BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 janar 2010

Data e publikimit: 27.01.2010

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 27 janar 2010, mori në shqyrtim Deklaratën e Politikës Monetare për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009, ku analizoi në hollësi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe monetarë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2009, si dhe projeksionet makroekonomike dhe balancën e rreziqeve që shoqërojnë ato për muajt në vazhdim. Në përfundim të kësaj analize, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.25%, normën bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi njëjavor. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo normë interesi është në përputhje me synimin e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e inflacionit afër nivelit objektiv për periudhën afatmesme.

***

Ekonomia shqiptare la pas një vit të vështirë. Kriza e thellë e ekonomisë botërore u ndje shpejt në Shqipëri, duke testuar themelet e ekonomisë: stabilitetin financiar dhe ekuilibrat makroekonomikë. Megjithatë, gjendja e mirë fillestare e ekonomisë sonë dhe reagimi i duhur i politikave makroekonomike ndihmuan në përballimin me sukses të këtij testi. Gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, ekonomia shqiptare ka siguruar një rritje pozitive duke ruajtur stabilitetin financiar dhe treguesit kryesorë të stabilitetit makroekonomik: qëndrueshmërinë e çmimeve, nivelin e borxhit publik dhe qëndrueshmërinë e bilancit të pagesave.

Kriza financiare dhe ekonomike botërore, e cila u intensifikua ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të parë, vuri në pikëpyetje qëndrueshmërinë e sistemit financiar, stabilitetin makroekonomik dhe perspektivat e zhvillimit afatgjatë të ekonomisë botërore. Reagimi i vendosur i autoriteteve publike, koordinimi në rritje i politikave ekonomike dhe mbajtja e hapur e kanaleve të tregtisë botërore, evituan krijimin e spiraleve ekonomike negative. Të dhënat më të fundit mbi ekonominë globale sinjalizojnë një rikuperim të aktivitetit ekonomik në tremujorin e tretë e në vazhdim. Paketat e masave stimuluese monetare dhe fiskale kanë rezultuar të suksesshme në drejtim të stabilizimit të ekonomisë globale.

Megjithatë, qëndrueshmëria e rritjes ekonomike botërore do të mbetet e brishtë, për sa kohë që aktiviteti ekonomik mbështetet ende në stimuj të konsiderueshëm monetarë e fiskalë. Në veçanti, qëndrueshmëria e borxhit publik, i cili është rënduar me faturën fiskale të masave të ndërmarra për kalimin e krizës, është një problem që po vjen duke u rënduar në shumë vende. Në këtë situatë komplekse, zgjedhja e momentit të duhur të tërheqjes së stimulit ekonomik do të ketë një rëndësi vendimtare për ecurinë e ardhshme të ekonomisë.

Në një aspekt më strukturor, kriza e fundit pritet të lërë gjurmë të dukshme në zhvillimin ekonomik. Në një horizont afatgjatë, duket se po ravijëzohen ekuilibra të rinj ekonomikë dhe strategjikë, të cilët do të ridimensionojnë polet e rritjes ekonomike botërore. Në një horizont afatmesëm, ritmi i rritjes ekonomike botërore pritet të konvergojë në një ekuilibër më të ulët se ai që ka mbizotëruar gjatë dy dekadave të fundit. Ky ngadalësim mund të shoqërohet me probleme ekonomike e sociale për ato vende që nuk do të dinë të lexojnë implikimet e duhura të tyre. Në një horizont afatshkurtër, diskutimet mbi rolin e shtetit në ekonomi, mbi modelet e rritjes e të zhvillimit ekonomik, mbi filozofinë dhe praktikat e duhura për rregullimin e tregjeve financiare, do të dominojnë tryezat e debatit politik. Në veçanti, modeli i rritjes ekonomike do të jetë një temë sensitive për ekonomitë e prekura ndjeshëm nga kriza, ku përfshihen edhe shumë vende të Evropës Lindore. Nxitja e avantazheve konkurruese dhe rritja e konkurrueshmërisë në tregjet botërore do të jenë kryefjala e diskutimeve dhe e reformave të synuara.

