BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit

Data e publikimit: 30.11.2006

 

Në mbledhjen e datës 30 nëntor 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit në ekonomi (norma e marrëveshjeve të riblerjes me maturim njëjavor). Pas kësaj rritjeje, niveli i normës bazë të interesit shkon nga 5.25 për qind në 5.5 për qind.

Inflacioni vjetor në muajin tetor shënoi nivelin 2.2 për qind, duke qenë afër normës së inflacionit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Inflacioni vjetor i muajit tetor është ndikuar nga veprimi i disa faktorëve të përkohshëm pozitivë, si vazhdimi i një oferte të lartë të prodhimeve bujqësore në treg dhe reduktimi i çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Nivelet e kontrolluara të shpenzimeve buxhetore dhe të deficitit buxhetor, ruajtja e stabilitetit të tregut të parasë, pozitat e qëndrueshme të lekut në këmbimin me valutat dhe administrimi i mirë i pritjeve të publikut për inflacionin, kanë ndikuar pozitivisht në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Zhvillimet e muajve të fundit janë karakterizuar nga norma më të larta të zgjerimit monetar, si pasojë e zgjerimit të kërkesës së sektorit publik në muajt e fundit. Megjithatë, kredia për ekonominë mbetet përbërësi kryesor i kërkesës për mjete monetare. Teprica e kredisë për sektorin privat në muajin shtator arriti në 165.6 miliardë lekë, duke përbërë 18.7 për qind të PBB-së. Kreditimi i individëve është përbërësi me rritjen më të shpejtë, ndërkohë që pesha e lekut në totalin e kredisë vazhdon të rritet. Sjellja e kursit të këmbimit të lekut është ndikuar nga rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare. Muajt e fundit tregojnë një ecuri më të ndryshme të lekut, ku bie në sy mungesa e presioneve mbiçmuese të tij. Operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë kanë synuar stabilizimin e tregut të parasë dhe rritjen e efektivitetit të politikës monetare. Në përgjigje të kërkesës në rritje të sektorit publik dhe të atij privat për para, Banka e Shqipërisë ka rivlerësuar kahun e instrumenteve operacionale në tregjet e parasë, duke i orientuar ato drejt injektimit të likuiditetit në sistem, gjatë muajit tetor.

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata e përgjithshme makroekonomike paraqitet e favorshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve gjatë vitit 2007 e në vijim. Megjithë stabilitetin relativ të çmimeve të konsumit, analiza e faktorëve më të fundit ekonomikë dhe monetarë evidenton se balanca e rreziqeve është e zhvendosur në kahun rritës, duke mbartur mundësinë e devijimit të inflacionit nga trajektorja e dëshiruar. Për këtë arsye, është e domosdoshme marrja e masave të kujdesit për ruajtjen e këtij ambienti.

Ashtu siç, kemi përcjellë në publik, edhe në analizat tona të mëparshme, këta faktorë janë:

Ecuria e kërkesës së brendshme. Rritja e shpejtë e kredisë për ekonominë në dy vitet e fundit ka krijuar premisat për gjallërimin e shpejtë të kërkesës së brendshme në ekonomi. Edhe pse në dy - tre muajt e fundit evidentohet një ngadalësim në ritmin e rritjes, përsëri ai vazhdon të jetë i lartë. Ky efekt bëhet më i dukshëm po të marrim në konsideratë zhvillimin e shpejtë të kredisë konsumatore. Qetësimi i ritmit të rritjes së kredisë për ekonominë ende nuk mund të thuhet se është përfundimtar pavarësisht masave rregullative që ka lancuar së fundmi Banka e Shqipërisë. Sipas studimeve të ndryshme ende potenciali i ekonomisë sonë për të thithur kredi është i lartë, në raport me atë çka është akorduar.

