BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 01.02.2017

 

Mirë se keni ardhur në këtë konferencë për shtyp, e cila prezanton konkluzionet kryesore të Raportit Tremujor dhe vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për qëndrimin e politikës monetare. Duke qenë se ky është takimi ynë i parë për vitin 2017, dëshiroj t'ju uroj dhe një herë një vit të mbarë e të begatë, juve dhe të gjithë atyre që na ndjekin nëpërmjet ekranit.

Informacioni i analizuar në Raportin Tremujor konfirmon vlerësimet tona të mëparshme mbi gjendjen aktuale dhe zhvillimet e pritura të ekonomisë shqiptare. Më konkretisht:

- Të dhënat e disponuara sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend vazhdon të shënojë rritje. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë përmirësime në treguesit e tregut të punës dhe është pasqyruar në një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit.

- Politika jonë monetare lehtësuese, e pasqyruar në reduktimin e kostove të financimit dhe në uljen e primeve të rrezikut, mbetet një faktor vendimtar në këtë tablo zhvillimi.

- Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Banka e Shqipërisë pret një forcim të rritjes ekonomike gjatë dy viteve të ardhshme dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Bazuar në këto vlerësime, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%.

Më lejoni të shpjegoj më në detaje arsyet e kësaj vendimmarrjeje dhe efektet e pritura të saj.

# 498 konf

Inflacioni ka ardhur në rritje gjatë muajve të fundit, duke shënuar një normë vjetore prej 2.2% në muajin dhjetor. Në aspektin e kompozimit, rritja e inflacionit gjatë tremujorit të katërt erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Në aspektin makroekonomik, trendi rritës i inflacionit gjatë kësaj periudhe reflekton shtimin e presioneve inflacioniste nga mjedisi i brendshëm dhe reduktimin e presioneve dezinflacioniste nga mjedisi i huaj.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.3% gjatë nëntë muajve të parë të vitit dhe me 3.1% në tremujorin e tretë të tij. Rritja ekonomike pasqyroi zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, si dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi. Kërkesa e brendshme gjeti mbështetje nga kushtet monetare stimuluese, nga përmirësimi i besimit, nga rritja e punësimit, dhe nga zgjerimi i investimeve të huaja direkte. Nga ana tjetër, kërkesa e huaj kontribuoi pozitivisht në rritjen e eksportit të shërbimeve, por eksportet e mallrave vazhdojnë të shfaqin një ecuri të dobët, si pasojë e çmimeve ende të ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.

Në gjykimin tonë, rritja ekonomike e tremujorit të katërt do të jetë më e lartë se ajo e tremujorit paraardhës. Rritja ekonomike e gjithë vitit 2016 do të jetë e përafërt me atë të nëntëmujorit të parë, dhe më e lartë se ajo e vitit 2015.

Zgjerimi i kërkesës agregate ka sjellë rritjen e punësimit dhe reduktimin e papunësisë. Të dhënat e tremujorit të tretë tregojnë një rritje vjetore me 8.5% të punësimit dhe një rënie të normës së papunësisë në nivelin 14.7%.

Zhvillimet ekonomike e financiare kanë pasqyruar efektin e kombinuar të politikës fiskale konsoliduese dhe të politikës monetare lehtësuese të ndjekur përgjatë vitit.

Balanca fiskale e njëmbëdhjetë muajve të parë rezultoi me një suficit prej 7.1 miliardë lekësh. Në këtë rezultat ndikuan rritja vjetore me 7.3% e të ardhurave dhe rënia vjetore me 2% e shpenzimeve. Ky kurs i politikës fiskale ka mbajtur të ulët kontributin direkt të shpenzimeve publike në kërkesën agregate, por ka krijuar më shumë hapësira për transmetimin e politikës sonë monetare në tregjet financiare.

Stimuli ynë monetar ka krijuar kushte të favorshme financiare, ndonëse kursi i këmbimit paraqitet i mbiçmuar në raport me një vit më parë. Niveli i ulët i normës bazë të interesit ka kontribuar në reduktimin e normave të interesit në të gjitha produktet e tregut financiar të destinuara për sektorin privat. Në veçanti, interesi mesatar i kredisë në lekë në muajin nëntor ishte 0.6 pikë përqindjeje më i ulët nga një vit më parë. Nga ana tjetër, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar kanë shfaqur rritje gjatë muajve të fundit. Kjo ecuri ka pasqyruar pjesërisht një korrektim të rënies së tyre të shpejtë në pjesën e parë të vitit dhe pjesërisht efektet e luhatjeve të raportit kërkesë - ofertë. Tendenca rritëse pritet të vijë duke u zbehur, për sa kohë politikat monetare dhe fiskale mbeten të pandryshuara. Gjithashtu, të dhënat e disponuara sugjerojnë se kjo tendencë nuk është pasqyruar në shtrëngimin e çmimit të kredisë për sektorin privat, duke mos deformuar përcjelljen e politikës sonë monetare.

Në përgjigje të kësaj politike, si dhe në reflektim të gjallërimit të aktivitetit ekonomik, kredia për ekonominë ka ardhur në rritje. Duke përjashtuar efektin e nxjerrjes së kredive të humbura nga bilanci, portofoli i kredisë për sektorin privat në muajin nëntor ishte 3.4% më i lartë se një vit më parë. Më në detaje, rritja me 10.4% e portofolit të kredisë në monedhën vendase ka kompensuar tkurrjen me 1.4% të portofolit të kredisë në monedhë të huaj.

Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të mëtejshëm të kreditimit gjatë vitit 2017. Këto pritje mbështeten në sinjalet për një gjallërim gradual të kërkesës për kredi, si dhe në efektet pozitive në ofertë që do të sjellë realizimi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme. Duke u ndalur te këto të fundit, të dhënat tregojnë se raporti i kredive me probleme zbriti në 18.2% në muajin dhjetor. Ky reduktim pasqyron efektet e kombinuara të përmirësimit të situatës ekonomike, të ristrukturimit të kredive dhe të nxjerrjes së kredive të humbura nga bilanci.

Analiza e mësipërme sugjeron se kushtet ekonomike dhe financiare janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv. Rritja ekonomike parashikohet të forcohet më tej gjatë dy viteve të ardhshme, duke krijuar premisat e duhura për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv brenda vitit 2018. Për vitin 2017, Banka e Shqipërisë pret një inflacion mesatar në nivelin 2.3%, kundrejt nivelit 1.3% të shënuar në vitin 2016.

Përmbushja e këtij skenari kërkon ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare, edhe gjatë periudhës afatmesme. Megjithatë, intensiteti i stimulit monetar gjatë kësaj periudhe do të ndjekë trendin e përmirësimit të ekonomisë, duke qenë gjithnjë i përshtatur me nevojat e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë. Duke u nisur nga informacioni i disponuar, si dhe duke gjykuar mbi balancën e rreziqeve, e cila vazhdon të qëndrojë në kahun e poshtëm, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të katërt të vitit 2017.

Ndjekja e këtij kursi të politikës monetare është në përputhje me përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve. Paralelisht me të, politika monetare stimuluese krijon kushte të përshtatshme edhe për zbatimin e reformave strukturore. Këto reforma janë të nevojshme - ndër të tjera - për zgjerimin e mëtejshëm të potencialit prodhues të vendit dhe për rritjen e rezistencës së ekonomisë ndaj goditjeve të mundshme.