BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp të organizuar në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sistemit Financiar, Hotel Tirana International, 15 dhjetor 2005

Data e publikimit: 15.12.2005

 

Kam kënaqësinë që jam sot këtu së bashku me Ministrin e Financave, z. Bode dhe zj. Laura Kodres, eksperte e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe një prej drejtuesve të misionit FSAP, me rastin e prezantimit të një dokumenti shumë të rëndësishëm siç është vlerësimi i sektorit financiar të vendit ose siç njihet ndryshe FSAP .

Në emër të institucionit që unë drejtoj përfitoj nga rasti që të falenderoj Misionin e përbashkët të FMN-së dhe BB-së, për punën e mrekullueshme, që ata bënë gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë. Ky vlerësim është një pasaportë shumë e rëndësishme financiare, një hap i parë serioz për një vlerësim profesional dhe të sinqertë të sistemit financiar në Shqipëri, duke mos anashkaluar asnjë segment të tij.

Një falenderim të veçantë dëshiroj t'i adresoj edhe autoriteteve të larta të FMN-së dhe BB-së, të cilat e konsideruan të arsyeshme kërkesën tonë për të dërguar në Tiranë përfaqësuesit e tyre për të mundësuar prezantimin publik të gjetjeve dhe të rekomandimeve të dala nga ky vlerësim.

Sinqerisht shpresoj që konkluzionet e bëra prezent nga zonja Kodres do të vlerësohen drejt dhe objektivisht prej jush. Dëshiroj të theksoj se rekomandimet e lëna nga misioni FSAP janë një ndihmë e madhe që duhen kuptuar dhe interpretuar drejt. Ato janë një ndihmë e madhe për çdo vendimmarrës, për çdo institucion mbikëqyrës, për çdo operator tregu, ku pa dyshim nuk mund t'iu përjashtoj edhe juve, mediat. Mënyra se si do të monitoroni dhe si do të përcillni mesazhet në publik është shumë e rëndësishme dhe në emër të Bankës së Shqipërisë dëshiroj të theksoj se ne do të jemi shumë të hapur në këtë drejtim.

Për këtë qëllim, prej pak kohësh kemi bërë operative zyrën e komunikimit, duke plotësuar kështu edhe një nga rekomandimet afatshkurtra të FSAP-it. Përfitoj nga rasti të theksoj se në planet tona të afërta jemi duke menduar për një stil më bashkëkohor, veçanërisht në drejtim të përgatitjes dhe të lançimit të paketave edukative dhe trainuese, të destinuara për grupe të ndryshme të interesit.

