BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 28 prill 2010

Data e publikimit: 28.04.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 28 prill 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare të tremujorit të parë të vitit 2010. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, me projeksionet e tyre për të ardhmen, si dhe pasi vlerësoi balancën e rreziqeve të pritshme, në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.

***

Ekonomia botërore ka vijuar të tregojë shenja përmirësimi edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Aktiviteti ekonomik, ai tregtar dhe lëvizjet e kapitalit janë në rritje. Shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve ka prodhuar presione inflacioniste në nivele të ulëta, por me një prirje të qartë rritëse si rrjedhojë e rigjallërimit të kërkesës. Bankat qendrore vazhdojnë të ndjekin një politikë monetare lehtësuese, ndërkohë që kanë filluar edhe lëvizjet e para të tërheqjes nga politikat jokonvencionale të ndërmarra në fillim dhe gjatë periudhës së recesionit botëror.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga norma në rënie të interesit, nivele të ulëta të rrezikut dhe rritje të tregtimit. Megjithatë, pritjet për nivele të ulëta të kreditimit gjatë vitit 2010, në kushtet e tërheqjes së stimujve monetarë dhe fiskalë në pjesën më të madhe të vendeve dhe nivelet ende të larta të papunësisë, do të kushtëzojnë ecurinë e kërkesës agregate në botë.

Të dhënat e disponueshme, të cilat ilustrojnë me shifra zhvillimin ekonomik të kësaj periudhe në vendin tonë, janë të pjesshme. Megjithatë, analiza e zhvillimeve fiskale dhe monetare, ecuria e sektorit të jashtëm të ekonomisë dhe e inflacionit, si dhe informacioni cilësor i përftuar nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet vrojtimeve të kryera prej saj, mundësojnë krijimin e një tabloje të përgjithshme të zhvillimeve ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia vendase shënoi një rritje pozitive prej 3.3% gjatë vitit 2009. Pas normave pozitive të rritjes të regjistruara gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2009, aktiviteti ekonomik është kontraktuar në tremujorin e fundit. Bazuar në të dhënat paraprake, prodhimi i brendshëm bruto ra me 0.8% në terma vjetorë gjatë këtij tremujori. Kjo ecuri është përcaktuar nga tkurrja e investimeve private dhe publike, si dhe ngadalësimi i ndjeshëm i konsumit privat. Ritmet e ulëta të rritjes së pagave dhe punësimit, rënia e remitancave, tkurrja e kredisë konsumatore, si dhe evidenca për një orientim më të madh të konsumatorëve drejt kursimit, vlerësohet se kanë diktuar një ecuri të ngadaltë të konsumit në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Investimet private vlerësohen të jenë tkurrur gjatë këtij tremujori, në kushtet e ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe të niveleve të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve. Gjithashtu, pakësimi i stimulit fiskal gjatë muajve të fundit të vitit 2009 është reflektuar në një kontribut më të ulët të investimeve publike në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të fundit. Sikurse tregohet nga ecuria e treguesve fiskalë, monetarë dhe nga pritjet e biznesit e të konsumatorit, ecuria e ekonomisë vendase vlerësohet e ngadaltë edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e parë të vitit 2010 rezultoi 4.1%, lehtësisht mbi kufirin e sipërm të tolerancës rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Rritja e çmimit të administruar të energjisë ka dhënë një kontribut prej 0.5 pikë përqindje në formimin e inflacionit vjetor në këtë tremujor, duke përcaktuar kështu edhe tejkalimin e këtij kufiri. Ndërkohë, inflacioni në muajin mars shënoi 3.9%, duke u rikthyer brenda intervalit rreth objektivit të synuar të Bankës së Shqipërisë. Rritja e inflacionit gjatë muajve të parë të vitit është kushtëzuar në një masë të madhe nga faktorë të ofertës. Përveç rritjes së çmimit të energjisë elektrike, oferta e kufizuar e prodhimit bujqësor vendas, tendenca rritëse e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, në prani të efektit të nënçmimit të monedhës vendase, kanë ushtruar presione në kahun rritës mbi inflacionin. Megjithatë, këta faktorë gjykohet të kenë një natyrë të përkohshme në inflacion. Ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të mallrave të patregtueshme, vlerat e të cilëve qëndrojnë pranë mesatares historike afatgjatë të tyre, konfirmojnë se presionet inflacioniste nga ana e kërkesës janë të ulëta.

