BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 6 maj 2015

Data e publikimit: 06.05.2015

 

Sot, në datën 6 maj 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.00%. Në gjykimin e Këshillit, nivelet aktuale të stimulit monetar janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm.

***

Inflacioni vjetor rezultoi në vlerën mesatare prej 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2015, duke qenë më i lartë se sa ai i tremujorit paraardhës dhe mbi parashikimet tona. Inflacioni bazë, i cili mat tendencat më afatgjata të ecurisë së çmimeve, vazhdoi të shënojë rritje gjatë këtij tremujori. Megjithatë, rritja përtej parashikimit e inflacionit në tremujorin e parë u shkaktua kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ky zhvillim pasqyroi reduktimin e ofertës së produkteve të freskëta ushqimore dhe pritet të ketë një efekt të përkohshëm në ecurinë e çmimeve të konsumit.

Presionet afatgjata inflacioniste nga ana e kërkesës janë në rritje, por ato mbeten ende të dobëta. Ndonëse aktiviteti ekonomik vijon të përmirësohet, ekonomia ka ende kapacitete të pashfrytëzuara prodhimi.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, rritja vjetore e vlerës së shtuar rezultoi 1.9% për vitin 2014. Rritja ekonomike reflektoi në masën më të madhe gjallërimin e kërkesës së brendshme private, por edhe një kontribut pozitiv të shpenzimeve publike në tremujorin e fundit. Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet pozitive të rritjes kanë vijuar edhe në tremujorin e parë të vitit 2015. Rritja ekonomike e kësaj periudhe vlerësohet të ketë pësuar një ngadalësim të përkohshëm, si pasojë e dëmeve nga përmbytjet në sektorin bujqësor e blegtoral, por edhe si pasojë e reduktimit të prodhimit të naftës, në përgjigje të konjukturës së dobët të tregut botëror.

Pavarësisht sa më sipër, viti 2015 parashikohet të regjistrojë një rritje ekonomike më të lartë se ai i kaluar. Aktiviteti ekonomik pritet të mbështetet nga forcimi i konsumit dhe i investimeve private, të cilat do të ndihmohen nga kushtet monetare stimuluese dhe nga rritja e oreksit për rrezik në tregjet financiare. Gjithashtu, buxheti dhe planet fiskale të vitit 2015 parashikojnë një intensitet më të vogël konsolidimi fiskal, çka po vihet re tashmë në ecurinë e treguesve buxhetorë të tremujorit të parë. Tabloja e mësipërme pritet të ruhet edhe në vitet në vazhdim. Përmirësimet e pritura në aktivitetin ekonomik do të zbusin gradualisht hendekun negativ të prodhimit, duke ndihmuar mbylljen e tij në vitin e ardhshëm.

Informacioni i ri i disponuar dhe projeksionet e reja ekonomike nuk e ndryshojnë trajektoren e pritur afatmesme të inflacionit. Në përputhje me përmirësimin e ekonomisë, inflacioni pritet të rritet gradualisht gjatë vitit 2015 dhe në vazhdim. Inflacioni pritet të luhatet rreth një niveli mesatar prej 2.2% pas katër tremujorësh dhe të kthehet më tej në objektiv brenda një horizonti trevjeçar.

Zhvillimet e deritanishme ekonomike dhe pritjet për ecurinë e tyre në të ardhmen kanë kërkuar ndjekjen e një politike monetare lehtësuese. Kjo politikë ka synuar dhe ka arritur të ulë koston e financimit në ekonomi, në mbështetje të rritjes së kërkesës dhe të kthimit të inflacionit në objektiv. Transmetimi i saj në uljen e normave të interesave ka rezultuar i kënaqshëm, por reflektimi i saj në rritjen e kreditimit është më i ngadaltë.


Zgjerimi i kredisë është i ulët, ndonëse sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe treguesit e likuiditetit dhe të përfitueshmërisë janë në nivele të kënaqshme. Ecuria e ngadaltë e kreditimit reflekton kërkesën e dobët për kredi, por dhe sjelljen konservatore të bankave. Modeli i financimit të deficitit buxhetor gjatë këtij viti pritet të sjellë lehtësimin e kushteve të financimit të sektorit privat. Zhvendosja e huamarrjes publike, nga tregu i brendshëm në atë të huaj, do të krijojë premisa për reduktim të mëtejshëm të normave të interesit dhe për rritjen e interesimit të bankave për të dhënë kredi. Gjithashtu, adresimi i pritur i çështjes së kredive me probleme nëpërmjet një platforme kombëtare gjithëpërfshirëse, do të lehtësojë bilancet e bankave dhe do të përmirësojë qasjen e tyre ndaj kreditimit. Këto zhvillime pritet të materializohen në kushte më të mira financimi gjatë vitit në vazhdim dhe në një transmetim më të mirë të stimujve të deritanishëm monetarë në rritjen e aktivitetit ekonomik.

***
Këshilli Mbikëqyrës konstaton se ecuria e ekonomisë është përgjithësisht në përputhje me pritjet. Goditjet e ofertës në tremujorin e parë sollën një inflacion më të lartë se pritjet tona. Këto goditje bënë të nevojshëm një rishikim të lehtë në kahun e poshtëm të rritjes së pritur ekonomike për vitin 2015. Megjithatë, efekti i tyre pritet të jetë kalimtar dhe vlerësimet tona për ecurinë afatmesme të inflacionit dhe të aktivitetit ekonomik nuk kanë ndryshuar. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gradual gjatë viteve në vazhdim. Ekonomia shqiptare parashikohet t'i afrohet nivelit potencial gjatë vitit 2016, çka do të krijojë premisat e duhura për kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit kohor të veprimit të politikës monetare.

Forcimi i kërkesës agregate do të jetë motori kryesor i rritjes ekonomike në afat të shkurtër e të mesëm. Megjithatë, në afat të gjatë, Banka e Shqipërisë thekson nevojën e thellimit të reformave strukturore, si instrumenti më i rëndësishëm për të prodhuar rritje të qëndrueshme ekonomike. Reformat strukturore duhet të synojnë rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare dhe zgjerimin e tregjeve për produktet tona. Ndër të tjera, kjo do të realizohet nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture moderne zhvillimi, krijimit të një klime të favorshme biznesi dhe investimit të vazhdueshëm për përmirësimin e burimeve njerëzore.

Duke u bazuar në analizën dhe parashikimet tona, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kushtet monetare aktuale janë konsistente me arritjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe gjykon se politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun stimulues edhe për disa tremujorë në vazhdim.