BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 29 shtator 2011

Data e publikimit: 29.09.2011

 

Sot, në datën 29 shtator 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij vendimi, interesi i marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në nivelin 5.00 për qind. Ulja e normës bazë të interesit reflekton presionet e kontrolluara inflacioniste, pritjet e ankoruara të agjentëve ekonomikë, dhe një politikë fiskale më të kujdesshme gjatë periudhës së ardhshme. Lehtësimi i politikës monetare synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit, si dhe të nxitë aktivitetin ekonomik nëpërmjet stimulimit të konsumit dhe të investimeve në vend.

(Më lejoni në vijim, të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Muaji gusht u karakterizua nga një rënie e fortë e presioneve inflacioniste. Norma vjetore e inflacionit rezultoi në nivelin 3.1%, ose 0.4 pikë përqindjeje më e ulët në krahasim me muajin e kaluar. Përveç zbutjes së goditjeve të çmimeve të huaja, gjatë këtij muaji u evidentua dhe reduktimi i kontributit të inflacionit të çmimeve të rregulluara dhe ulja e kontributit të çmimit të bukës e të drithërave. Gjithashtu, efekti sezonal i rritjes së ofertës së prodhimit bujqësor në vend, është shfaqur më i fortë këtë vit, duke ndikuar në rënien e mëtejshme të inflacionit vjetor të mallrave ushqimorë.

Gjatë vitit 2011, çmimet e konsumit në vend kanë qenë nën ndikimin e goditjeve të ofertës, të materializuara në çmime të larta të mallrave të importit. Ky efekt u shfaq më i moderuar në muajt korrik-gusht dhe, në mungesë të goditjeve të papritura, ai pritet të zbehet më tej në muajt e ardhshëm. Gjithashtu, efektet e raundit të dytë shfaqen të përmbajtura, nën ndikimin e pritjeve të kontrolluara të agjentëve ekonomikë për inflacionin. Nga ana tjetër, ambienti i brendshëm ekonomik ka prodhuar presione të kontrolluara inflacioniste. Rritja e ngadaltë e kërkesës agregate ka sjellë shfrytëzimin jo të plotë të faktorëve të prodhimit dhe ka kontrolluar presionet afatgjata inflacioniste në ekonomi.

Kështu, inflacioni bazë rezultoi 2.9% në muajin korrik, duke shfaqur një tendencë në rënie dhe duke qenë pranë objektivit tonë të inflacionit.

Të dhënat e reja ekonomike të përftuara gjatë muajit shtator janë të pakta. Në vijim të analizave tona të mëparshme, si dhe duke u mbështetur në informacionin e ri të disponuar, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje gjatë vitit 2011. Aktiviteti ekonomik është mbështetur kryesisht nga shpenzimet publike dhe rritja e eksporteve, ndërkohë që kërkesa e sektorit privat të ekonomisë ka patur një ecuri pozitive të ngadaltë. Konsumi dhe investimet janë mbështetur nga kreditimi i sistemit bankar, por rritja e tyre kushtëzohet nga hezitimi në kryerjen e shpenzimeve.

Në përputhje me buxhetin e rishikuar, sjellja fiskale gjatë dy muajve të fundit është karakterizuar nga reduktimi i ritmit të kryerjes së shpenzimeve dhe një rritje më e ulët e deficitit buxhetor. Stimuli fiskal ka qenë më i pranishëm në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që në muajt në vazhdim politika fiskale ka qenë më e përmbajtur, gjë që është reflektuar në zbutjen e ritmeve të rritjes vjetore të deficitit.

Deri në muajin gusht, shpenzimet buxhetore kanë shënuar një rritje vjetore prej 5.2% në terma vjetorë, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë të ngadalta, duke shënuar një rritje prej 2.2%. Deficiti buxhetor rezultoi 30.6 miliardë lekë në fund të muajit gusht.

