BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë "Për stabilitetin e sistemit financiar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008"

Data e publikimit: 07.10.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit "Për Bankën e Shqipërisë" dhe detyrimit për të nxjerrë periodikisht një deklaratë mbi kërcënimet e stabilitetit të sistemit financiar sot, në mbledhjen e radhës, analizoi zhvillimet më të fundit në sektorin bankar shqiptar. Pasi u njoh me ecurinë e tyre, Këshilli Mbikëqyrës u ndal në rreziqet potenciale, që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e sektorit financiar në të ardhmen.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se sistemi bankar shqiptar është i sigurtë, i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid. Siç do t'jua bëj me dije dhe në vijim të gjithë treguesit e analizuar konfirmojnë për një gjendje të shëndetshme, ndërkohë që asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme në aktivet e intoksikuara, të cilat siç dihet, kanë qenë faktori kryesor që ka rënduar situatën financiare globale.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, zhvillimet e brendshme makroekonomike nuk rrezikuan qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Aktiviteti ekonomik i vendit, vlerësohet të jetë zhvilluar në përputhje me programin afatmesëm të zhvillimit ekonomiko - financiar të vendit e, për rrjedhim objektivi për një rritje të ekonomisë në nivelin 6 për qind, duket se do të përmbushet edhe gjatë vitit 2008.

Presionet inflacioniste edhe pse kanë qenë të pranishme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, janë zbehur konsiderueshëm në periudhën në vijim.

Politika fiskale ka mbështetur krijimin e një teprice buxhetore pozitive gjatë periudhës. Gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë, Banka e Shqipërisë e mbajti të pandryshuar nivelin e normës bazë të interesit prej 6.25 për qind, duke e gjykuar këtë nivel, të përshtatshëm për të ruajtur ekuilibrat makroekonomikë. Banka e Shqipërisë ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar dhe nëpërmjet përdorimit të instrumenteve përkatëse financiare, ka synuar ruajtjen e qëndrueshmërisë në nivelin e likuiditetit dhe të normave të interesit.

Gjatë të njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore, u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj euros dhe dollarit amerikan, kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën duke reflektuar gjithashtu, situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në vendet e zhvilluara, politikat makroekonomike ndeshën në vështirësi për të gjetur një ekuilibër midis ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe forcimit të presionit inflacionit.

Pasojat e krizës financiare dhe të rritjes së çmimeve të produkteve energjitike dhe ushqimore, u materializuan në formën e humbjeve të konsiderueshme në bilanc për institucione të rëndësishme financiare, në rritje të kostos së prodhimit dhe të nivelit të përgjithshëm të çmimeve, ulje të konsumit, ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rritje të papunësisë. Veprimet e harmonizuara të autoriteteve monetare, nëpërmjet ndërhyrjeve për t'i dhënë tregjeve likuiditetin e nevojshëm dhe për të mbështetur drejtpërdrejt institucione financiare të rëndësishme, kanë shmangur një kolaps të tregjeve financiare.

Sistemi financiar në Shqipëri, ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Aktivet e sektorit financiar kanë njohur rritje të qëndrueshme, por pjesa e sektorit financiar jobankar vijon të ketë një peshë të ulët në tregun financiar. Rezultati i mirë financiar, si në sektorin bankar ashtu edhe në atë financiar jobankar, vijon të mbështetet prej zgjerimit të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë mbeten depozitat e publikut, ndërkohë që edhe pse me rritje, financimi i veprimtarisë nëpërmjet linjave të kreditimit të marra nga grupet bankare zotëruese është ende në nivele të pranueshme. Treguesi i kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar është rritur, duke përfituar kryesisht prej kapitalizimit të fitimit të vitit 2007.

Analizat e skenarëve të rrezikut, konfirmojnë se sektori bankar është në gjendje të mirë për të përballuar rreziqet e ndryshme, që mund të rrjedhin si rezultat i lëvizjeve të padëshirueshme në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit. Megjithatë, nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t'i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit.

