BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 02.08.2017

 

Informacioni i ri i përftuar gjatë tremujorit të dytë të vitit, tregon se ekonomia shqiptare vazhdon të lëvizë në një trajektore rritëse. Kjo ecuri është ndihmuar nga përmirësimi i mjedisit të jashtëm, nga rritja e besimit në ekonomi, si dhe nga një mjedis financiar i brendshëm stimulues, i karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe nga prime të reduktuara rreziku. Ndërkohë, inflacioni mesatar i tremujorit të dytë ka shënuar rënie nga vlera e regjistruar në tremujorin e parë.

Rritja e aktivitetit ekonomik ka qenë disi më e lartë se pritjet tona, ndërsa vlera e inflacionit ka qenë disi më e ulët. Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se të dyja këto zhvillime janë diktuar nga faktorë të përkohshëm dhe nuk prekin kahun dhe intensitetin e zhvillimeve të pritura në afatin e mesëm.

Parashikimet e përditësuara, afatshkurtra dhe afatmesme, janë në linjë me pritjet tona të mëparshme dhe konfirmojnë përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare. Kjo politikë do të vazhdojë të qëndrojë në kahun akomodues gjatë gjithë horizontit afatmesëm.

Më lejoni të shpjegoj më në detaje konkluzionet e Raportit Tremujor të Politikës Monetare.

 dsc4257-2-2 498

Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje në gjashtëmujorin e parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.9% në tremujorin e parë, duke pasqyruar kontributin pozitiv të pothuajse të gjithë sektorëve dhe degëve përbërëse të tij. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë një rritje pozitive, ndonëse në moderim të lehtë, edhe në tremujorin e dytë.

Në këndvështrimin e kërkesës agregate, zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka reflektuar si rritjen e kërkesës së brendshme, ashtu dhe përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve me jashtë. Më në detaje:

  • Konsumi dhe investimet private kanë vijuar të rriten në gjysmën e parë të vitit, si rrjedhojë e kushteve të favorshme të financimit, e përmirësimit të besimit në ekonomi, e rritjes së punësimit, si dhe e vijimit të flukseve të larta të investimeve të huaja direkte.
  • Po ashtu, politika fiskale ka prodhuar një stimul pozitiv. Ndonëse kjo politikë ka ruajtur kahun e saj konsolidues edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit, çka është reflektuar në vlera pozitive të balancës buxhetore, intensiteti i konsolidimit fiskal shfaqet më i ulët krahasuar me një vit më parë.
  • Nga ana tjetër, përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare ka reflektuar koniukturën e favorshme ndërkombëtare, rritjen e vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion turizmi, si dhe përmirësime strukturore në zinxhirin e nxjerrjes, të përpunimit dhe të tregtimit të naftës në vend.

Në tërësi, ecuria e aktivitetit ekonomik ka qenë në kahun e pritur, por norma e rritjes ishte më e lartë se projeksionet tona. Analizat tona tregojnë se ritmi i përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare gjatë gjashtëmujorit të parë, si dhe madhësia e kontributit të tij pozitiv në PBB, janë diktuar nga faktorë që nuk janë përfaqësuese të trendeve afatmesme. Për rrjedhojë, projeksionet tona për rritjen ekonomike të vitit 2017 kanë pësuar vetëm një rishikim të lehtë për lart.

Inflacioni i tremujorit të dytë shënoi një vlerë mesatare prej 2.0%, duke ardhur në rënie kundrejt vlerës mesatare prej 2.4% të tremujorit paraardhës. Rënia e inflacionit në këtë tremujor është ndikuar, pjesërisht, nga vlerat e larta të inflacionit të shënuara në tremujorin e parë si pasojë e goditjeve të ofertës dhe, pjesërisht, nga efekti rënës i ardhur nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Efekti i kursit të këmbimit ishte më i pranishëm në rënien e inflacionit të artikujve të importit, dhe - veçanërisht - të atyre ushqimorë. Nisur nga ecuria e tremujorit të dytë, projeksioni ynë për inflacionin mesatar të vitit 2017 ka pësuar një rishikim të lehtë për poshtë, nga niveli 2.3% në nivelin 2.2%.

