BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 2 shtator 2015

Data e publikimit: 02.09.2015

 

Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mori në shqyrtim raportin e ndërmjetëm të politikës monetare. Informacioni i ri i analizuar në këtë raport ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet tona, ndonëse disa tregues rezultojnë në kahun e poshtëm të parashikimit. Për rrjedhojë, gjykimi ynë mbi dinamikën afatmesme të inflacionit dhe të rritjes ekonomike nuk ka ndryshuar.

Në mbyllje të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës arriti në përfundimin se: tendencat aktuale dhe të pritura të zhvillimit të ekonomisë, niveli aktual i stimulit monetar, si dhe përmirësimi i pritur i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, do të mundësojnë kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm. Për rrjedhim, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.0%.

Në vijim do të bëj një pasqyrë më të detajuar të analizës, të parashikimeve dhe të përfundimeve që motivuan këtë vendimmarrje.

  • Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë dy viteve të ardhshme.

Inflacioni shënoi një rënie të lehtë në muajin korrik, si pasojë e reduktimit të çmimeve të ushqimeve të freskëta të stinës. Analizat tona sugjerojnë se rënia e inflacionit të këtyre produkteve gjatë muajve të verës lidhet me rritjen e prodhimit bujqësor në këtë periudhë. Për këtë arsye, ky faktor pritet të ketë një ndikim, në masën më të madhe, kalimtar. Çmimet e artikujve të tjerë të shportës së konsumit nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme.

Nga këndvështrimi makroekonomik, inflacioni i ulët pasqyron efektin e një kërkese të zbehtë agregate dhe nivelin e ulët të çmimeve të artikujve bazë dhe të konsumit në tregjet botërore. Ndikimi i këtyre faktorëve do të vazhdojë të jetë i pranishëm në horizontin afatshkurtër. Inflacioni mesatar i vitit 2015 pritet të luhatet rreth nivelit 1.9%. Megjithatë, parashikimet tona afatmesme për inflacionin nuk kanë ndryshuar. Sipas tyre, inflacioni do të vazhdojë të rritet më tej gjatë dy viteve të ardhshme dhe do të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin tonë prej 3% rreth fundit të vitit 2017.

  • Kthimi i inflacionit në objektiv do të mbështetet nga gjallërimi gradual i pritur i ekonomisë në vitet në vijim.

Informacioni i ri ekonomik i analizuar në këtë raport është në linjë me vlerësimet e mësipërme.

Të dhënat e reja të tregtisë me jashtë për muajin qershor plotësojnë tablonë e tremujorit të dytë. Deficiti i shkëmbimeve tregtare të mallrave shënoi një reduktim vjetor prej 4.6% gjatë kësaj periudhe, i ndikuar më së shumti nga rënia e importit të energjisë elektrike. Ndonëse ambienti ndërkombëtar nuk shfaqet ende i favorshëm, ne presim një kontribut pozitiv të tregtisë me jashtë në rritjen ekonomike për pjesën e mbetur të vitit dhe më tej.

Të dhënat e reja fiskale të muajit korrik tregojnë një rritje të lehtë të ritmit të të ardhurave dhe një ngadalësim të ritmit të shpenzimeve publike. Deficiti buxhetor i shtatë muajve të parë të vitit ishte rreth 45% më i ulët se në periudhën korresponduese të vitit të shkuar. Në përputhje me planet fiskale afatmesme, Banka e Shqipërisë pret vazhdimin e kahut konsolidues të politikës fiskale edhe gjatë dy viteve të ardhshme.

Gjykimi ynë mbi gjendjen aktuale dhe ecurinë e pritur të konsumit dhe të investimeve private nuk ka ndryshuar.

Në përputhje me këto konsiderata, Banka e Shqipërisë pret një rritje ekonomike në përmirësim gjatë viteve të ardhshme. Kjo rritje do të ndihmohet nga përmirësimi i pritur i gjendjes financiare të ekonomisë, i ambientit të jashtëm dhe i klimës së përgjithshme të biznesit.

  • Në veçanti, kërkesa e brendshme private dhe rritja ekonomike priten të mbështeten edhe nga përmirësimi i kushteve të financimit.

Politika jonë monetare vazhdon të mbetet thellësisht stimuluese. Niveli minimal i normës bazë të interesit, operacionet tona të injektimit të likuiditetit, si dhe angazhimi ynë për ruajtjen e kësaj politike për periudhën në vazhdim, kanë ndihmuar në reduktimin e përgjithshëm të kostove të financimit në ekonomi.

Të dhënat e reja të marra në analizë sugjerojnë se normat e interesit vazhdojnë të mbeten në nivele të ulëta historike, pavarësisht luhatjeve të lehta mujore që kanë shënuar. Në përgjigje të tyre, kreditimi në lekë ka shënuar një rritje vjetore në masën 6.4%, ndërsa kostot e shërbimit të borxhit të sektorit privat dhe publik kanë shënuar rënie.

Megjithatë, aktiviteti kreditues vazhdon të shfaqë një rritje të ngadaltë, si pasojë e kërkesës ende të dobët, e politikave konservatore të bankave, por edhe e primeve të larta të rrezikut në kredidhënie. Gjithashtu, në përgjigje të masave rregullative të Bankës së Shqipërisë, tremujori i dytë u karakterizua nga përshpejtimi i ritmit të pastrimit të kredive të humbura nga bilancet e sistemit bankar. Duke përjashtuar efektin e këtyre pastrimeve, kredia në total për sektorin rezident privat shënoi një rritje vjetore prej 2.4% në muajin qershor, një normë rritjeje kjo e njëjtë me atë të tremujorit paraardhës.

Banka e Shqipërisë pret një ecuri disi më të mirë të kreditimit në pjesën e mbetur të vitit dhe një përmirësim progresiv të tij në dy vitet e ardhshme. Ky përmirësim do të mbështetet si nga rritja e kërkesës, ashtu edhe nga reduktimi i rrezikut të perceptuar në tregjet e brendshme dhe të huaja financiare. Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se zbatimi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të rrisë gatishmërinë e bankave në kredidhënie dhe do të përmirësojë transmetimin e politikës monetare në ekonomi. Gjithashtu, rritja ekonomike dhe përshpejtimi i kreditimit duhet të mbështeten nga vazhdimi i reformave strukturore dhe përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit.

  • Në mbyllje të analizës, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se përmbushja e objektivave të Bankës së Shqipërisë do të kërkojë ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare.

Ruajtja e stimulit monetar është ndër të tjera edhe konsistente me pritjet për një politikë fiskale konsoliduese gjatë kësaj periudhe.

Duke u nisur nga informacioni i disponuar, si dhe në bazë të vlerësimeve e parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar nuk do të dobësohet, të paktën edhe përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vazhdon të jetë e zhvendosur në kahun e poshtëm. Banka e Shqipërisë do të monitorojë me përparësi situatën dhe, në varësi të zhvillimeve të reja, mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e duhura për përmbushjen e objektivave të saj.

Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit datë 02.09.2015