BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 4 nëntor 2015

Data e publikimit: 04.11.2015

 

Ekonomia shqiptare vazhdon të lëvizë në një trajektore pozitive zhvillimi. Megjithatë, kërkesa agregate, prodhimi dhe punësimi, janë poshtë niveleve të tyre potenciale dhe presionet afatmesme mbi inflacionin mbeten të dobëta. Informacioni i ri ekonomik dhe financiar ka qenë në linjë me parashikimet tona, por rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në kahun e poshtëm të tyre.

foto e guvernatorit 7766 0

Raundi i ri i parashikimit që pasoi informacionin e ri ekonomik, të çon në konkluzionin se skenari i pritur i zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe monetare nuk ka pësuar ndryshime të ndjeshme në krahasim me raundin e mëparshëm. Në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë pret një kthim gradual të inflacionit në objektiv, të mbështetur nga përmirësimi progresiv i rritjes ekonomike. Megjithatë, në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë. Gjithashtu, këto projeksione sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredisë.

Për këtë qëllim, në mbledhjen e tij të sotme, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 1.75%.

Në vazhdim do të sqaroj arsyet dhe rezultatet e pritura të këtij vendimi.

Inflacioni pritet të vijë në rritje progresive gjatë horizontit afatmesëm.

Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë rezultoi në nivelin 1.8%. Kjo normë ishte e ngjashme me atë të tremujorit paraardhës, por inflacioni regjistroi luhatje të ndjeshme brenda periudhës. Në pjesën më të madhe, këto luhatje u ndikuan nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore.

Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se në periudhën afatshkurtër presionet inflacioniste do të vijojnë të mbeten të ulëta. Inflacioni mesatar i vitit 2015 pritet të luhatet rreth nivelit 2% dhe ai i vitit 2016 pritet të luhatet rreth nivelit 2.2%. Në afat të mesëm, inflacioni parashikohet të vijë në rritje dhe të kthehet në objektivin tonë prej 3% brenda tremujorit të parë të vitit 2018.

Gjallërimi gradual i ekonomisë do të jetë faktori kryesor për kthimin e inflacionit në objektiv.

Aktiviteti ekonomik regjistroi rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë, duke rezultuar afër parashikimeve tona. Rritja ekonomike u mbështet nga investimet dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë. Në të kundërt, konsumi privat u reduktua, si pasojë e forcimit të prirjes për kursim të familjeve. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të regjistrojë norma të ngjashme rritje edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në këtë periudhë do të udhëhiqet në masën më të madhe nga rritja e investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit tregtar.

Ekonomia shqiptare pritet të shënojë përmirësime të mëtejshme në afat të mesëm. Akselerimi i aktivitetit ekonomik pritet të mbështetet nga lehtësimi i kushteve të financimit, nga reduktimi i pasigurive dhe nga përmirësimi i ambientit të huaj. Rritja ekonomike do të financohet nga përdorimi i kursimeve të akumuluara të sektorit privat dhe nga hyrjet e kapitalit të huaj. Gjithashtu, zgjerimi i aktivitetit ekonomik pritet të gjejë mbështetje në rritje nga kredia bankare në gjysmën e dytë të horizontit të parashikimit.

Një impuls i ri monetar do të mbështesë më mirë konsumin, investimet dhe aktivitetin kreditues.

Tregjet financiare shqiptare rezultojnë likuide dhe aktiviteti në to paraqitet i stabilizuar, por agjentët financiarë vazhdojnë të shfaqin një oreks të ulët për rrezik dhe gatishmëri të pakët për financimin e projekteve afatgjata. Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë i ka sjellë normat e interesit të kredive në nivele minimale historike dhe ka nxitur kërkesën për kredi. Në përgjigje të saj, portofoli i kredisë në lekë ka vazhduar të shfaqë një ecuri pozitive; norma vjetore e rritjes së këtij portofoli qëndroi në nivelin 5.2% në muajin gusht, ndërkohë që pesha e tij ndaj kredisë totale u rrit në nivelin 41%.

Megjithatë, aktiviteti kreditues mbetet ende i zbehtë, sidomos në drejtim të financimit të biznesit dhe në segmentin e kredive në valutë. Rritja vjetore e portofolit të kredisë u reduktua rreth nivelit 1% në muajin gusht. Ky reduktim u ndikua si nga kërkesa e ulët e bizneseve për financim, ashtu edhe nga kushtet e shtrënguara të ofertës së bankave për kredi. Gjithashtu, pagimi i detyrimeve të prapambetura nga sektori publik ka ofruar një burim alternativ likuiditeti dhe financimi për bizneset, duke sjellë një efekt të përkohshëm shtesë në rënien e kërkesës për kredi.

***

Në përfundim të analizës dhe të diskutimit mbi zhvillimet e pritura, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se përmbushja e objektivave të Bankës së Shqipërisë kërkon rritjen e stimulit monetar dhe ruajtjen e kahut stimulues për një periudhë më të gjatë sesa vlerësimet tona të mëparshme.

Duke u mbështetur në këto përfundime, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 1.75%. Bazuar në vlerësimet dhe parashikimet për një periudhë afat mesme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kahu i politikës monetare do të vazhdojë të jetë lehtësues, përgjatë gjithë vitit 2016.

Zbatimi i shpejtë i planit të dakorduar të masave për parandalimin dhe zgjidhjen e kredive me probleme, mbetet një prioritet madhor me qëllim reduktimin e rrezikut të perceptuar të kreditimit në Shqipëri. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë në shtesë të masave makroprudenciale në fuqi që nga viti 2013, bazuar dhe në eksperiencat ndërkombëtare të kohëve të fundit, po analizon mundësinë për të prezantuar masa të tjera stimuluese. 

***

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar ofron kohën e nevojshme për kryerjen e reformave strukturore dhe zbut koston e këtyre reformave në ekonomi, por ai nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i tyre.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës rithekson edhe një herë nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të klimës së biznesit, rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të vendit.