Duke u kthyer në zhvillimet e ekonomisë së brendshme, analiza e treguesve të disponueshëm tregon se ekonomia shqiptare ka patur një rritje ekonomike pozitive gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Megjithatë, këta tregues sugjerojnë se ritmi i rritjes është karakterizuar nga një ngadalësim progresiv gjatë vitit 2009. Kjo ecuri është kushtëzuar nga reduktimi i kërkesës së jashtme dhe ngadalësimi i kërkesës së brendshme, në prani të një situate të shtrënguar likuiditeti, të kufizimit të financimit dhe të rritjes së pasigurisë.

Sipas të dhënave paraprake të INSTAT-it, rritja ekonomike për nëntëmujorin e parë të vitit rezultoi 4.9%, kundrejt vlerës 7.8% të shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma sektorialë, sektorët që kanë përfituar më shumë nga rritja ekonomike janë sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë ka patur një ecuri më problematike.

Ritmi pozitiv i rritjes ekonomike është mbështetur nga stimuli fiskal, ndërkohë që kërkesa konsumatore dhe kontributi i sektorit të jashtëm të ekonomisë kanë qenë relativisht të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, investimet private kanë shënuar rënie. Kërkesa konsumatore është mbështetur nga rritja e lehtë e punësimit dhe e pagave, ndërkohë që tkurrja e kredisë konsumatore dhe hipotekare, si dhe reduktimi i remitancave kanë dhënë efektin e kundërt. Investimet private janë tkurrur, si pasojë e burimeve të kufizuara të financimit, mbështetjes së reduktuar me kredi të sistemit bankar dhe aksesit të kufizuar në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Në këtë reduktim kanë ndikuar edhe rritja e pasigurisë, ecuria e ngadaltë e kërkesës finale për produktet e tyre dhe ulja e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve.

Efektet e ngadalësimit ekonomik vendas dhe të krizës ekonomike botërore janë shfaqur edhe në tregtinë e jashtme. Aktiviteti ekonomik me jashtë është karakterizuar nga një rënie e njëkohshme e eksporteve dhe importeve të mallrave e shërbimeve, duke bërë që efekti i këtij sektori në rritjen ekonomike të jetë i ndjeshëm gjatë vitit 2009. Nga ana tjetër, stimuli fiskal, i injektuar kryesisht gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, ka ndikuar në rritjen e shpejtë të shpenzimeve buxhetore dhe të borxhit publik.

Rritja nën potencial e ekonomisë ka krijuar një ambient me presione përgjithësisht të reduktuara inflacioniste. Inflacioni vjetor në muajin dhjetor shënoi vlerën 3.5%, ndërkohë që norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2.2%. Të dy këta tregues janë në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, çmimet e ulëta të produkteve kryesore në tregjet botërore, ekspansioni i ulët monetar në ekonomi dhe pritjet e kontrolluara inflacioniste kanë kompensuar presionet inflacioniste të ardhura nga nënçmimi i kursit të këmbimit gjatë vitit 2009.

Tendenca rritëse e inflacionit gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009 ishte një zhvillim i pritur nga Banka e Shqipërisë. Ai është formuar në masën më të madhe nga faktorë me natyrë kalimtare, të cilët nuk pritet të gjenerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste. Në veçanti, ky zhvillim është ndikuar nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, të cilat reflektojnë efektin e vonuar të nënçmimit të kursit të këmbimit, konjukturat e tregjeve ndërkombëtare dhe problemet strukturore të tregut shqiptar.

