BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në konferencën për shtyp me misionin e FMN-së

Data e publikimit: 06.11.2006

 

Në takimet e zhvilluara me misionin e radhes të FMN, gjatë këtyre dy javëve të fundit, kemi ndarë mendime të njëjta për zhvillimet më te fundit monetare dhe ekonomike dhe pritshmerive afatmesme.

Ekonomia e vendit vazhdon të mbetet brenda pritshmerive tona të fillim vitit. Inflacioni ka qenë nen kontroll brenda objektivit te BSh megjithese ka treguar një prirje rritese nga viti i kaluar. Politika monetare e ndjekur deri tani nga Banka e Shqipërisë ka qenë e përshtatshme për kontrollin e presioneve inflacioniste. Rritja e normës bazë të interesit në fund të muajit korrik shërbeu për të kontrolluar rritjen e kerkeses dhe për të sinjalizuar gadishmërinë tonë për ruajtjen e stabilitetit të cmimeve. Do të theksoja se Banka e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë ndjekjen e një politike të kujdesshme monetare duke monitoruar zhvillimet të cilat mund të ndikojnë negativisht stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar.

Zgjatja e maturimit të letrave me vlerë të emetuara nga qeveria (sot u prezantua dhe obligacioni 5-vjecar) ka rritur nevojën dhe nxitjen për zhvillimin e tregut sekondar të tyre. Në këtë drejtim BSh po punon intensivisht për ngritjen e infrastruktures së nevojshme për lehtësimin e veprimeve në tregun sekondar të letrave të qeverisë. Më konkretisht, zbatimi i sistemit të lëvizjes të njëkohshme të fondeve dhe të pronësisë (DVP) vitin tjetër përbën një hap të rëndësishëm. Përvec kësaj, Banka e Shqipërisë po punon për informatizimin e regjistrit të letrave me vlere të mbajtura prej saj, gjë që do të ndihmojë njëkohësisht edhe zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tregut të parasë.

Stabiliteti i sistemit bankar në veçanti dhe i atij financiar në përgjithësi, përbën një përparësi të Bankës së Shqipërisë. Përkushtimi ynë në këtë drejtim merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve në tregun e kredisë, e cila ka vazhduar të shënojë rritje. Zhvillimet pozitive të vitit të kaluar në sistemin bankar janë evidentuar dhe gjatë këtij viti. BSh ka rritur kujdesin që keto zhvillime pozitive të jenë sa me të qendrueshme. Për këtë qëllim ka nisur një dialog intensiv me sistemin bankar për zbatimin e masave që kanë si qëllim ruajtjen e cilësisë së aktivitetit bankar sidomos atij kreditues.

Në përfundim do të falenderoja misionin e FMN për ndihmen dhe idetë konstruktive të dhënë gjatë kësaj periudhe të rëndësishme që po kalon ekonomia e vendit.