BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 05.07.2017

 

Informacioni i ri ekonomik dhe financiar, i analizuar në Raportin e Ndërmjetëm të politikës monetare, sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë një kah pozitiv zhvillimi. Aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, presionet afatmesme inflacioniste vlerësohet të jenë në linjë me objektivin, tregjet financiare shfaqen të qeta, dhe normat e interesit e kushtet e financimit janë konsistente me përmbushjen e objektivit tonë.

Rritja ekonomike e tremujorit të parë ka rezultuar më e lartë se pritjet tona, ndërsa inflacioni i muajit prill dhe maj ka qenë disi më i ulët.

Përditësimi i parashikimeve tona nuk ka sjellë ndryshime të rëndësishme në zhvillimet e pritura, si afatshkurtra dhe afatmesme. Në mungesë të goditjeve, trendi pozitiv i ekonomisë, kushtet e favorshme të financimit, si dhe përmirësimi gradual i besimit dhe i ambientit të huaj, pritet të mundësojnë kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

 dsc9808-2 - 498

Inflacioni vjetor shënoi vlerat 1.9% dhe 2.0%, respektivisht në muajt prill dhe maj, duke ardhur në rënie nga tremujori i parë. Luhatjet e inflacionit pasqyruan kontributin më të ulët të inflacionit të ushqimeve, në përgjigje të rritjes së prodhimit bujqësor, si dhe kontributin më të ulët të inflacionit të importuar, në përgjigje të mbiçmimit të kursit të këmbimit. Efekti i këtyre faktorëve të ofertës vlerësohet të jetë kalimtar.

Ecuria e ambientit ekonomik dhe financiar është konsistente me rritjen e inflacionit drejt objektivit tonë në afat të mesëm. Presionet inflacioniste janë në rritje dhe mbështeten nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese, nga rritjet e çmimeve në tregjet e huaja dhe nga konvergimi gradual i pritjeve inflacioniste afatmesme drejt objektivit.

Përditësimi i analizës ekonomike me statistikat e reja tregon se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet në gjysmën e parë të vitit. Rritja ekonomike shënoi vlerën 3.94% në tremujorin e parë, ndërkohë që të dhënat e disponuara sugjerojnë një ngadalësim të saj në tremujorin e dytë. Një nga faktorët lidhet me pasigurinë që shoqëron situatat para-zgjedhore. Më tej, në muajin e fundit, një pasiguri e shtuar buron nga kushtet e pafavorshme klimaterike, efektet e të cilave mund të shfaqen në sektorë të caktuar të prodhimit. Efektet që rrjedhin nga këto pasiguri pritet të jenë të përkohshme.

Rritja ekonomike është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend dhe nga përmirësimi i ambientit të huaj ekonomik. Zgjerimi i konsumit dhe i investimeve ka përfituar gjithashtu nga përmirësimi i vazhdueshëm i tregut të punës, nga forcimi i besimit, dhe nga rritja e investimeve të huaja direkte. Paralelisht me rritjen e kërkesës private, efekt pozitiv në gjallërimin e aktivitetit ekonomik vlerësohet të kenë dhënë edhe sektori publik dhe përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë. Ky i fundit është reflektuar në ngushtimin e shpejtë të deficitit korrent, me 20% në terma vjetorë, duke mbështetur edhe forcimin e kursit të këmbimit.

Politika fiskale ka ndjekur një kurs konsolidues, të pasqyruar në një balancë buxhetore pozitive. Megjithatë, konsolidimi fiskal ka pasur një intensitet më të ulët se një vit më parë, duke prodhuar stimul pozitiv në ekonomi në gjysmën e parë të vitit. Në fund të pesëmujorit të parë të vitit, balanca buxhetore rezulton me një suficit prej 6.3 miliardë lekësh, duke pasqyruar rritjen vjetore me 7.3% të të ardhurave publike dhe me 16.4% të shpenzimeve buxhetore.

Politika monetare lehtësuese ka kontribuar në reduktimin e kostove të financimit të agjentëve ekonomikë. Përcjellja e stimulit monetar në tregun financiar është reflektuar në nivele të ulëta të normave të interesit për depozita dhe kredi. Nga ana tjetër, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar kanë treguar rritje të lehta, kryesisht të gjeneruara nga zhbalancimet e përkohshme të kërkesës dhe ofertës për to. Megjithatë, luhatjet e yield-eve të bonove të thesarit nuk janë përcjellë në segmente të tjera të tregut financiar.

Kushtet monetare lehtësuese kanë kontribuar në rritjen e portofolit të kredisë në lekë. Vëllimi i kredisë në lekë u rrit me 9% në terma vjetorë, duke kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë. Trendi rritës i kredisë në lekë mbetet një zhvillim i mirëpritur, por shpërndarja e kësaj rritjeje tregon përqendrimin e saj në segmentin e individëve, ndërkohë që kredia për biznese vijon e ngadaltë. Gjithashtu, e pastruar nga efektet e çregjistrimit të kredive nga bilanci, rritja vjetore e portofolit total të kredisë në muajin prill mbetet modeste, në nivelin 3%. Banka e Shqipërisë pret një përmirësim gradual të aktivitetit kreditues në tremujorët në vazhdim, në reflektim të zgjerimit të pritur të kërkesës dhe përmirësimit të ofertës. Kushtet e ofertës bankare për kredi priten të lehtësohen, të ndihmuara nga masat e marra për reduktimin e kredive me probleme dhe për nxitjen e kredisë së shëndetshme. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin 15.9% në muajin maj, nga 18.2% në dhjetor të vitit të kaluar.

Përditësimi i parashikimeve makroekonomike ka konfirmuar pritjet tona të mëparshme për zhvillimet ekonomike e monetare në afat të mesëm. Ngadalësimi i faktuar i inflacionit në tremujorin e dytë nuk krijon shmangie të rëndësishme në trajektoren e pritur të inflacionit. Kthimi i ekonomisë në potencial dhe absorbimi gradual i kapaciteteve të pashfrytëzuara, priten të shoqërohen me forcimin e presioneve inflacioniste. Inflacioni pritet të kthehet në objektivin tonë brenda vitit 2018. Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve vlerësohet të jetë e shmangur për poshtë, e ndikuar nga pasiguritë në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm.

***

Në përputhje me këto konkluzione, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

Nisur nga sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%.

Gjithashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun lehtësues dhe intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të parë të vitit 2018.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu