BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 1 korrik 2015

Data e publikimit: 01.07.2015

 

Sot, në datën 1 korrik 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.0%.

Më lejoni të ndaj me ju arsyet dhe efektet e pritura të këtij vendimi.

Ecuria e inflacionit nën objektiv dhe dobësia ciklike e ekonomisë kanë kërkuar ndjekjen e një politike monetare stimuluese gjatë viteve të fundit.

Kjo politikë ka dhënë rezultate në kahun e pritur, por inflacioni vazhdon të mbetet nën objektiv dhe aktiviteti ekonomik është ende nën potencial. Ecuria e këtyre treguesve dikton ruajtjen e kahut dhe të intensitetit të stimulit monetar.

x dsc9478 copy 7511 0

Inflacioni është karakterizuar nga një tendencë rritëse gjatë pesë muajve të parë të vitit, por kjo tendencë shfaqet ende e brishtë dhe inflacioni mbetet nën objektiv.

Norma e inflacionit zbriti në nivelin 1.8% në muajin maj. Ky reduktim ishte në linjë me vlerësimet tona për ndikimin e përkohshëm të goditjeve të ofertës gjatë tremujorit të parë të vitit. Reduktimi i çmimit të ushqimeve në muajin maj, si dhe çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore, sollën dhe reduktimin e inflacionit në këtë muaj. Mallrat e tjerë të shportës së konsumit vijuan të japin kontribute të ulëta dhe të qëndrueshme në rritjen e inflacionit në vend.

Ecuria e inflacionit vazhdon të reflektojë presionet e ulëta inflacioniste, të cilat burojnë si nga dobësia ciklike e ekonomisë, ashtu edhe nga nivelet e ulëta të inflacionit në tregjet botërore. Këta faktorë pritet të jenë të pranishëm edhe gjatë disa tremujorëve në vazhdim. Inflacioni parashikohet të luhatet brenda intervalit 1.8-2.2% gjatë vitit 2015, por ai pritet të ndjekë një trajektore rritëse drejt objektivit gjatë dy viteve të ardhshëm.

Ekonomia parashikohet në rritje, por graduale dhe aktiviteti ekonomik pritet të mbetet akoma nën potencial gjatë vitit 2015.

Të dhënat e reja të sektorit real mbështetën vlerësimet tona të mëparshme për ngadalësimin e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit. Nga këndvështrimi i prodhimit, aktiviteti ekonomik vuajti pasojat e përmbytjeve dhe të çmimit të ulur të naftës në tregjet botërore. Nga këndvështrimi i kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë. Kërkesa e brendshme private vlerësohet e dobët, ndonëse ajo ka dhënë një ndikim të vogël pozitiv në rritjen ekonomike. Në veçanti, konsumi privat është goditur nga pagesa e borxhit të prapambetur të faturave të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, politika dhe treguesit fiskalë kanë vazhduar të ndjekin rrugën e konsolidimit fiskal. Deficiti buxhetor rezultoi me ulje deri në muajin maj, ndërsa shpenzimet publike shënuan një rritje të lehtë vjetore.

Politika monetare stimuluese është reflektuar në rënie të përgjithshme të normave të interesit, por reagimi i ekonomisë ndaj kushteve më të mira të financimit mbetet i ngadaltë.

Stimuli monetar është transmetuar në tregjet financiare: kostot e financimit të sektorit privat dhe publik janë në nivelet e tyre më të ulëta historike. Tregjet financiare operojnë në nivele të kënaqshme likuiditeti, por sektori bankar shfaqet hezitues në financimin e projekteve afatgjata. Gjithashtu, familjet dhe biznesi shfaqin kërkesë të ulët për financimin e konsumit dhe investimeve me kredi bankare. Për rrjedhojë, rritja e aktivitetit kreditues në katër muajt e parë të vitit ka rezultuar më e ulët nga sa pritej. Banka e Shqipërisë pret një rritje të ngadaltë të aktivitetit kreditues gjatë vitit 2015, por një përshpejtim të tij në vitet e ardhshme. Bilancet e shëndosha të sistemit bankar, programi për trajtimin dhe reduktimin e kredive me probleme, si dhe rikuperimi i pritur i kërkesës për kredi, pritet të stimulojnë një rritje më të shpejtë të aktivitetit kreditues.

Në mbyllje të analizës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se informacioni i ri nuk ndryshon pritjet tona për zhvillimet ekonomike dhe financiare në afat të mesëm.

Ngadalësimi ekonomik i tremujorit të parë pritet të jetë i përkohshëm. Për rrjedhojë, parashikimet tona për ecurinë e ekonomisë në afat të mesëm nuk kanë ndryshuar. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 dhe në dy vitet e ardhshme. Kushtet monetare stimuluese do të nxitin rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke krijuar premisa për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe për kthimin e ekonomisë në ekuilibër. Shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve prodhuese do të mbështesë rritjen e pagave e të punësimit dhe kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.

Në përputhje me këto parashikime, kahu dhe intensiteti aktual i stimulit monetar në ekonomi është i përshtatshëm për respektimin e objektivit tonë të inflacionit.

Gjithashtu, shpejtësia e kthimit të inflacionit në objektiv vlerësohet të jetë konsistente me ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Bazuar në analizat dhe parashikimet, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të kërkojë ruajtjen e normës bazë të interesit në nivele të ulëta edhe për disa tremujorë.

***

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës analizoi zhvillimet më të fundit në Greqi, rreziqet potenciale dhe kanalet e mundshme të transmetimit tyre, si dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë për administrimin e tyre në vazhdimësi.

Këshilli Mbikëqyrës informon opinionin publik se sistemi gëzon shëndet të plotë financiar, në kushtet e një likuiditeti të bollshëm dhe të një kapitalizimi të lartë. Banka e Shqipërisë ka ndjekur prej vitesh një politikë të shtuar kujdesi ndaj bankave me pjesëmarrje të kapitalit grek, duke iu imponuar atyre kushte më konservatore në lidhje me kapitalizimin e veprimtarisë dhe nivelin e likuiditetit. Të dhënat e fundit tregojnë se sistemi bankar shqiptar nuk është i ekspozuar ndaj sektorit publik grek apo ndaj grupeve private greke. Bankat me kapital grek përbëjnë 15% të totalit të sistemit bankar shqiptar, krahasuar me 25% në fund të vitit 2008.

Këshilli Mbikëqyrës thekson se vendimet e autoriteteve greke për kontrollin e lëvizjeve të kapitalit dhe për ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit bankar në Greqi, nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë aktivitetin e sistemit bankar në Shqipëri, përfshirë dhe bankat e licencuara me kapital grek. Këto të fundit janë entitete shqiptare, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, rregullues dhe atë mbikëqyrës, që zbatohet në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës garanton publikun se po monitoron pandërprerë situatën brenda dhe jashtë vendit. Ne po vlerësojmë me kujdes çdo skenar që mund të rrjedhë nga evoluimi i krizës greke, i cili mund të kërkojë rishikimin e parashikimeve tona ekonomike. Në çdo rast, ne mbetemi të gatshëm të marrim të gjitha masat e nevojshme për të respektuar objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, veçanërisht FMN dhe BQE, do të ndërmarrim veprimet e duhura për të ruajtur të paprekur stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.