Në afat të mesëm, ngadalësimi i kërkesës vendase dhe rritja nënpotencial e ekonomisë sonë pritet të pengojnë krijimin e presioneve të qëndrueshme inflacioniste, duke balancuar kështu efektin direkt të faktorëve të ofertës.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë dy muajve të parë të këtij viti karakterizohen nga ngushtimi i deficitit tregtar të vendit. Deficiti tregtar është ngushtuar me rreth 20% në terma vjetorë, duke reflektuar rritjen vjetore të eksporteve dhe rënien vjetore të importeve, respektivisht prej 31% dhe 7%. Kjo ecuri pozitive ka ndikuar edhe në vendosjen e raporteve më të balancuara të kërkesës dhe të ofertës për valutë, duke rezultuar në nivele më të qëndrueshme të kursit të këmbimit. Ndonëse korrektimi i deficitit të bilancit tregtar në këtë periudhë është një zhvillim inkurajues, qëndrueshmëria afatgjatë e tij kërkon vijimin e reformave strukturore në ekonomi. Në veçanti, rritja e kursimit në ekonomi duhet të inkurajohet nëpërmjet thellimit dhe zbatimit të reformës në sistemin e pensioneve. Kjo reformë do të mbështesë qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij sistemi si dhe do të krijojë kushtet e duhura për gjenerimin e më shumë fondeve financiare të brendshme, duke i shërbyer edhe korrektimit të deficitit të llogarisë korente të vendit.

Politika fiskale në muajt e parë të vitit 2010 ka ndjekur trendin e frenimit të ekspansionit fiskal, të shfaqur që gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009. Shpenzimet buxhetore janë rritur me ritëm të përmbajtur, prej rreth 4% në terma vjetorë. Nga ana tjetër, ngadalësimi i kërkesës vazhdon të diktojë ritme të ulëta të rritjes së të ardhurave buxhetore. Ndjekja e një politike fiskale të kujdesshme, ndonëse mund të japë një kontribut më të pakët në rritjen ekonomike të këtij viti, do të ndihmojë konsolidimin e treguesve fiskalë në nivele të shëndetshme, duke i shërbyer kështu më mirë qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë në afat të gjatë.

Dy muajt e parë të vitit janë karakterizuar nga një vazhdimësi e ecurisë pozitive të treguesve monetarë. Oferta e parasë është rritur mesatarisht me 8.3% në terma vjetorë, e mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave në valutë. Ndërmjetësimi i ulët i sistemit bankar ka krijuar pak hapësira për rritjen e parasë së gjerë në ekonomi. Kreditimi për ekonominë, ndonëse është rritur me ritme më të larta se në tremujorin e fundit të vitit 2009, mbetet në nivelet më të ulëta të viteve të fundit.

Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat, pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, rezultoi 5.4% në muajin shkurt. Kredia për biznese ka pasqyruar një ecuri më të mirë në muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e përmirësimit të likuiditetit në valutë dhe lehtësimit të kushteve të kreditimit për ta. Nga ana tjetër, kredia për individë vazhdon të tkurret me ritme të njëjta me ato të fundvitit të kaluar. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kërkesa për kredi mbetet e ulët, e kushtëzuar nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe sjellje më e kujdesshme e agjentëve ekonomikë në drejtim të kredimarrjes.

Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme, në mbështetje të respektimit të objektivit tonë të inflacionit dhe të plotësimit të nevojave të ekonomisë për likuiditet. Ajo ka qenë e pranishme në tregun ndërbankar, duke ofruar likuiditetin e nevojshëm për një zhvillim normal të tregjeve financiare. Këto të fundit janë karakterizuar nga ulje të primeve të rrezikut, rritje të vëllimit të transaksioneve dhe prirje rënëse të normave të interesit.

Me përmirësimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar dhe normalizimin e primeve të rrezikut, në janar të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi të riaplikojë ankandet e marrëveshjes së riblerjes në formën standarde të tyre: operacione injektuese njëjavore me normë interesi konkurruese. Kryerja e këtyre ankandeve me interes fiks dhe shumë të pakufizuar që në nëntor të vitit 2008 deri në dhjetor të vitit të kaluar ishte një nga masat e marra nga Banka e Shqipërisë në kushtet e një situate të shtrënguar të likuiditetit dhe primeve në rritje të rrezikut dhe pasigurisë së shtuar në atë periudhë. Rikthimi në formën standarde të ankandeve të instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë shënon edhe fillimin e tërheqjes së këtyre masave në përgjigje të normalizimit të situatës në tregjet financiare në vend.

***

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në përfundimin se presionet inflacioniste në ekonomi pritet të jenë të balancuara në afat të mesëm.

Vlerësimet për ngadalësimin e kërkesës së brendshme dhe zgjerimin e hendekut negativ të prodhimit, pritet të balancojnë presionet afatshkurtra nga krahu i ofertës. Në të njëjtën kohë, pritjet inflacioniste janë të mirankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%. Ky vendim i shërben respektimit të objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Në veçanti, vendimet e saj do vazhdojnë të orientohen drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë.