BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 29.03.2017

 

Informacioni i disponuar ekonomik dhe financiar, i marrë në analizë në Raportin e Ndërmjetëm të politikës monetare, ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet tona. Sipas këtij informacioni, ekonomia shqiptare vazhdon të shënojë rritje, inflacioni po lëviz gradualisht drejt objektivit, tregjet financiare shfaqen të qeta, dhe normat e interesit e kushtet e financimit janë konsistente me përmbushjen e objektivit tonë.

29 03 2017 konf - 498

Përditësimi i parashikimeve pas analizës së informacionit të ri, nuk ka sjellë ndryshime të rëndësishme në zhvillimet e pritura. Në mungesë të goditjeve, trendi pozitiv i ekonomisë, kushtet e favorshme të financimit, si dhe përmirësimi gradual i besimit dhe i ambientit të huaj, pritet të mundësojnë kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Në përputhje me këto konkluzione, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

***

Inflacioni vjetor shënoi vlerat 2.8% dhe 2.2% në muajt janar e shkurt të këtij viti. Luhatjet e inflacionit pasqyruan luhatjet e çmimeve të ushqimeve, të cilat u ndikuan nga ndryshimet klimaterike dhe nga zhvillimet në tregjet e huaja. Kategoritë e tjera të shportës së konsumit vijuan të japin kontribute të qëndrueshme dhe pozitive.

Luhatjet e inflacionit nuk kanë zbehur trendin e tij rritës, të nisur gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar. Ky trend është mbështetur nga forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste, nga rritjet e çmimeve në tregjet e huaja dhe nga konvergimi gradual i pritjeve inflacioniste afatmesme drejt objektivit.

Përditësimi i analizës ekonomike me statistikat e reja tregon vazhdimin e rritjes ekonomike, si gjatë tremujorit të fundit të vitit 2016 ashtu edhe në dy muajt e parë të këtij viti. Burimet e rritjes vlerësohet të jenë forcuar: krahas kontributit të qëndrueshëm të kërkesës së brendshme, një kontribut të shtuar pozitiv në këtë periudhë vlerësohet të ketë dhënë dhe kërkesa e huaj. Kërkesa e brendshme ka përfituar nga rritja e punësimit, nga kushtet monetare stimuluese, nga rritja e besimit të agjentëve ekonomikë, si dhe nga investimet e huaja direkte. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve dhe gjallërimi i kërkesës në tregjet e huaja ka sjellë një rritje të eksporteve të mallrave shqiptare gjatë kësaj periudhe.

Përshpejtimi i rritjes gjatë vitit 2016 e ka afruar ekonominë shqiptare me potencialin e saj dhe ka aktivizuar një pjesë më të madhe të kapaciteteve prodhuese. Norma e papunësisë zbriti në nivelin 14.2% në fund të vitit, ndërsa norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ka ardhur në rritje. Në këto kushte, presionet e brendshme inflacioniste janë shtuar. Paralelisht me to, pritjet inflacioniste afatmesme dy dhe trevjeçare janë forcuar, duke shënuar përkatësisht nivelet 2.6% dhe 2.7%.

Bashkërendimi i politikave makroekonomike ka krijuar krijuar një mjedis të përshtatshëm për të stimuluar ekonominë dhe për të mbështetur forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit .

Politika fiskale ka ndjekur një kurs konsolidues, të pasqyruar në reduktimin e deficitit e të borxhit publik. Megjithatë, ky kurs konsolidues ka pasur një intensitet më të ulët në fundin e vitit të kaluar dhe në dy muajt e parë të këtij viti. Në muajin janar, suficiti fiskal rezultoi 7.9 miliardë lekë, i ndikuar nga rritja e të ardhurave me 0.2% dhe e shpenzimeve me 5.1%. Megjithëse ka injektuar një stimul të ulët fiskal në ekonomi, politika fiskale konsoliduese ka lehtësuar përcjelljen e politikës monetare.