Kërkesa e huaj vijon të mbështesë rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Eksportet shënuan një rritje vjetore prej 28.8%, në muajin korrik. Nga ana tjetër, importet vijuan ngadalësimin e nisur në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 4.6% në terma vjetorë. Rritja e eksporteve dhe ngadalësimi i importeve u materializuan në ngushtimin e deficitit tregtar në muajin korrik, i cili u tkurr me 6.0%, në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, pozicioni i jashtëm i ekonomisë mbetet një dobësi strukturore e ekonomisë shqiptare, e cila reflekton nevojën për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregjet botërore dhe kushtëzon efektivitetin e politikave stimuluese makroekonomike.

Analiza e treguesve të tërthortë të konsumit privat tregon për një ecuri të moderuar të tij. Konsumi vijon të vuajë nga pasiguria e perceptuar nga familjet shqiptare, duke i shtyrë ato të rritin normën e kursimit, megjithëse të ardhurat agregate shfaqen në rritje. Ecuria e investimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë në periudhën në fjalë, por ajo ruan norma pozitive rritjeje.

Ky opinion mbështetet nga ecuria e mirë e investimeve të huaja direkte, të cilat shënuan një rritje prej 38% gjatë tremujorit të dytë, dhe rritja e importit të mallrave kapitalë, të cilët sugjerojnë një rritje të investimeve private në ekonomi. Megjithatë, kjo rritje kushtëzohet nga fakti se shumë biznese janë duke operuar nën kapacitetet e tyre prodhuese, duke kufizuar nevojat e tyre për investime të reja.

Presionet inflacioniste me natyrë monetare mbeten të kontrolluara në afat të mesëm. Rritja vjetore e ofertës së parasë, M3, e cila rezultoi 11.2% në muajin korrik, ka ruajtur ritmet mesatare të vërejtura vitin e fundit. Kërkesa për para është ndikuar nga rritja e moderuar e kërkesës së sektorit privat për financim. Kredia për sektorin privat u rrit me 12.5% në muajin korrik, e nxitur nga rritja relativisht e qëndrueshme e kredisë për biznese private dhe gjallërimi i kredisë për individë. Ndonëse sistemi bankar ka lehtësuar kushtet e financimit, Banka e Shqipërisë gjykon se ka ende hapësira për përmirësimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në funksion të kredive për zhvillimin e investimeve private.

Zhvillimet në tregjet financiare dëshmojnë për ulje të primeve të rrezikut dhe të likuiditetit. Në tregun ndërbankar, vëllimi i tregtimit është rritur më tej dhe normat e interesit kanë shënuar rënie, duke qëndruar më pranë normës bazë dhe duke shfaqur luhatshmëri të ulët. Kërkesa më e moderuar e qeverisë për financim është reflektuar në frenimin e tendencës rritëse të yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar. Gjithashtu, kurba e yield-eve e ka ruajtur pjerrësinë e saj, duke dëshmuar për pritje të ulëta të inflacionit nga agjentët e tregut financiar.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, gjendja e sistemit financiar dhe e sektorit bankar vlerësohet e qëndrueshme. Sektori bankar, ka zgjeruar më tej veprimtarinë dhe ka rritur peshën e tij në ekonominë e vendit. Situata e likuiditetit paraqitet e mirë, në kushtet kur rritja e depozitave të publikut vijon me ritme të kënaqshme; ato mbulojnë më shumë se një herë vlerën e kredive dhe huamarrja nga jorezidentët është në nivele të ulëta.

Të dhënat tregojnë që ritmi i rritjes së kredisë po përmirësohet, por cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të bjerë. Sektori bankar ruan ritme të qëndrueshme të rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe të fitimit operativ bruto.

Por rritja e nevojshme e fondeve rezervë për mbulimin e rrezikut të kreditit, ka ndikuar në rënien e rezultatit financiar neto të sektorit bankar, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rezultati financiar vijon të mbetet pozitiv dhe i përqendruar. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur në rënie, ndonëse mbetet dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar nga kuadri rregullativ.

