BANKA E SHQIPËRISË
KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën e përbashkët për shtyp të misionit të FMN-së me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë, 11 nëntor 2008
Data e publikimit: 11.11.2008
Vizita e rradhës e misionit të Departamentit Evropian EU1 të FMN-së, kryhet në kuadër të rishikimit të fundit të Marrëveshjes aktuale 3- vjeçare PRGF - EFF, të nënshkruar mes autoriteteve shqiptare dhe Bordit të Drejtorëve të FMN-së.
Ky rishikim përkon me një moment delikat, kur ekonomia botërore po përballet me një korrektim global të tregjeve, të një lloji dhe intensiteti të panjohur më parë, ende me shumë pikëpyetje dhe paqartësi, për të ardhmen e afërt dhe atë të largët.
Megjithatë, duhet thënë se ekonomia shqiptare ka shfaqur një imunitet të admirueshëm. Një kontribut të rëndësishëm, në këtë drejtim, ka dhënë dhe puna e kujdesshme sistematike e Bankës së Shqipërisë, si në drejtim të ekuilibrit makroekonomik të vendit ashtu edhe në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit bankar.
Gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka qenë një aktor aktiv në të dyja drejtimet, duke analizuar me kujdes të gjithë faktorët e rrezikut si dhe duke marrë masa të ndryshme, për të minimizuar materializimin e tyre në praktikë. Në veprimtarinë tonë, jemi udhëhequr nga filozofia se autoriteti në treg nuk krijohet nëpërmjet përdorimit mekanik të një grupi instrumentesh, por nëpërmjet perceptimit dhe besimit që tregu ka mbi politikat e ndërmarra prej autoriteteve.
Politika konservatore, me rritjen e përqindjes të interesit e shtrirë gjatë një periudhe 18 - mujore, është zbatimi konkret i kësaj filozofie. Po kështu, paketa ligjore e ajo rregullative janë përshtatur gjatë kësaj periudhe, me qëllim përmirësimin e tyre të vazhdueshëm.
Në qendër të të gjithë këtij procesi masash dhe vendimesh kanë qenë, eficienca dhe stabiliteti i sistemit financiar.
Veçanërisht të rëndësishme konsiderohen ndryshimet e fundit rregullative, të cilat i dhënë një dimension të ri biznesit bankar në raportet me klientelën, kreditimin në valutë, investimet në bankat mëma dhe kontrollin e brendshëm. Banka e Shqipërisë do të vlerësojë në vazhdimësi kuadrin ekzistues rregullativ, me synimin për përshtatjen e mëtejshme për të adresuar rreziqet aktuale dhe ato potenciale.
Mendoj se të gjitha aksionet tona në të kaluarën e afërt, rezultojnë të kenë qenë një lloj terapie intensive, e cila ka mundësuar rritjen e imunitetit të sistemit bankar.
Duke iu rikthyer situatës ekonomike financiare të vendit, dëshiroj të bëj me dije se për periudhën aktuale deri në fund të vitit 2008, Banka e Shqipërisë ndan të njëjtin opinionin me institucionet e tjera prezente në këtë tavolinë. Ne vlerësojmë se prodhimi i përgjithshëm gjatë vitit korent do të rritet me 6 për qind. Ndërkohë, sipas parashikimeve tona, inflacioni 12-mujor në fund të vitit do të jetë rreth vlerës 3 për qind, shumë afër objektivit tonë numerik.
Të gjithë treguesit e tjerë makroekonomikë manifestojnë një qëndrueshmëri relative, të përafërt me vlerat e programuara.
Megjithatë, vëmendja e opinionit publik në këtë moment është e përqendruar drejt së ardhmes.
Në këtë këndvështrim, viti 2009 paraqet një tablo më komplekse, me sfida të shumta jo vetëm për sektorin e ekonomisë reale por edhe për politikën monetare, atë fiskale, sektorin e jashtëm të ekonomisë si dhe sistemin financiar të vendit.
Në planin ndërkombëtar, ekonomitë partnere janë pranë ose kanë ndjerë tashmë recesionin e aktivitetit ekonomik. Tkurrja e aktivitetit të një ekonomie, ndërmjet të tjerash, ndikon negativisht edhe "eksportin e tepricave" të saj në mallra, kapital dhe investime në vendet partnere. Në këtë, kuptim, ngadalësimi i mundshëm i të hyrave valutore mund të jetë një zhvillim i ardhshëm. Gjithsesi, mbetet ende i paqartë intensiteti me të cilin mund të shfaqet ky fenomen.
Një zhvillim tjetër që vazhdon të jetë i pranishëm në muajt e fundit është frenimi i rritjes së çmimeve të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore. Për më tepër, ka filluar një proces i korrigjimit të shpejtë të këtyre çmimeve nga ana e kërkesës. Rënia e mëtejshme e çmimeve mund të ndikojë në rënie, në të dy krahët e tregtisë së jashtme. Por, duke qenë se diferenca midis importeve dhe eksporteve është me disa herë, sigurisht që efekti neto mund të jetë një zbutje e deficitit tregtar. Megjithatë, duhet theksuar se rënia e çmimeve mund të ndikojë indirekt edhe në ecurinë e të ardhurave fiskale, përderisa vlera mbi të cilën aplikohen tarifat fiskale, do të jetë më e ulët.