Politika monetare lehtësuese ka kontribuar në reduktimin e kostove të financimit të agjentëve ekonomikë dhe rikuperimin e kreditimit në monedhën vendase. Përcjellja e deritanishme e stimulit monetar në tregun financiar mund të konsiderohet e plotë. Në veçanti, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar kanë kthyer prirjen rritëse të shfaqur në fundin e vitit të kaluar. Në linjë me pritjet tona, kjo sjellje ka reflektuar përmirësimin e raportit kërkesë-ofertë për këto instrumente, si dhe politikën e pandryshuar monetare e fiskale. Luhatjet e yield-eve të bonove të thesarit nuk janë përcjellë në produktet e segmenteve të tjera të tregut financiar. Kostot e financimit të sektorit privat ruajnë nivelet e ulëta historike dhe kushtet jo-çmim vijojnë të lehtësohen për individët, por mbeten të shtrënguara për bizneset, kryesisht për korporatat.

Kushtet monetare lehtësuese kanë kontribuar në rritjen e vazhdueshme të portofolit të kredisë në lekë. Vëllimi i kredisë në lekë u rrit me 11% në terma vjetorë, duke kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë në muajin janar. Trendi rritës i kredisë në lekë është një zhvillim inkurajues, por shpërndarja e kësaj rritjeje tregon përqendrimin e saj në segmentin e individëve, ndërkohë që kredia për biznese vijon e ngadaltë. Kjo ecuri ndikohet nga sjellja hezituese e bankave ndaj këtij segmenti, nga kërkesa e pakët cilësore, por edhe nga gjendja e bollshme e likuiditetit, në formën e depozitave, që gëzojnë bizneset. Rritja e konsumit dhe e investimeve pritet të shoqërohet me absorbimin e likuiditetit të biznesit dhe me rritjen e kërkesës së tij për kredi. Gjithashtu, oferta për kredi pritet të lehtësohet, e ndihmuar nga masat e marra për reduktimin e kredive me probleme dhe për nxitjen e kredisë së shëndetshme. Reduktimi i mëtejshëm i raportit të kredive me probleme në muajin shkurt, tashmë i zbritur në nivelin 18%, është një shenjë inkurajuese në këtë drejtim. E kushtëzuar dhe nga fashitja e shpejtë e pasigurive aktuale, Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti kreditues i ka të gjitha premisat për të shënuar rritje gjatë vitit 2017.

Përditësimi i parashikimeve makroekonomike ka konfirmuar pritjet tona të mëparshme për zhvillimet ekonomike e monetare në të ardhmen. Sipas skenarit bazë, kthimi i ekonomisë në potencial dhe absorbimi gradual i kapaciteteve të pashfrytëzuara priten të shoqërohen me forcimin e presioneve inflacioniste. Inflacioni vjetor pritet të luhatet rreth nivelit 2.4% për vitin 2017 dhe të kthehet në objektivin tonë brenda vitit 2018. Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve vlerësohet të jetë e shmangur për poshtë, si në afatin e shkurtër dhe në atë të mesëm, e ndikuar nga pasiguritë në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm.

Ecuria e deritanishme e ekonomisë dhe materializimi i pritjeve tona rikonfirmon përshtatshmërinë e qëndrimit aktual të politikës monetare.

***

Bazuar në këto gjykime, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të katërt të vitit vitit 2017. Më tej, intensiteti i stimulit monetar do të rikalibrohet për t?iu përgjigjur trendit të përmirësimit të pritur të ekonomisë.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës rithekson se ky qëndrim i politikës monetare i shërben ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë në përgjithësi dhe arritjes e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në veçanti. Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës rithekson se ruajtja dhe forcimi i mëtejshëm i tempit të reformave strukturore, si në drejtim të rritjes së potencialit të ekonomisë ashtu edhe në drejtim të reduktimit të dobësive të saj, është një parakusht për garantimin e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.