BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 30 qershor 2010

Data e publikimit: 30.06.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 30 qershor 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe me projeksionet e tyre për të ardhmen, në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25%.

***

Ekonomia botërore është karakterizuar nga rritja e aktivitetit ekonomik gjatë muajve të parë të vitit 2010, e nxitur nga gjallërimi i kërkesës së vendeve në zhvillim, politikat stimuluese të ndjekura nga vendet e zhvilluara dhe rritja e tregtisë ndërkombëtare. Projeksionet për të ardhmen sugjerojnë vazhdimësinë e rikuperimit në pjesën më të madhe të ekonomive. Megjithatë, papunësia mbetet në nivele të larta, duke reflektuar besimin e ulët të bizneseve në të ardhmen dhe investimet e pakta të tyre për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Presionet inflacioniste, megjithëse të ulëta, kanë vazhduar të shfaqin prirje rritëse gjatë vitit 2010, si rrjedhojë e gjallërimit të kërkesës në nivel botëror. Tregjet financiare kanë shfaqur luhatshmëri të shtuar, në përgjigje të shqetësimeve të aktorëve kryesorë të tregut lidhur me problemet e borxhit publik të disa prej vendeve të Eurozonës. Nevoja për konsolidim buxhetor në pjesën më të madhe të këtyre vendeve si pasojë e përkeqësimit të treguesve fiskalë pritet të kushtëzojë në një masë të madhe zhvillimet ekonomike në të ardhmen.

Takimi i fundit i G20, i cili përfaqëson një nga forumet më të larta botërore për diskutimin e politikave ekonomike, doli me një mesazh të qartë për nevojën e konsolidimit fiskal dhe fillimin e përpjekjeve të menjëhershme për kontrollin e borxhit publik.

Duke iu kthyer ekonomisë vendase, të dhënat e disponueshme gjatë muajit të fundit tregojnë për një zhvillim të ngadaltë të ekonomisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2010. Ecuria e dobët e komponentëve të kërkesës së brendshme është kompensuar nga një kontribut më i lartë i kërkesës së jashtme, si rrjedhojë e rritjes së konsiderueshme të eksporteve. Gjithsesi, në përputhje me parashikimet tona, Banka e Shqipërisë konstaton se aktiviteti ekonomik ka shënuar një përmirësim gradual gjatë kësaj periudhe, trajektore të cilën ai pritet ta ruajë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Inflacioni ka ardhur në rënie, nën ndikimin e presioneve të ulëta inflacioniste të prodhuara nga ambienti i brendshëm ekonomik.

Tregjet financiare paraqiten të stabilizuara, të karakterizuara nga një ecuri rënëse e normave të interesit, një situatë e përmirësuar e likuiditetit në sistemin bankar dhe një ecuri më e qetë e kursit të këmbimit.

Ecuria e shpenzimeve konsumatore gjatë gjysmës së parë të vitit ka vijuar të ndikohet nga burime të kufizuara të financimit dhe nivele të ulëta të besimit të konsumatorëve.

Tregues të tërthortë, si:

  • rritja e ulët e shitjeve me pakicë;
  • rënia e remitancave dhe e kredisë për konsum;
  • si dhe, ngadalësimi i treguesve të punësimit,

dëshmojnë për një ecuri të ngadaltë të konsumit privat gjatë muajve të parë të vitit.

Kontributi i investimeve private në rritjen ekonomike vlerësohet të jetë negativ. Niveli i ulët historik i shfrytëzimit të kapaciteteve të lira në ekonomi, shkalla e ulët e treguesve të besimit të bizneseve, tkurrja e importit të mallrave të ndërmjetme dhe kapitale dhe ngadalësimi i kredisë, sugjerojnë se niveli i investimeve ka qenë i ulët në këtë periudhë.

Nga ana tjetër, rikuperimi i lehtë i kredisë për qëllime investimi dhe rritja e importit të mallrave të ndërmjetme në muajt e parë të tremujorit të dytë të këtij viti, mund të sinjalizojnë një kthim të mundshëm të këtij komponenti të kërkesës agregate gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Sektori publik ka vijuar të ndjekë një politikë fiskale stimuluese gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2010. Deficiti buxhetor për këtë periudhë rezultoi 11.6 miliardë lekë, i kushtëzuar nga rritja vjetore me 4% e të ardhurave buxhetore dhe tkurrja vjetore me 3% e shpenzimeve publike.

Duke ndjekur me vëmendje ecurinë aktuale dhe të pritshme ekonomike, si dhe duke vlerësuar me shqetësim implikimet e saj për treguesit fiskalë, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

Mbajtja e deficitit buxhetor në parametra të shëndetshëm do të rrisë besimin në qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik, duke zvogëluar kështu primet e rrezikut në tregjet financiare. Gjithashtu, ulja e presionit në tregjet e brendshme financiare do të ndihmojë në kontrollin e normave afatgjata të interesit, duke lehtësuar aksesin e sektorit privat në tregun e kredisë. Në këtë kontekst, rishikimi i planifikuar i Buxhetit të Vitit 2010 duhet të bazohet në një plan realist të të ardhurave buxhetore, duke parashikuar njëkohësisht masat e nevojshme korrektuese për pakësimin e shpenzimeve publike dhe kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor.