Në rastin e sektorit bankar, cilësia e portofolit të kredisë paraqitet tërësisht e kontrollueshme. Rritja e shpejtë e kredisë dhe vështirësitë që mund të ndeshin sektorë të veçantë të ekonomisë që janë kredituar në mënyrë të ndjeshme, janë faktorë që do të vijojnë të ushtrojnë presion mbi cilësinë e kredisë në të ardhmen.
Për këtë qëllim, bankat të ndjekin një politikë të identifikimit sa më të shpejtë të kredisë me probleme dhe të krijojnë menjëherë fondet përkatëse rezervë. Banka e Shqipërisë, do të rrisë numrin e kontrolleve për të verifikuar këtë proces.

Në lidhje me likuiditetin, është e nevojshme që strukturat drejtuese të bankave, të ndjekin praktika që lejojnë vetë institucionin të plotësojë nevojat e pritshme për likuiditet në mënyrë sa më të pavarur, por duke patur edhe alternativa të cilat përmirësojnë aftësinë e tyre për të gjeneruar likuiditet, në rast nevoje.
Ato duhet të rishikojnë cilësinë e portofolit të letrave me vlerë, veçanërisht të atij në valutë, për të realizuar karakteristikat optimale të sigurisë dhe të tregtueshmërisë. Në të njëjtën kohë, duhet rivlerësuar përshtatshmëria e niveleve të treguesve të caktuar, për sa i takon diferencave në afatet e maturimit dhe në llojin e valutës së aktiveve dhe të burimeve të financimit.

Zgjerimi i krizës në tregjet ndërkombëtare financiare drejt Evropës, ka bërë që të shtohet rreziku i ndikimit të sistemit financiar në vend. Megjithatë, disa faktorë që janë përmendur në deklaratën e mëparshme, ku veçojmë nivelin relativisht të ulët të ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare, nivelin e ulët të integrimit në përgjithësi dhe mirëkapitalizimin e veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre që veprojnë në vendin tonë, do të shërbejnë si elemente mbrojtëse për sistemin tonë financiar ndaj këtij rreziku.

Në kuadrin e zhvillimeve ekonomike globale, pasiguria për zhvillimet e ardhshme në çmimet e mallrave të konsumit dhe në rritjen ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian, të Zonës së Euros dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të diktojë ecurinë e normave të interesit në tregjet e parasë dhe të kredisë, si edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Nëpërmjet ekspozimit të sektorit tonë financiar në burime dhe aktive të denominuara në valutë, këto lëvizje mund të ndjehen edhe në tregun e brendshëm, ndonëse në mënyrë të moderuar.

Ekziston gjithashtu, rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet në vendin tonë, nëpërmjet uljes së fluksit të hyrjeve nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Megjithatë, shkalla e materializimit të këtij rreziku dhe madhësia e tij, nuk pritet të jenë të rëndësishme.

Megjithë zhvillimet e fundit në tregjet financiare ndërkombëtare, në sistemin bankar shqiptar nuk evidentohet ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi me pasoja të menjëhershme në veprimtarinë e tij. Sidoqoftë, nevojitet rritja e vigjilencës dhe e kujdesit nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë iu ka kërkuar strukturave drejtuese të bankave, të përcaktojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme konkrete, për të ruajtur dhe për të përmirësuar aftësinë për të gjeneruar në vazhdimësi rezultat financiar pozitiv, duke ruajtur cilësinë e aktiveve dhe treguesit e likuiditetit.

Banka e Shqipërisë do t'i orientojë dhe do t'i mbështesë këto veprime, nëpërmjet krijimit të stimujve të nevojshëm rregullativë. Intensifikimi i dialogut me industrinë financiare dhe bashkërendimi i veprimeve mes autoriteteve publike, janë elemente të cilat do t'i shërbejnë ruajtjes së besimit të publikut në sistemin financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të veprimtarisë së tij në të ardhmen.