Në planin e brendshëm, vlerësohet se do të ballafaqohemi me tkurrje të aktivitetit të kreditimit si dhe të linjave të kredisë, që bankat mëmë iu akordojnë bankave bija. Bazuar në argumentet e mësipërme, Banka e Shqipërisë, vlerëson se është rritur mundësia që të materializohet një ngadalësim i aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009.
Një element thelbësor që siguron rritje dhe zhvillim të ekuilibruar është harmonizimi i të dyja politikave bazë në ekonomi. Në këtë kuptim, ne po analizojmë projektin e ri që ka përgatitur qeveria për vitin 2009. Ne mbetemi konstantë në idenë se harmonizimi i të dyja politikave bazë, duhet të jetë prioritet maksimal edhe në të ardhmen. Për këtë qëllim, ne do të kërkonim që në paketën fiskale të vitit 2009, të përfshihet një rregull fiskal për perfomancën e politikës fiskale. Ky rregull duhet të jetë sasior, i monitorueshëm në rrjedhën e kohës, i shtrirë për gjithë periudhën e mandatit politik, me prirje të qartë drejt kritereve sasiore të Mastrihtit.
Rreziqe të tjera të mundshme mund të jenë ato që kanë të bëjnë me situatën hidroenergjitike, me rritje të mundshme të çmimit të energjisë apo dhe me ecurinë e prodhimit bujqësor vendas.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të politikës monetare, vlerëson se ekziston një balancë në faktorët e rrezikut që ndikojnë ecurinë e çmimeve të konsumit.
Pritshmëritë për inflacionin, për momentin janë të ankoruara rreth objektivit tonë. Për këtë arsye, parashikohet që inflacioni të vazhdojë të luhatet në vlerat aktuale, përgjatë vitit 2009 dhe atij 2010. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të marrë të gjitha masat e duhura që do të mundësojnë mbajtjen e inflacionit brenda objektivit tonë, 3 për qind.
Në drejtim të stabilitetit financiar, dëshiroj të sqaroj edhe një herë, se sistemi bankar vazhdon të operojë në parametra optimalë, që njohin standardet e mbikëqyrjes së kujdesshme bankare.
Analizat e fundit tregojnë se sistemi bankar, ka përballuar në mënyrë të kënaqshme "efektin domino" të tregut ndërkombëtar financiar. Ne si Bankë e Shqipërisë, kemi furnizuar tregun me likuiditet të mjaftueshëm për të shmangur çdo situatë të padëshiruar në sistem. Ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë, në përputhje me nevojat dhe specifikat që do të ketë tregu, në momente të ndryshme kohe.
Përfitoj nga ky rast t'í drejtoj një apel sistemit bankar, si atij vendas ashtu dhe bankave mëma, që të analizojnë me kujdes ekonominë shqiptare për t'i dhënë asaj shanset reale nëpërmjet mbështetjes me kredi bankare. Kredia bankare ka qenë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit e për rrjedhim, mendoj se ajo duhet të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe zhvillimit të tregut të parasë. Instrumenti i ri i transaksioneve të marrëveshjeve të riblerjes duhet të vihet në zbatim sa më shpejt. Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe sistemi bankar, duhet të mobilizojnë të gjitha burimet dhe ekspertizën e tyre, për ta bërë këtë treg sa më likuid dhe sa më të qëndrueshëm. Për këtë qëllim, ju garantoj se asistenca dhe angazhimi i Bankës së Shqipërisë nuk do të mungojnë për asnjë moment.
Biznesi shqiptar të vazhdojë të jetë aktiv, largpamës dhe dinamik në zhvillimin e planeve të tij të biznesit. Vetëm kështu do të bëhet e mundur që ai të jetë i kapitalizuar, fitimprurës dhe i kredituar nga sistemi bankar. Biznesi duhet të bashkëpunojë më ngushtë me bankën, jo vetëm për të thithur kredi por edhe konsulencë financiare, një element i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të aktivitetit të tij.
Individëve, publikut të gjerë do t'i sugjeroja të tregohen të qetë, të matur dhe racionalë në mënyrën se si e menaxhojnë portofolin e tyre kursim - investime. Çdo formë kursimi apo investimi jashtë bankave, me para në dorë, mbart një rrezik të konsiderueshëm moral, financiar dhe fizik. Apeli im është i thjeshtë: konsultohuni për çdo veprim me bankën tuaj. Sistemi bankar mbetet këshilltari më i mirë për ju. Para se të ndërmerrni një transaksion financiar të çdo lloji, merrni një opinion edhe nga banka juaj. Ajo është bankieri juaj.
Në përfundim dëshiroj të theksoj se sistemi bankar është pasuri kombëtare. Ai na përket të gjithëve. Le ta zhvillojmë atë më tej, për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.