Eksportet neto kanë rritur kontributin e tyre pozitiv në kërkesën agregate gjatë katër muajve të parë të vitit. Kjo ecuri është diktuar nga rritja vjetore prej 47% e eksporteve gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që importet kanë ruajtur një nivel të krahasueshëm me një vit më parë. Këto zhvillime janë materializuar në ngushtimin e mëtejshëm të deficitit tregtar, i cili është tkurrur me rreth 14% në terma vjetorë gjatë katër muajve të parë të vitit.

Përtej ndikimit pozitiv në rritjen ekonomike, ky korrektim i nevojshëm i ka shërbyer edhe stabilizimit të vlerës së monedhës vendase. Tregtimi i lekut është shfaqur më i qëndrueshëm dhe me luhatshmëri më të ulët gjatë kësaj periudhe.

Zhvillimet në zërat e tjerë të bilancit të pagesave gjatë tremujorit të parë të vitit tregojnë për një reduktim të ndjeshëm të financimit të huaj. Remitancat vlerësohen të jenë tkurrur me 6.7% gjatë kësaj periudhe, duke financuar vetëm 40.6% të deficitit tregtar.

Megjithëse investimet e huaja direkte kanë patur një ecuri pozitive, duke regjistruar një rritje vjetore prej rreth 26%, suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare ka arritur të financojë vetëm 41.2% të deficitit korent. Ky suficit ishte rreth 63% më i ulët në krahasim me një vit më parë.

Qëndrueshmëria afatgjatë e pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë mbetet një dobësi, e cila meriton vëmendje të vazhdueshme në nivelin e hartimit dhe të zbatimit të politikave ekonomike.

Ecuria e ngadaltë e kërkesës së brendshme është reflektuar në kërkesë të ulët për mjete monetare. Oferta monetare shënoi një rritje vjetore nominale prej 7.5% në muajin prill. Krijimi i parasë në ekonomi vijon të mbështetet kryesisht nga zgjerimi i mjeteve valutore neto të sistemit bankar. Ndërkohë, kredia për sektorin privat ka shënuar në muajin prill një rritje vjetore prej 7%.

Të dhënat e kredisë gjatë dy muajve të fundit paraqesin një dinamikë pozitive, duke shfaqur norma më të larta rritjeje mujore të kredisë dhe, në veçanti, një rritje më të shpejtë të kredisë për investime. Megjithatë, kredia vazhdon të rritet me norma të ulëta, në reflektim të një kërkese të moderuar për kredi nga agjentët ekonomikë dhe të kushteve krahasimisht të shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga sistemi bankar, si pasojë e kujdesit të shtuar të tij.

Rritja e depozitave ka sjellë përmirësimin e bilancit të sistemit bankar, të treguesve të likuiditetit dhe të kapitalizimit të tij. Ky zhvillim duhet të reflektohet në një rol më aktiv të këtij sistemi në drejtim të kreditimit të ekonomisë.

Përmirësimi i treguesve të likuiditetit në sistem, huamarrja e kontrolluar e sektorit publik në tregjet e brendshme financiare, ulja e primeve të rrezikut në të dhe pritjet e ankoruara inflacioniste, kanë kushtëzuar rënien e normave të interesit në tregjet financiare.

Gjithashtu, tregu financiar paraqitet më i qetë dhe nivelet e tregtimit në të janë rritur. Rënia e normave të interesit të depozitave, kredive dhe letrave me vlerë të qeverisë ka vazhduar edhe gjatë dy muajve të fundit, duke ndihmuar në krijimin e kushteve më të përshtatshme për stimulimin e aktivitetit ekonomik.

Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e kësaj tendence duhet të vijojë të mbështetet nga kontributi i të gjitha elementeve të përmendura më sipër.

Zhvillimet ekonomike të kësaj periudhe kanë prodhuar presione të ulëta inflacioniste. Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 3.1% në muajin maj, duke qenë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Norma vjetore e inflacionit shfaqet në rënie për të tretin muaj radhazi, duke konfirmuar pritjet dhe parashikimet tona për ndikimin kalimtar të goditjeve të ofertës. Nga ana tjetër, presionet nga kahu i kërkesës së brendshme janë në kahun rënës.

Kjo dëshmohet edhe nga vlerat e ulëta historike të inflacionit bazë dhe të atij të çmimeve të mallrave të patregtueshme, përkatësisht 1.2 dhe 1.3%.

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme. Duke patur në vëmendje respektimin e objektivit për inflacionin, Banka e Shqipërisë ka vijuar të jetë e pranishme në treg duke ofruar likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës miratoi ndryshimin e objektivit operacional të politikës monetare, i cili tashmë do të jetë orientimi i normave afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Ky ndryshim do të rrisë efektivitetin dhe transparencën e politikës monetare, si dhe do të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të tregut ndërbankar. Banka e Shqipërisë ka marrë gjithë masat e nevojshme për zbatimin me sukses të këtij projekti.

***

Gjatë diskutimeve të tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konkludoi se, në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni i çmimeve të konsumit në periudhën afatmesme do të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për të. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare janë të përshtatshme për respektimin e këtij objektivi. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25%.

Ky vendim, gjykohet i përshtatshëm për situatën në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare, duke siguruar në të njëjtën kohë kushtet e nevojshme monetare për mbështetjen e zhvillimit të shëndetshëm të saj.

Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë duke faktorizuar ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë në vend.

Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të bëhen pjesë e kësaj filozofie duke dhënë kontributin e tyre në rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.