Nga ana tjetër, faktorët makroekonomikë me ndikim afatmesëm dhe afatgjatë në inflacion, janë në linjë me rritjen e mëtejshme dhe kthimin e tij në objektiv në afatin e mesëm. Kështu:

  • Ekonomia shqiptare duket se po i afrohet gradualisht nivelit potencial, e reflektuar kjo si në rënien e normës së papunësisë ashtu edhe në trendin afatmesëm të rritjes së normës së shfrytëzimit të kapaciteteve. Ky përmirësim ciklik do të mundësojë një rritje graduale të pagave dhe një konvergjencë të marzheve të fitimit të biznesit drejt mesatareve historike.
  • Paralelisht me të, efekti negativ i kursit të këmbimit pritet të shuhet gradualisht. Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti aktual i mbiçmimit të kursit të këmbimit - i derivuar në masën më të madhe nga përmirësimi i shpejtë i bilancit të shkëmbimeve tregtare e të shërbimeve dhe nga flukset e larta të investimeve të huaja direkte - do të vijë drejt zbehjes. Në këto rrethana, efekti frenues që ky mbiçmim përcjell në inflacion pritet të vijë progresivisht drejt reduktimit në horizontin afatmesëm.

Tabloja e zhvillimeve aktuale dhe të pritura të PBB-së dhe të inflacionit është konsistente me ecurinë e tregjeve financiare dhe qëndrimin e politikës sonë monetare.

Politika monetare akomoduese që kemi ndjekur - nëpërmjet nivelit të ulët të normës bazë të interesit, nëpërmjet injektimit të vazhduar të likuiditetit, si dhe nëpërmjet informimit të tregut mbi kahun e ardhshëm të politikës monetare - është përcjellë plotësisht në tregjet financiare. Kjo politikë i ka sjellë normat e interesit në nivelet më të ulëta historike, ka ndihmuar në reduktimin progresiv të primeve të rrezikut, dhe ka mundësuar rritjen vjetore me 9.3% të portofolit të kredisë në lekë.

Megjithatë, të dhënat e tremujorit të dytë të vitit sugjerojnë se ecuria e kredisë mbetet ende e moderuar. E pastruar nga efekti i nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit, kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 2% gjatë tremujorit të dytë, e ndikuar nga rënia vjetore prej 3.2% e portofolit të kredisë në valutë. Në terma sektorialë, aktiviteti kreditues shfaq një rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme në segmentin e kredisë për individë, sidomos në drejtim të kredisë konsumatore, ndërkohë që rritja e kredisë për biznese shfaqet më e ngadaltë.

Ritmi ende i moderuar i rritjes së kredisë pasqyron si kërkesën e dobët për kredi, ashtu edhe politikat e kujdesshme të bankave në kredidhënie. Cikli rritës i investimeve është financuar, deri tani dhe në masën më të madhe, nga përdorimi i fondeve të veta të biznesit. Megjithatë, duke parë nga e ardhmja, nevoja në rritje për financim e bizneseve pritet të shoqërohet me rritje të kërkesës për kredi. Po kështu, përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit, reduktimi i rrezikut të kreditit dhe përmirësimi i mëtejshëm i bilanceve të sistemit bankar, pritet të lehtësojnë ofertën e kredisë. Në këtë drejtim, reduktimi i mëtejshëm i raportit të kredive me probleme në muajin qershor e zbriti këtë tregues në nivelin 15.58%, duke ilustruar suksesin e masave tona por edhe duke dhënë sinjale inkurajuese për përmirësimin e ardhshëm të aktivitetit kreditues.

***

Duke gjykuar mbi trendet aktuale të ecurisë së ekonomisë, si dhe mbi faktorët përcaktues në mjedisin e brendshëm e atë të jashtëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike do të vazhdojë edhe në afatin e mesëm. Në skenarin tonë bazë, kjo rritje do të jetë e mjaftueshme për të vendosur ekonominë në ekuilibër dhe do të jetë faktori përcaktues për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Përmbushja e këtyre objektivave kërkon ndjekjen e një politike monetare akomoduese gjatë gjithë horizontit afatmesëm, për të kompensuar edhe efektin afatshkurtër frenues të kursit të këmbimit.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%;
  • Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%.

Gjithashtu, duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet përpara tremujorit të dytë të vitit 2018. Në çdo rast, normalizimi i politikës monetare do të jetë i matur, duke synuar garantimin e stabilitetit të çmimeve në afat të mesëm dhe duke u kujdesur të mos dëmtojë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.

Së fundi, Banka e Shqipërisë thekson se ajo mbetet e gatshme të reagojë në çdo moment ndaj goditjeve të ndryshme, të cilat ndikojnë negativisht mbi pritjet për inflacionin apo dëmtojnë perspektivën e përmbushjes së objektivit të tij në afatin e mesëm.