BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 24 mars 2010

Data e publikimit: 24.03.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 mars 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe monetare në vend, me projeksionet e tyre për të ardhmen, si dhe pasi vlerësoi balancën e rreziqeve të pritshme, në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.

***

Pas goditjes së rëndë të pësuar gjatë vitit 2008 dhe gjashtë muajve të parë të vitit 2009, ekonomia botërore ka hyrë në një fazë rikuperimi të aktivitetit ekonomik, e stimuluar nga politika monetare dhe fiskale ekspansioniste. Bankat qendrore kryesore kanë vazhduar të ndjekin politika monetare lehtësuese, me qëllim mbështetjen e tregut të kreditit dhe garantimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Fundi i recesionit ekonomik është shoqëruar nga gjallërimi i presioneve inflacioniste, duke reflektuar si efektin statistikor të lidhur me ecurinë e çmimeve të produkteve bazë, ashtu edhe rritjen e kërkesës në ekonominë botërore. Ecuria e tregjeve financiare ka qenë e qëndrueshme dhe treguesit kryesorë të rrezikut janë stabilizuar në nivele më të ulëta. Megjithatë, vëmendja e tregjeve financiare gjatë javëve të fundit është dominuar nga rritja e pasigurisë për qëndrueshmërinë fiskale të disa vendeve të Eurozonës. Kjo është reflektuar në rritjen e yield-eve të letrave me vlerë qeveritare të këtyre vendeve, si dhe në ndjeshmërinë e shtuar të investitorëve ndaj zhvillimeve fiskale.

Aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit. Treguesit më të fundit të ekonomisë reale, si treguesit e shitjeve, treguesit monetarë dhe ata të besimit, sinjalizojnë frenimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010. Frenimi i investimeve nga pjesa më e madhe e bizneseve, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve, rënia e importit të mallrave kapitale dhe rritja e ulët e kredisë për investime, dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të investimeve private edhe në muajt e parë të këtij viti. Nga ana tjetër, ritmet më të moderuara të rritjes së punësimit dhe të pagave, tkurrja e kredisë konsumatore, ecuria e dobët e shitjeve me pakicë, si dhe indikacionet për rritjen e preferencës së konsumatorëve për kursim, tregojnë për një frenim edhe të konsumit aktual dhe atij të pritur në periudhën afatshkurtër.

Sektori i jashtëm i ekonomisë ka shfaqur sinjale pozitive gjatë muajit janar, duke u karakterizuar nga një rritje prej 30% e eksporteve dhe ngushtim prej rreth 13% të deficitit tregtar. Ky zhvillim i mirëpritur mbetet gjithsesi i pamjaftueshëm për të vendosur ekonominë shqiptare në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Stimuli i lartë fiskal i dhënë gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2009, ka ndikuar në rritjen e borxhit publik në nivelin 59.5% të PBB-së. Rritja e shpenzimeve korente dhe kapitale gjatë kësaj periudhe, e financuar nga zgjerimi i deficitit buxhetor dhe rritja e huamarrjes publike, dhanë një ndikim të ndjeshëm, por afatshkurtër, në aktivitetin ekonomik. Nëpërmjet uljes dy herë të normës bazë të interesit si dhe injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka patur gjithashtu një karakter stimulues gjatë vitit 2009 dhe muajve të parë të vitit 2010. Në prani edhe të nënçmimit të kursit të këmbimit gjatë kësaj periudhe, kushtet monetare në vend kanë favorizuar gjithnjë e më shumë kërkesën agregate. Megjithatë, kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe mbeten konsistente me stabilitetin afatmesëm dhe afatgjatë të çmimeve në vend, duke i shërbyer gjithashtu mbarëvajtjes së tregjeve financiare dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar.

Në përgjigje të politikës monetare lehtësuese si dhe të uljes së primeve të rrezikut në ekonomi, treguesit monetarë paraqesin shenja përmirësimi gjatë dy muajve të parë të vitit 2010. Gjatë kësaj periudhe, është materializuar një tendencë rënëse e treguesit të parasë jashtë bankave dhe një rritje korresponduese e depozitave në sistem. Përmirësimi rezultant i treguesve të likuiditetit të sistemit bankar dhe reduktimi i kërkesës për fonde të sektorit publik janë shoqëruar me uljen e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë. Gjithashtu, kursi i këmbimit paraqitet relativisht i stabilizuar, duke reflektuar një korrektim të lehtë të treguesve të tregtisë së jashtme dhe të deficitit korent të vendit gjatë dy tremujorëve të fundit. Ky korrektim ka ndikuar edhe në vendosjen e balancave më të qëndrueshme të kërkesës dhe të ofertës për valutë në këtë periudhë.