Këta faktorë pritet të ushtrojnë presione inflacioniste edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, duke u plotësuar ndoshta edhe nga reduktimi i pritshëm i ofertës së produkteve bujqësore si pasojë e përmbytjeve që sapo kaluan. Megjithatë, prirja e qëndrueshme e inflacionit bazë dhe vlerat e ulëta të inflacionit të mallrave të patregtueshme konfirmojnë se presionet inflacioniste të ushtruara nga kërkesa e brendshme janë të moderuara.

Në mungesë të goditjeve të tjera të ofertës, ecuria e ngadaltë e kërkesës së brendshme, rritja e ulët e ofertës monetare dhe pritjet e ankoruara inflacioniste, janë premisë për mbajtjen e inflacionit brenda kufijve të objektivit në periudhën afatmesme.

Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme gjatë vitit 2009, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e ekuilibruar të ekonomisë dhe për kontrollin e presioneve inflacioniste. Në prani të rënies së presioneve inflacioniste dhe të pritjeve të stabilizuara për të, sinjalet për ngadalësimin e kërkesës së brendshme në periudhën e ardhshme kanë motivuar rritjen progresive të stimulit monetar gjatë vitit 2009. Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ulur me një pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 5.25%. Gjithashtu, ne kemi rritur në mënyrë të vazhdueshme injektimin e likuiditetit, në përputhje me nevojat e sistemit bankar për likuiditet dhe kërkesat e ekonomisë për financim. Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë ka përdorur të gjithë gamën e instrumenteve injektuese të politikës monetare, duke lehtësuar në të njëjtën kohë aksesin dhe koston e operimit të sistemit bankar me bankën qendrore.

Në prani edhe të nënçmimit të kursit të këmbimit, kjo politikë ka sjellë një lehtësim të kushteve monetare, duke i shërbyer nxitjes së aktivitetit ekonomik. Megjithatë, përcjellja e politikës lehtësuese monetare në normat e interesit të produkteve bankare ka qenë e kufizuar, si pasojë e problemeve të likuiditetit të sistemit bankar dhe e kërkesës së sektorit publik për fonde. Nga ana tjetër, edhe vetë sistemi bankar ka qenë i rezervuar në rritjen e kredidhënies, si pasojë e rrezikut të shtuar në ekonomi dhe ecurisë së cilësisë së portofolit të kredive. Zbutja e këtyre problemeve do të ndihmonte në përcjelljen më të plotë të politikës monetare dhe në rritjen e efektivitetit të saj.

Pozicioni i jashtëm i vendit vazhdon të karakterizohet nga një deficit i lartë dhe në rritje i llogarisë korente. Gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, ky deficit është mbuluar plotësisht nga flukset hyrëse të llogarisë kapitale dhe financiare, duke rezultuar në rritjen e rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, flukset hyrëse janë favorizuar dukshëm nga të ardhurat e privatizimit dhe nga huamarrja e sektorit publik. Të dy këta zëra janë të kufizuar në kohë dhe në madhësi, duke bërë të nevojshëm një korrektim më të qëndrueshëm të pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë. Ky korrektim duhet të synojë që deficiti tregtar të mbulohet me burime të qëndrueshme financimi, në formën e investimeve të huaja direkte dhe nxitjes së industrive eksportuese në degë të cilat mund të përbëjnë avantazh konkurrues për Shqipërinë.

Megjithatë, zhvillimet afatshkurtra në tregtinë e jashtme për muajt tetor-nëntor shfaqin një ecuri disi të ndryshme në krahasim me nëntë muajt e parë të vitit, duke dëshmuar për një modifikim të trendeve të vërejtura më parë. Kështu, eksportet e vendit ranë në terma mesatarë vjetorë me rreth 7.4%, duke shënuar një ngadalësim në krahasim me rënien mesatare prej 19% gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Nga ana tjetër, importet kanë shënuar një rënie mesatare vjetore prej 17% në këto dy muaj, kundrejt rënies mesatare vjetore prej 7% të shfaqur gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përmbajnë shenja inkurajuese për qëndrueshmërinë e bilancit të pagesave në periudhën afatshkurtër.

