BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp për publikimin e Vrojtimeve të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit

Data e publikimit: 16.02.2009

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Organizojmë këtë takim për të shpallur publikimin e rezultateve të Vrojtimeve të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit. Këto vrojtime përfaqësojnë një projekt të rëndësishëm afatgjatë të Bankës së Shqipërisë. Nga dita e sotme, çdo tre muaj, Banka e Shqipërisë do të bëjë publike këto rezultate së bashku me materialet ndihmëse për përdoruesit, ku bëjnë pjesë kalendari i publikimeve, metodologjia mbi të cilën ato janë hartuar si dhe pyetësorët përkatës. Duke e konsideruar si ditë të veçantë këtë të sotmen, gjej rastin të ndaj me ju disa ide më shumë mbi rëndësinë e treguesve të besimit, mënyrën e ndërtimit të tyre, dhe seriozitetin që Banka e Shqipërisë i ka kushtuar këtij projekti.

Publikimi i treguesve të besimit të biznesit dhe të konsumatorit përbën një moment të rëndësishëm në drejtim të rritjes së transparencës së Bankës së Shqipërisë. Këta tregues prej disa vitesh prodhohen dhe përdoren nga specialistët dhe strukturat vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë, por tashmë gjykojmë se ka ardhur koha që këtë produkt të dobishëm ta ndajmë me përdoruesit potencialë të të gjitha niveleve. Gjej me vend të theksoj se rezultatet e përftuara nga përpunimi i përgjigjeve të bizneseve dhe të konsumatorëve janë plotësisht të pavarura dhe të pandikuara nga Banka e Shqipërisë, nga konjuktura ekonomike, financiare dhe politike brenda apo jashtë vendit. Të gjithë përdoruesit e këtij informacioni duhet të jenë të ndërgjegjshëm që ky informacion nuk zëvendëson apo dublon në asnjë rast statistikat zyrtare makroekonomike. Këta tregues cilësorë hartohen në bazë të opinioneve dhe pritjeve të agjentëve ekonomikë të intervistuar.

16

Do të doja të isha më konkret në këtë pikë të fjalës sime.

Banka e Shqipërisë, me përgjegjshmërinë, pavarësinë dhe shkallën e transparencës institucionale që gëzon, por edhe me profesionalizmin e lartë që synon, është pjesë aktive dhe proaktive e zhvillimit ekonomik të vendit. Analiza ekonomike është në funksion të drejtpërdrejtë të procesit të vendimmarrjes së politikës monetare. Në esencë, vendimmarrja i paraprin zhvillimeve në terma afatmesëm, në mbështetje të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si objektiv parësor i politikës monetare që harton e zbaton në mënyrë të pavarur Banka e Shqipërisë. Vendimmarrja e përshtatshme, mundësohet mbi bazën e një analize të thellë të zhvillimeve të kaluara, korente por mbi të gjitha, të asaj që parashikohet të ndodhë në ekonomi. Ju siguroj që ndërtimi i “një pikture” të plotë, të të tashmes dhe të të ardhmes për një ekonomi, është një proces mëse i vështirë, jo vetëm për ekonomitë në zhvillim, si kjo e jona, por edhe për ekonomitë më të zhvilluara në botë. Zhvillimet ekonomike dhe financiare shoqërohen me elemente pasigurie, të cilat siç e dini, në dy vitet e fundit janë bërë dominante.

Të marrësh vendime për të ardhmen në këtë botë, tashmë të globalizuar të lidhjeve ekonomike, kërkon maturi profesionale. Të vlerësosh dhe të përzgjedhësh informacionin e duhur dhe të besueshëm statistikor në trafikun e lartë të lëvizjes së tij, kërkon aftësi të thella intuitive. Ta kthesh në të dobishëm bagazhin e selektuar të informacionit për vendimmarrjen kërkon largpamësi analitike. Në fakt, vendimet për të ardhmen duhen marrë në bazë të një informacioni sa më të gjerë dhe në kohë; ato duhen konsultuar në vazhdimësi me agjentë të specializuar të tregut ekonomik dhe financiar.

Përpjekjet tona, ashtu si edhe ato të bankave të tjera qendrore, tentojnë drejt rritjes së bazës së informacionit sasior e cilësor, për të përmirësuar analizat dhe procesin e vendimmarrjes. Ne mbështetemi në përvojat më të përparuara, në hapat e rinj që hedhim. Finalizimi i projektit disavjeçar të Bankës së Shqipërisë, përgjatë të cilit u konsoliduan Treguesit e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, përbën realizimin e njërës prej pikave të strategjisë së zhvillimit afatmesëm të institucionit tonë. Vendimi për publikimin e këtyre treguesve kaloi nëpër një proces të matur dhe u maturua vetëm pasi ekspertët dhe vendimmarrësit në Bankën e Shqipërisë, krijuan bindjen se, treguesit e besimit krahas treguesve të tjerë, jepnin informacione të vlefshme shtesë në lidhje me zhvillimet më të fundit dhe të ardhshme në sektorin real të ekonomisë së vendit.