Megjithë këto zhvillime inkurajuese, aktiviteti kreditues në vend mbetet larg potencialit të tij, në përgjigje të kërkesës më të ulët për kredi bankare dhe kushteve të shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga bankat. Kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore rreth 4% në terma realë, duke kontribuuar në një rritje vjetore me 7.8% të ofertës monetare në muajin janar.

Aktiviteti kreditues vijon të mbizotërohet nga kredia në lekë, e cila mbulon kryesisht nevojat e bizneseve për kapital qarkullues. E veçanta e muajit janar 2010 është se situata e përmirësuar e mjeteve valutore të sistemit bankar po fillon të reflektohet në rritjen e kredisë në valutë. Megjithatë, rritja e qëndrueshme e kreditimit duhet të mbështetet nga riaktivizimi i kërkesës për kredi dhe lehtësimi paralel i kushteve të kredidhënies të aplikuara nga sistemi bankar. Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar duhet të tregohet më largpamës në drejtim të vlerësimit të sektorëve potencialë të rritjes ekonomike dhe të marrë një rol më aktiv në nxitjen e aktivitetit ekonomik.

Inflacioni vjetor në muajin shkurt 2010 rezultoi 4.4%, duke tejkaluar me 0.4 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të tolerancës rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni mesatar vjetor shënoi 2.6%. Zhvillimet e fundit në inflacion kanë pasqyruar efektin statistikor të krahasimit me një bazë relativisht të ulët çmimesh në vitin 2009, përçimin më të plotë të nënçmimit të kursit të këmbimit në çmimet e konsumit dhe rritjen administrative të çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga muaji janar 2010.

Ky faktor i fundit dha një ndikim prej rreth 0.5 pikësh përqindjeje në nivelin e inflacionit, duke qenë edhe shkaktari kryesor i tejkalimit të nivelit 4%. Nga ana tjetër, tendenca rritëse e inflacionit të mallrave ushqimore i atribuohet konjukturës globale të çmimeve të mallrave, e cila po dëshmon një rritje graduale mujore që nga mesi i vitit 2009.

Analizat tona sugjerojnë se tendenca në rritje e inflacionit është shkaktuar kryesisht nga faktorë të ofertës, të cilët vlerësohen të kenë një natyrë kalimtare dhe një veprim afatshkurtër në kohë. Këto zhvillime ishin të pritura nga Banka e Shqipërisë, të faktorizuara në projeksionet tona për inflacionin, dhe të komunikuara në kohë dhe me transparencë në publik. Në periudhën afatmesme, rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare si pasojë e ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe të huaj do të krijojë një ambient me presione të ulëta inflacioniste, të cilat pritet të balancojnë presionet me burim nga kahu i ofertës. Ky vlerësim mbështetet edhe nga zhvillimet e qëndrueshme dhe në nivele të ulëta historike të komponentit afatgjatë të inflacionit dhe të inflacionit të mallrave të patregtueshme, si shprehësit më të drejtpërdrejtë të presioneve inflacioniste të gjeneruara nga kërkesa e brendshme në ekonomi.

Normat e inflacionit bazë dhe të atij të mallrave të patregtueshme në muajin shkurt ishin përkatësisht 1.1 dhe 2.3%.

***

Gjatë diskutimeve mbi ecurinë aktuale dhe të pritshme të zhvillimeve ekonomike, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludoi se balanca e presioneve inflacioniste në horizontin afatmesëm është konsistente me objektivin e inflacionit të Bankës së Shqipërisë, pavarësisht tendencave të fundit të inflacionit të çmimeve të konsumit. Vlerësimet për ngadalësimin e kërkesës dhe rritjen e hendekut negativ të prodhimit, ecurinë më të përmbajtur të kursit të këmbimit, si dhe pritshmëritë e stabilizuara të agjentëve ekonomikë për inflacionin, janë faktorë që do të kushtëzojnë ecurinë e inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%. Ky vendim garanton kushte të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Në veçanti, vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, stabilitetin e sistemit financiar në vend, në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vlerëson se tendencat e fundit korrektuese të treguesve të bilancit të pagesave janë zhvillime inkurajuese për qëndrueshmërinë afatgjatë të treguesve financiarë të vendit. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo qëndrueshmëri do të ndihmohej nga ndjekja e një politike fiskale të kujdesshme, e cila duhet të faktorizojë tashmë shëndetin afatgjatë të parametrave fiskalë në vendimmarrjen e saj.