanërisht bankat synojnë të përshtatin vëllimin dhe madhësinë e punës së tyre për një pozicionim më të mirë në treg. Por, lidhur me këtë, do të dëshironim të përdorej një metodë më aktive dhe më konsekuente, për të krijuar politika aktive për zhvillimin e biznesit dhe për të sjellë cilësi të mirë dhe administrim me eksperiencë në zbatimin e këtyre politikave.

Është e domosdoshme që autoritetet tona mbikëqyrëse të informohen për politikën e grupeve të ndryshme të rëndësishme financiare apo bankare që operojnë në gjithë rajonin. Bashkëpunimi vend pritës me vend pritës mund të ndihmojë në këtë drejtim, pasi disa prej nesh kanë lidhje më të mira komunikimi me autoritetin mbikëqyrës të vendit-mëmë dhe ata mund ta ndajnë këtë informacion me autoritetet e tjera mbikëqyrëse në rajon, duke iu përmbajtur etikës dhe parimeve të transparencës. Në praktikë, kjo mund të shfaqet si një metodë shumë e vlefshme, sepse bankat e huaja rajonale tentojnë të adoptojnë politika të njëjta në vende me karakteristika të ngjashme.

Një fushë tjetër ku ne mund të krijojmë një bashkëpunim të ngushtë është diskutimi i masave të caktuara që adopton secili prej nesh për kontrollin e rreziqeve të shfaqura nga tendenca në zhvillimet e bizneseve financiare. Në këtë mënyrë, ne do të jemi në gjendje të adoptojmë politika të ngjashme mbikëqyrëse, duke pakësuar kështu mundësitë e dëmshme për arbitrazh rregullator dhe rreziqet e tjera që i shoqërojnë.

Mungesa e efektivitetit të masave direkte për të kontrolluar rritjen e kredisë përbën një implikim të heterogjenitetit të mbikëqyrjes në vendet e rajonit. Për rrjedhojë, gjetja e rrugëve dhe lëvizja drejt homogjenitetit në lidhje me këtë gjë, do të jetë e rëndësishme për të kompensuar humbjen e efektivitetit të politikës monetare dhe presionet e mundshme të kërkesës.

Ka edhe disa ide të tjera që theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në afrimin e rajonit tonë drejt përmbushjes së synimit për integrim në BE. Duke krijuar dhe ndjekur politika zhvillimi të tregut financiar, ne ndihmojmë në integrimin e tregjeve tona financiare në tregjet ndërkombëtare financiare, dhe shtrojmë rrugën që duhet ndjekur për reforma ekonomike e sociale.

Mënyrat e këtij bashkëpunimi ndryshojnë. Një mënyrë e përafrimit të objektivit për një bashkëpunim më të fuqishëm mund të jenë takime periodike të posaçme të Guvernatorëve në rajon, shoqëruar nga takime më të shpeshta në nivel teknik në mbështetje të axhendës së diskutimeve. Krahas kësaj, nëpërmjet një komunikimi të vazhdueshëm, ne mund të përpiqemi të identifikojmë çështje të veçanta, të cilat janë të rëndësishme për tregjet tona rajonale financiare, dhe t'i sjellim këto çështje tek homologët tanë, qofshin këto autoritete të përbashkëta të vendit-mëmë, autoritete të tjera mbikëqyrëse tek të cilat drejtohemi për ndihmesë ose edhe organizata profesionale, ku marrin pjesë autoritetet tona mbikëqyrëse. Jam i sigurt se shqetësimi ynë mund të merret më seriozisht në qoftë se do të ngrihet si rajon. Për më tej, ne duhet të përfitojmë nga eficienca që sigurohet nëpërmjet teknologjisë në ndarjen e informacionit tonë.

Mund të krijohet një faqe interneti e përbashkët, ku të mund të gjejmë informacion të rëndësishëm, interpretime apo të ndajmë përvojën rreth çështjeve mbikëqyrëse ose çështjeve të stabilitetit financiar. Duke përmendur këto mënyra komunikimi, unë nuk po përpiqem të neglizhoj atë që aktualisht po ndodh dhe kam parasysh faktin se ka një kundërti ndërmjet avantazheve dhe kostove të këtij bashkëpunimi.

Duhet gjithashtu të theksojmë se memorandumet e mirëkuptimit nuk mund të zëvendësojnë bashkëpunimin në praktikë. Është e rëndësishme që të mbajmë kontakte të afërta me homologët tanë, për shkëmbimin e rregullt të informacionit lidhur me tendencat e përgjithshme dhe çështje të sistemeve përkatëse bankare në kohë normale, pasi kjo shërben për të krijuar besimin për bashkëpunim të ardhshëm, veçanërisht gjatë kohëve me trazira. Në të kundërt, marrëveshje të tilla bashkëpunimi do të ndikojnë pak në krijimin e një ndryshimi të vërtetë.

Më lejoni të përfundoj duke thënë se, objektivi i arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit financiar nuk është një detyrë e lehtë, por ne mund të kontribuojmë shumë në arritjen e tij, duke forcuar përpjekjet për t'u siguruar se institucionet e tregjeve financiare të kenë një ecuri të shëndetshme në një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik. Kontributi ynë mund të jetë shumë më i efektshëm në qoftë se bashkëpunohet siç duhet në shkallë rajoni.

Ky bashkëpunim do të lehtësojë përpjekjet tona në arritjen e aftësive të mbikëqyrjes, do të shmangë arbitrazhin rregullator jashtë vendit dhe do t'i shërbejë përpjekjeve për të realizuar objektivin e integrimit në tregjet financiare evropiane. Ne mund të pasurojmë mënyrat e këtij bashkëpunimi, duke mos harruar faktin se baza e bashkëpunimit të mirë është krijuar në kohë normale, nëpërmjet kontakteve të rregullta.


Faleminderit.