BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare
Data e publikimit: 02.05.2018
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me analizën e zhvillimeve ekonomike e monetare, Këshilli Mbikëqyrës diskutoi mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen. Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.
Më lejoni të ndalem më në detaje në pasqyrimin e konkluzioneve tona dhe në shpjegimin e vendimit të politikës monetare.
Informacioni i ri i marrë në analizë në këtë Raport sugjeron se ekonomia shqiptare vijon të ruajë një trend pozitiv zhvillimi. Aktiviteti ekonomik vazhdon të zgjerohet, inflacioni ka ardhur në rritje, ndërsa kushtet monetare e financiare mbeten përgjithësisht të përshtatshme për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit, brenda një horizonti kohor afatmesëm.
Inflacioni shënoi një normë mesatare prej 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2018, duke regjistruar një rritje të lehtë nga vlera e tremujorit paraardhës. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të qirave, ndërkohë që çmimet e ushqimeve vijuan të mbeten të luhatshme dhe inflacioni i artikujve të tjerë të shportës relativisht i ulët dhe i qëndrueshëm.
Në një këndvështrim më të gjerë, rritja e inflacionit u favorizua nga zgjerimi i kërkesës agregate dhe i presioneve të brendshme inflacioniste, por vijoi të frenohet nga nivelet e ulëta të inflacionit në vendet partnere dhe nga forcimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4% në tremujorin e fundit të vitit të shkuar. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se një ritëm i ngjashëm rritjeje është ruajtur edhe në tremujorin e parë të vitit aktual.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur, në masën më të madhe, nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe e investimeve private. Në të kundërt, stimuli fiskal është reduktuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë është zgjeruar. Zgjerimi i kërkesës agregate është pasqyruar kryesisht në rritjen e sektorit të shërbimeve dhe të degëve të caktuara të sektorit të industrisë.
Në terma makroekonomikë, rritja është ndihmuar nga besimi i përmirësuar i sektorit privat, nga rritja e kërkesës së huaj dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese. Ai është pasqyruar në rritjen e mëtejshme të punësimit, në rënien e normës së papunësisë dhe në përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve shqiptare. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet nën nivelin e tij potencial, çka frenon rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit.
Politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një faktor i rëndësishëm mbështetës për zhvillimin e vendit. Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga nivele të ulëta të normave të interesit, nga një gjendje e mirë likuiditeti dhe nga prime të reduktuara rreziku.
Sektori bankar vazhdon të regjistrojë nivele të përshtatshme dhe në përmirësim të treguesve të cilësisë së aktiveve, të likuiditetit, të rentabilitetit dhe të kapitalizimit. Kredia për ekonominë u rrit mesatarisht me 3.3% gjatë tremujorit të parë të vitit, e ushqyer në masën më të madhe nga rritja me 7% e portofolit të kredisë në lekë. Banka e Shqipërisë konstaton se rritja e pritur e nevojave për financim duhet të shoqërohet me politika më realiste dhe fleksibile kreditimi nga sektori bankar, në mënyrë që të mos kushtëzojë dinamikat e zhvillimit në të ardhmen.
Një zhvillim i spikatur i tregjeve financiare ka qenë dhe trendi forcues i kursit të këmbimit.
Në lidhje me këtë fenomen dhe në përputhje me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë konstaton se trendi afatmesëm i forcimit të kursit të këmbimit, i nisur prej gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, pasqyron veprimin e faktorëve fondamentalë. Këta faktorë janë materializuar në rritje të ofertës së valutës, si pasojë e përmirësimit të deficitit të llogarisë korrente, e niveleve të larta të investimeve të huaja direkte dhe e uljes së primeve të rrezikut në tregun e brendshëm financiar.
Nga ana tjetër, forcimi relativisht i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë dy muajve të fundit ka pasqyruar veprimin e faktorëve specifikë të tregut valutor. Kjo ecuri nuk pasqyron efektet direkte dhe as objektivat e strategjisë sonë për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare. Si e tillë, ajo pritet dhe vlerësohet të jetë afatshkurtër.
Në përputhje me trendet e konstatuara dhe me konkluzionet tona mbi faktorët përcaktues të zhvillimit, përditësimi i parashikimeve afatmesme rikonfirmoi pritjet tona të mëparshme. Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, e nxitur nga kushtet stimuluese të financimit dhe nga përmirësimi i pritur i ambientit të huaj. Shfrytëzimi në rritje i kapaciteteve prodhuese do të krijojë premisa për forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, duke i sjellë ato në linjë me objektivin tonë të inflacionit. Forcimi i këtyre presioneve pritet të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar forcimin e shpejtë dhe të përkohshëm të kursit të këmbimit.
Në përputhje me këto vlerësime, Banka e Shqipërisë pret një stabilizim të inflacionit në normat aktuale gjatë vitit 2018 dhe një rritje graduale të tij në vitin 2019. Projeksionet tona tregojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit të ardhshëm.
***
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
- Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%;
- Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%.
Krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se përmbushja e objektivit të inflacionit do të kërkojë një politikë monetare më akomoduese në afatin e mesëm. Në bazë të informacionit aktual të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konstatoi se balanca e rreziqeve mbi inflacionin është zhvendosur më tej në kahun e poshtëm. Në këto rrethana, në rast se intensiteti dhe kohëzgjatja e faktorëve frenues për kthimin e inflacionit në objektiv do të rezultojë më e fortë se vlerësimet tona aktuale, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë, nëpërmjet instrumenteve në dispozicion dhe në përputhje me regjimin e politikës monetare.