Më lejoni t’ju përmbledh në pak fjali disa koncepte bazë mbi treguesit e besimit, të tendencës dhe ata paraprirës. Ata kanë gjetur një përdorim të gjerë në shumë vende të botës së zhvilluar, sidomos gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Këta tregues ndërtohen në bazë të informacionit që merret nga proceset e vrojtimeve, që në terminologjinë teknike njihen si Vrojtimet e Tendencës/Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit. Banka e Shqipërisë i realizon këto vrojtime në bashkëpunim me INSTAT. Kërkesat në rritje të analistëve, të vendimmarrësve, të agjentëve të tregut dhe të publikut të gjerë, për informacion ekonomik në kohë thuajse reale, si edhe aftësia e këtyre treguesve për të sinjalizuar pikat e kthesës në ciklin e biznesit, i kanë bërë ata mjaft të njohur dhe të përdorur. Veçori e këtyre treguesve është se japin informacion për prirjen e treguesve të ndryshëm të ekonomisë, bazuar në opinione cilësore të marra pranë bizneseve dhe konsumatorëve.

Banka e Shqipërisë ka punuar për disa vite në ndërtimin e këtyre treguesve, duke u mbështetur në rezultatet e vrojtimeve në shkallë të gjerë pranë rreth 720 bizneseve dhe 1200 konsumatorëve. Bashkëpunimi me lider botërorë në këtë fushë ka qenë mëse eficient. Ekspertë të Institutit gjerman të Studimeve Ekonomike Ifo, kanë mbështetur procesin metodologjik dhe të analizës ekonomike mbi bazën e treguesve të besimit të biznesit. Në këtë punë disavjeçare, ekspertë të Bankës së Shqipërisë kanë studiuar dhe aplikuar aspekte të rëndësishme të metodologjive bashkëkohore të ndjekura nga vende të OECD dhe nga ato të zbatuara nga Komisioni Evropian. Për të ardhur deri në ditën e marrjes së vendimit për publikimin e këtyre treguesve, janë bërë studime dhe testime të vazhdueshme të zhvillimeve të sugjeruara nga këta tregues dhe atyre të verifikuara më pas, nga statistikat e publikuara nga INSTAT. Shkalla e përputhshmërisë së prirjeve nga dy burimet është vlerësuar statistikisht e rëndësishme, gjë që u jep atyre vlera përdorimi. Metodologjitë dhe gjetjet e ndryshme empirike janë prezantuar në tryeza të rrumbullakëta të nivelit teknik, si edhe në materiale studimore e artikuj të hartuar nga ekspertë të Bankës. Prej mëse katër vitesh, rezultatet e sjella nga këta tregues, janë marrë gjithnjë e më shumë në konsideratë nga vendimmarrja në Bankën e Shqipërisë. Me anë të tyre është mundësuar ndërtimi i treguesit të rëndësishëm të pritjeve të inflacionit. Me anë të tyre merret informacion paraprak në lidhje me ecurinë e pritshme të çmimeve të prodhimit, një hallkë e rëndësishme e procesit çmimformues në ekonomi. Prirjet për konsum dhe për kursim të popullatës lëvrohen nëpërmjet treguesve përkatës. Në përfundim treguesi i tendencës ekonomike është ai që kombinon opinionet e bizneseve dhe të konsumatorëve njëherësh, duke sinjalizuar për zhvillimet ekonomike në një periudhë të ardhshme afatshkurtër.

Do të doja të flisja më shumë për rëndësinë dhe dobinë informative që mbartin treguesit e besimit dhe ata paraprirës. Më shumë do të të doja të theksoja respektin që duhet të kenë ndaj tyre përdoruesit që zgjedhin të orientohen edhe nëpërmjet tyre, në fluksin e madh të informacionit. Në fakt po e konsideroj këtë vetëm fillimin e një bashkëbisedimi të mirëkuptuar e transparent. Takime e aktivitete të tjera të veçanta, të ndërtuara për këtë qëllim, do të pasurojnë njohuritë e grupeve të ndryshme të të interesuarve mbi treguesit e besimit apo të tendencës. Kam besim në vlerat e shtuara që këta do t’i sjellin analizave të përdoruesve. Por, këshilloj dhe kërkoj nga përdoruesit, studiuesit, gazetarët ekonomikë të mediave të shkruara dhe elektronike, studentët e nxënësit, bizneset e konsumatorët, publiku i gjerë, që përpara se këta tregues të përdoren prej tyre duhet që t’i kuptojnë saktë. Ato janë prirje të rezultuara nga opinionet e bizneseve dhe të konsumatorëve dhe jo qëndrime zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Banka i ka ndërtuar ato në bazë të një metodologjie të përparuar. Ajo përdor informacionin që ata sjellin dhe u beson këtyre treguesve, sepse beson në vlerësimet cilësore të bizneseve dhe të konsumatorëve që intervistohen. Publikimi i tyre rrit transparencën me publikun dhe e bën më të kuptueshëm procesin e vendimmarrjes. U takon përdoruesve të zgjedhin nëse i preferojnë apo jo këta tregues. Unë ju siguroj që ekspertë të Bankës së Shqipërisë do të jene pranë përdoruesve për t`i mirinformuar ata, duke theksuar se përmirësime të mëtejshme do të bëhen në këtë fushë.

Ju faleminderit për vëmendjen!