Analiza e qëndrueshmërisë ndaj rreziqeve të ndryshme, tregon që rreziku i kreditit përfaqëson burimin kryesor të rrezikut për sektorin bankar. Më tej, sektori bankar paraqitet më i mbrojtur nga rreziqet e drejtpërdrejta të tregut, por mbetet i ekspozuar ndaj efektit mbi cilësinë e kredisë, të lëvizjeve të padëshiruara në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit. Për këtë çështje, nëpërmjet funksionit të saj mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat tregtare që të sigurojnë paralelisht identifikimin e saktë dhe në kohën e duhur të kredive me probleme dhe krijimin e fondeve përkatëse rezervë, si dhe të realizojnë veprime të vendosura për rikuperimin e vlerave të kredive të humbura, nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve. Këto veprime, të kombinuara me masat për uljen e mëtejshme të kostove operative, do të krijonin gradualisht kushtet për gjenerimin e një rezultati financiar të qëndrueshëm dhe pozitiv, i cili do të mbështeste më mirë nevojat për kapital të sektorit bankar.

Në një afat më të shkurtër, Banka e Shqipërisë vlerëson dhe ka kërkuar që sektori bankar të fuqizojë kapitalizimin e veprimtarisë, nëpërmjet rritjes së kapitalit nga aksionerët. Banka e Shqipërisë e ka orientuar dhe monitoruar nga afër këtë proces, në mënyrë që ai të kryhet në përputhje me strategjitë e zhvillimit të veprimtarisë dhe ecurinë e rreziqeve përkatëse. Procesi i forcimit të treguesve të kapitalizimit në sektorin bankar, përfshin krijimin e madhësive të mjaftueshme të kapitalit mbi nivelin minimal të kërkuar. Procesi vijon të ecë sipas përcaktimeve në komunikimin që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar me sektorin bankar. Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar do të mbetet i qëndrueshëm dhe do të krijojë kushtet për rritjen e kontributit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.

Vlerësimet tona për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen, sugjerojnë për vazhdimësi të rritjes ekonomike edhe në pjesën e mbetur të vitit. Kërkesa e huaj dhe ajo e sektorit publik do të vijojnë të japin kontribut pozitiv në rritjen e kërkesës agregate, por në një masë më të moderuar, në krahasim me pjesën e parë të vitit. Ecuria e kërkesës së sektorit privat mbetet një faktor i rëndësishëm i përcaktimit të rritjes ekonomike në të ardhmen.

Masat e marra për konsolidimin fiskal dhe situata e pafavorshme në tregjet botërore e në partnerët tanë tregtarë, do të zhvendosin fokusin afatshkurtër të rritjes ekonomike mbi kërkesën e brendshme të ekonomisë: konsumin dhe investimet private.

Aftësia e këtyre agregateve për të kompensuar ngadalësimin e pritur të dy mbështetësve kryesorë të rritjes së deritanishme, do të kushtëzojë ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë 2-3 tremujorëve të ardhshëm. Në një analizë më afatgjatë, ecuria e ekonomisë shqiptare do të përcaktohet nga rritja e shkallës së konkurrueshmërisë dhe të produktivitetit të saj, si dhe nga zgjerimi i prezencës së mallrave e shërbimeve tona në tregun e eksportit. Kjo kërkon thellimin e reformave strukturore, në nivel makro dhe mikroekonomik, si dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare e makroekonomike të vendit.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste janë në rënie dhe mbeten të kontrolluara në afat të mesëm. Zhvillimet në ekonominë shqiptare do të vazhdojnë të prodhojnë presione të dobëta inflacioniste, si rrjedhojë e veprimit të hendekut negativ të prodhimit. Nga ana tjetër, presionet e ardhura nga zhvillimet në ekonominë botërore, pritet të jenë në rënie. Pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin mbeten të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 5.00 për qind. Një vendim i tillë i shërben arritjes së objektivit për inflacionin në periudhën afatmesme dhe njëkohësisht, ofron kushtet monetare të nevojshme për stimulimin e aktivitetit ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë mbetet plotësisht e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe financiare, duke synuar të ndërmarrë gjithnjë hapat e duhur për përmbushjen e mandatit të saj.