Politika fiskale ka patur natyrë ekspansioniste gjatë pjesës më të madhe të vitit, duke u materializuar në një deficit buxhetor rreth nivelit 6% të PBB-së. Rritja e deficitit buxhetor pasqyron si veprimin e stabilizatorëve automatikë, në formën e uljes së të ardhurave, ashtu edhe karakterin e synuar kundërciklik të politikës fiskale, nëpërmjet rritjes së pagave dhe shpenzimeve kapitale. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend ka diktuar një ritëm të ngadaltë të rritjes së të ardhurave buxhetore, veçanërisht pas tremujorit të parë të vitit.

Në fund të muajit nëntor, rritja vjetore e të ardhurave buxhetore ishte vetëm 2%, duke reflektuar thuajse tërësisht ritmin e ulët të gjenerimit të të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, shpenzimet publike kanë ruajtur norma të larta rritjeje, duke shënuar vlerën 16.4% në muajin nëntor. Deficiti buxhetor arriti vlerën 65 miliardë lekë në muajin nëntor. Deficiti është financuar në pjesën më të madhe nëpërmjet huamarrjes së huaj dhe të ardhurave nga privatizimi, duke kufizuar presionet në tregun financiar vendas.

Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth nivelit 58% të PBB-së në fund të muajit nëntor. Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal, me qëllim reduktimin e borxhit publik, përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik në vend. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, reduktimi i borxhit publik do të ulë presionin e sektorit publik mbi tregjet financiare, duke krijuar më shumë hapësirë për sektorin privat. Konsolidimi i financave publike do të ulë gjithashtu primet e rrezikut në ekonomi dhe do të rrisë efektivitetin e politikës monetare.

Oferta monetare është ngadalësuar më tej në gjashtëmujorin e dytë, duke reflektuar në një masë të madhe rritjen gjithnjë e më të ulët të kreditimit. Rritja vjetore e portofolit të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 10% në muajin nëntor. Ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2009, ku frenimi i rritjes së kredisë ishte më shumë i ndikuar nga shtrëngimi i ofertës, në pjesën e dytë të vitit është rënia e kërkesës për kredi ajo që po dikton ecurinë e kredisë.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen, përballë kushteve ende të shtrënguara të kredidhënies nga ana e bankave, kanë udhëhequr vendimet e agjentëve ekonomikë për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak konsumin nëpërmjet huamarrjes.

Megjithatë, zhvillimet monetare gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 konfirmojnë një përmirësim të situatës së depozitave në këtë periudhë. Ndryshimi i sjelljes së depozituesve në kuadrin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së efekteve të krizës globale, si edhe flukset valutore në formën e remitancave gjatë muajve të verës, kanë ndikuar në stabilizimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga një situatë më e qetë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Gjatë kësaj periudhe, sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet nga mungesa e likuiditetit; mungesë e cila është plotësuar nga injektimet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë. Përmirësimi i situatës së likuiditetit si rrjedhojë e rritjes së depozitave në sistem dhe forcimi i sigurisë në treg krijuan një mjedis të përshtatshëm për transmetimin e sinjalit të politikës monetare në tregun ndërbankar. Ulja e normës bazë në fund të muajit tetor është ndjekur nga yield-et e letrave me vlerë të qeverisë, pas trendit rritës që i ka karakterizuar ato gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, në përputhje me vonesat kohore që karakterizojnë mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë pret dhe kërkon që ulja e normës bazë të përcillet më tej në tregjet e kredisë.

***

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës për mbajtjen e pandryshuar të normës bazë të interesit synon ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, duke i konsideruar ata si një parakusht të domosdoshëm për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ai gjithashtu garanton mbështetjen e duhur monetare për ekonominë në këtë fazë të zhvillimit të saj. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë dhe në përputhje me objektivin e saj kryesor.