  • Ne si institucion që në momentin që jemi njohur me sugjerimet e FSAP-it kemi filluar punën për t'i renditur ato sipas përparësive dhe sipas përkatësisë institucionale. Ashtu siç e monitoruat edhe ju, gjatë forumit të fillimdhjetorit ne diskutuam gjerësisht në lidhje me Komitetin e Politikës Monetare.
  • Në lidhje me zhvillimet në tregun bankar, Banka e Shqipërisë po i qëndron angazhimeve të saj në drejtim të shtimit të mundësive që bankat e nivelit të dytë kanë në tregun e letrave me vlerë. Më konkretisht,në muajin shtator nga ana jonë u aplikua komisioni për veprimet që kryhen në sportelet e saj, dhe në fillim të muajit dhjetor u vu në funksionim regjistri i letrave me vlerë me dy nivele. Në përputhje me rekomandimet e FSAP-it dhe me qëllim përmirësimin e administrimit ditor të likuiditetit u ndryshua baza rregullatore e kredisë brenda ditës.
  • Ka përfunduar dhe aktualisht jemi gati për t'ua kaluar bankave për mendim projektligjin e ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Bazuar dhe në konsulencën e specializuar ndërkombëtare, ne besojmë se ligji i ri do të jetë shumë bashkëkohor dhe do të adresojë një numër të madh çështjesh që ngrihen në formën e rekomandimeve nga FSAP-i.
  • Nga muaji korrik 2005 ka filluar funksionimi i sistemit të automatizuar të klerimit të pagesave me vlerë të vogël. Aktualisht, po punohet për plotësimin e kuadrit rregullativ në drejtim të shtimit të produkteve, duke synuar mbi të gjitha përfshirjen e pagave periodike për shërbimet utilitare që ofrohen në ekonomi.
  • Në muajin nëntor, nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u rishikua rregullorja "Për licencimin e subjekteve jobanka", me qëllim përfshirjen nën skemën e licencimit dhe të mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë të të gjitha institucioneve financiare jobankare, që ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë.
  • Në muajin tetor 2005, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi strukturën e re organizative të Bankës së Shqipërisë, duke i vënë një theks të veçantë forcimit të konsulencës juridike, shërbimit statistikor dhe komunikimit me publikun. Të treja këto funksione i gjykojmë shumë të rëndësishme veçanërisht në kontekstin e objektivave tanë për të ardhmen e politikës monetare dhe për integrimin me Bashkimin Evropian.
  • Një tjetër rekomandim afatshkurtër i FSAP-it për shtimin e transparencës nga ana e Bankës së Shqipërisë, tashmë është përmbushur. Cilido i interesuar mund të konsultohet nëpërmjet faqes sonë në internet me rregullat që ndjek Banka e Shqipërisë kur ndërhyn në tregun valutor ashtu sikurse keni rastin të njiheni me marrëveshjet ekzistuese të Bankës së Shqipërisë me Ministrinë e Financave.
  • Prej disa kohësh kemi intensifikuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe efektive në lidhje me Qendrën e Informacionit të Kredive. Duke e vlerësuar si një rekomandim shumë të rëndësishëm, kohët e fundit kemi shtuar kontaktet me Shoqatën e Bankave për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.
  • Është përfunduar tashmë dhe u kemi bërë prezent autoriteteve të FMN-së një plan konkret veprimesh për pjesën e rekomandimeve që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin dhe kompetencat e Bankës së Shqipërisë.

Ajo që mendoj se është shumë e rëndësishme ka të bëjë me asimilimin e plotë të çdo sugjerimi të bërë, dhe bazuar mbi këtë asimilim jemi munduar që të ndërtojmë një axhendë veprimesh realiste dhe plotësisht të mundshme. Ne mendojmë se realizimi me sukses i detyrave të përfshira në këtë plan veprimesh do të jetë një faktor i rëndësishëm që do të përmirësojë më tej stabilitetin financiar të sistemit bankar, do të ndikojë në ndërtimin e një infrastrukture pagesash dinjitoze, do të rrisë eficiencën e tregut financiar, do të perfeksionojë kapacitetet njerëzore si dhe do të krijojë një shtrat të sigurt për zhvillime më të sofistikuara në të ardhmen.

Për më tepër, shfrytëzoj këtë mundësi për të theksuar se Banka e Shqipërisë do të ofrojë të gjithë ekspertizën e saj në grupin ndërinstitucional që do të ngrihet në funksion të përmbushjes së shumë rekomandimeve të tjera, që rrjedhin nga raporti i FSAP-it. Ne shpresojmë që angazhimi i institucioneve të tjera, qofshin ato qendrore apo mbikëqyrëse do të jetë në lartësinë e duhur, në mënyrë që realizimi i rekomandimeve të bëhet në kohë.

Jam i bindur që me zotin Ministër të Financave kemi të njëjtin objektiv për t'i vendosur institucionet tona në pararojë të këtij procesi, me qëllim që të mundësojmë zgjerimin e hapësirave për zhvillim të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të sektorit financiar të vendit.

Vetëm kështu do të bëjmë të mundur krijimin e kushteve për një rivlerësim të dytë në një hark kohor trevjeçar, me qëllim jo vetëm verifikimin e plotësimit të rekomandimeve të lëna sot, por për të përcaktuar prioritete të reja në rrugën e zhvillimit të sistemit financiar të vendit.

Faleminderit.