Kjo përbën një sinjal të qartë se edhe për disa kohë rritja e kredisë do të jetë pak a shumë në të njëjtat nivele me ato aktuale, gjë që përkthehet se presionet mbi kërkesën e brendshme do të jenë të pranishme. Për më tepër, duhet theksuar që për pjesën në vazhdim, në përputhje me planet e Qeverisë për të rritur financimin e brendshëm në kuotat e planifikuara, kërkesa e brendshme do të ushqehet edhe nga përqendrimi në një kohë të shkurtër i konsumit dhe investimeve publike.

E parë në kontekst të këtyre zhvillimeve, vlerësohet se lëvizja e sotme e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka si mision të saj absorbimin në të ardhmen të presioneve të shtuara, që mund të gjenerojë kërkesa e brendshme në ekonomi.

Ecuria e çmimeve bujqësore. Ky element ka ndikuar në zbutjen e inflacionit total gjatë dy viteve të fundit. Një sjellje e tillë është mbështetur ndërmjet të tjerash edhe nga rritja e prodhimit të brendshëm, dhe rritja e konkurrencës në tregun e prodhimeve bujqësore. Të dhënat më të fundit mbi ecurinë e çmimeve bujqësore japin sinjale të një kthese në tendencën rënëse të çmimeve bujqësore, duke reflektuar edhe ecurinë e çmimeve të artikujve ushqimorë të vendeve partnere.

Zhvillimet monetare dhe kursi i këmbimit. Kohët e fundit, në prani të një kërkese të lartë të qeverisë për financim, është vënë re një luhatje e vazhdueshme në situatën e likuiditetit dhe të normave të interesit, veçanërisht në tregun ndërbankar.

Gjithashtu, në prani të ngushtimit të vazhdueshëm të diferencave midis normave të interesit në lekë me ato në valutë, ecuria e kursit të këmbimit mund të vihet nën ndikimin e tendencave nënçmuese. Pritshmëritë për një lëvizje tjetër nga ana e BQE brenda vitit 2006, ndikojnë negativisht stimujt për të kursyer në monedhë kombëtare. Duke ditur se kanali i ndikimit të inflacionit (veçanërisht grupi i mallrave të tregtueshëm), siç ndodh në shumicën e vendeve që janë të varura nga importet, është mjaft sensitiv ndaj lëvizjeve të monedhës kombëtare, vlerësojmë se kjo rritje do të ndihmojë në vendosjen e një ekuilibri më të mirë të faktorëve që ndikojnë pozicionin e jashtëm të vendit.

Pritjet inflacioniste dhe efektet e mundshme dytësore të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Niveli i zhvillimit të agjentëve ekonomikë në ekonomitë në tranzicion, ndikon në krijimin e pritjeve adaptive për inflacionin, çka do të thotë se ato influencohen mjaft nga ecuria aktuale dhe e shkuar e inflacionit. Një karakteristikë e tillë mund të sjellë kërcimin e këtyre pritjeve, qoftë edhe në prani të impulseve afatshkurtra inflacioniste, duke sjellë si pasojë zgjatjen e ciklit inflacionist të ekonomisë.

Rritja e normës bazë të interesit synon kontrollin më të mirë të presioneve që gjenerohen nga kërkesa e brendshme, akomodimin më të mirë të luhatjeve nga ana e ofertës, stabilizimin më të mirë të kursit të këmbimit si dhe orientimin e pritjeve inflacioniste.

Reflektimi i saj në tregjet financiare dhe në instrumentet e tregut të parasë do të vendosë një raport më të qëndrueshëm midis stimulit monetar të aktivitetit ekonomik dhe presioneve inflacioniste të lindura prej tij. Gjithashtu, rritja e normës bazë të interesit synon të ruajë strukturën kohore dhe valutore të mjeteve monetare, në përputhje me trendet e tyre historike dhe të rivlerësojë incentivat për ruajtjen e kursimeve në lekë.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë vigjilente në të gjitha drejtimet, sigurisht duke bërë përpjekjet maksimale që edhe në të ardhmen vendimet e saj të jenë në përputhje me objektivin themelor, në kushtet e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.