BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 03.10.2017

 

Analiza e të dhënave të disponuara tregon se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim, ndërkohë që inflacioni ka shënuar rënie në muajt korrik e gusht. Divergjenca midis ecurisë së aktivitetit ekonomik dhe ecurisë së inflacionit duket se pasqyron efektin e goditjeve të ofertës, të cilat pritet të kenë vetëm një ndikim afatshkurtër në inflacion. Nga ana tjetër, kushtet monetare dhe financiare mbeten stimuluese, duke mbështetur rritjen e kërkesës, përmirësimin e mëtejshëm të shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda periudhës afatmesme.

Në një analizë më të detajuar, inflacioni vjetor shënoi rënie në dy muajt e parë të tremujorit të tretë, duke shënuar vlerën 1.6% në muajin gusht. Rënia e inflacionit në këtë periudhë pasqyroi reduktimin e inflacionit të ushqimeve, dhe veçanërisht të ushqimeve të papërpunuara, ndërkohë që grupet e tjera nuk shfaqën luhatje të dukshme. Duke marrë parasysh zhvillimet e reja në inflacion, projeksioni ynë për inflacionin mesatar të vitit 2017 ka pësuar një rishikim të lehtë për poshtë, nga niveli 2.2% në nivelin 2.1%.

 dsc5766 - 498

Përqendrimi i rënies së inflacionit në segmente të veçanta të shportës, si dhe korrelacioni i kësaj rënieje me dinamikat e inflacionit të ushqimeve në rajon, me kursin e mbiçmuar të këmbimit dhe me rritjen e ofertës vendase për këto produkte, na shtyn të mendojmë se ngadalësimi i inflacionit pasqyron veprimin e goditjeve afatshkurtra të ofertës.

Përkundrejt këtyre goditjeve, balanca e përgjithshme e faktorëve me ndikim më afatgjatë në inflacion nuk paraqitet e ndryshuar: (i) shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve ka ardhur në rritje; (ii) pritjet për inflacionin mbeten relativisht të qëndrueshme; dhe, (iii) inflacioni në vendet partnere parashikohet të shënojë rritje të tij në të ardhmen.

Aktiviteti ekonomik në vend ka vazhduar të rritet gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit. Bazuar tek të dhënat e INSTAT-it, rritja ekonomike shënoi vlerën 4.06% në tremujorin e dytë. Ajo ka gjetur mbështetje si në kërkesën e brendshme ashtu dhe në kërkesën e huaj.

- Rritja e punësimit dhe e të ardhurave, përmirësimi i kushteve të financimit dhe përmirësimi i besimit në sektorët prodhues, kanë mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private.

- Politika fiskale ka vijuar të ndjekë një kurs konsolidues, të shprehur në vlera pozitive të balancës buxhetore. Në fund të muajit gusht, balanca buxhetore rezultoi me një suficit prej 0.1 miliardë lekësh, duke pasqyruar rritjen vjetore me 6.7% të të ardhurave publike dhe me 12.4% të shpenzimeve buxhetore. Megjithatë, zbutja e shpejtësisë së konsolidimit fiskal krahasuar me vitin e kaluar, ka gjeneruar impuls pozitiv në rritjen e kërkesës agregate, veçanërisht në gjashtëmujorin e parë të vitit.

- Së fundi, përmirësimi i ekonomive të huaja dhe vëmendja e rritur ndaj Shqipërisë si destinacion turizmi, ka rritur kërkesën për eksportet shqiptare të mallrave dhe shërbimeve përgjatë tetë muajve të parë të vitit 2017.

Rritja e kërkesës agregate ka sjellë një shfrytëzim më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi vazhdon të shënojë rritje, ndërsa norma e papunësisë zbriti në nivelin 13.9% në tremujorin e dytë. Po kështu, të dhënat e përftuara nga vrojtimi i bizneseve dhe i konsumatorëve sugjerojnë se shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese të bizneseve ka ardhur në rritje, ndonëse ky tregues mbetet ende poshtë niveleve të larta historike. Në tërësi, Banka e Shqipërisë konstaton se ekonomia shqiptare vazhdon të operojë poshtë potencialit, por ky hendek ka ardhur duke u ngushtuar.

Tregjet financiare operojnë të qeta dhe normat e interesit e kushtet e financimit mbështesin përmbushjen e objektivit tonë. Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol vendimtar në këtë drejtim. Përcjellja e stimulit monetar në tregun financiar është reflektuar në nivele të ulëta të normave të interesit dhe në prime të reduktuara rreziku. Këto zhvillime kanë lehtësuar kostot e shërbimit të kredive ekzistuese dhe kanë nxitur rritjen e kredisë në lekë. Në terma vjetorë, kredia për sektorin privat u rrit me 3.1% në muajin gusht, e mbështetur pothuaj tërësisht nga rritja vjetore prej 9.6% e portofolit të kredisë në lekë.

Treguesit e shëndetit të sistemit bankar janë përmirësuar. Ato evidentojnë nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti, si dhe rënie të nivelit të kredive me probleme. Masat e marra për reduktimin e kredive me probleme kanë bërë që raporti i tyre ndaj kredisë totale të zbresë në 15.14% në muajin gusht, niveli më i ulët ky i shënuar që prej vitit 2011. Treguesi i kredive me probleme është në rënie për pothuajse të gjitha bankat e sistemit dhe reflekton jo vetëm detyrimin rregullator për fshirjen e tyre, por edhe shlyerjen e kredive nga sektori privat. Përmirësimi i bilanceve të sistemit bankar, reduktimi i perceptuar i rrezikut të kreditit si dhe përmirësimet e mëtejshme të klimës së biznesit, pritet të ndikojnë në një ofertë më të mirë të kredisë bankare në afatin e mesëm. Së bashku me gjallërimin e pritur të kërkesës për kredi, këto zhvillime pritet të pasqyrohen në një rritje më të shpejtë të kreditimit në të ardhmen.

***

Përditësimi i analizës dhe i parashikimeve afatshkurtra është në linjë me pritjet tona të mëparshme për zhvillimet ekonomike dhe monetare në afatin e mesëm. Ngadalësimi i inflacionit në dy muajt e fundit nuk krijon shmangie të rëndësishme në trajektoren e pritur të tij në të ardhmen. Kthimi i ekonomisë në potencial dhe absorbimi gradual i kapaciteteve të pashfrytëzuara, pritet të shoqërohet me rritjen graduale të inflacionit. Ky i fundit pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2018.

***

Zhvillimet e pritura ekonomike dhe monetare sugjerojnë se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Përmbushja e objektivit të inflacionit kërkon ndjekjen e një politike monetare akomoduese gjatë horizontit afatmesëm, për të kompensuar efektin afatshkurtër frenues të kursit të këmbimit dhe për të mbështetur rritjen ekonomike.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%;
  • Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet përpara tremujorit të dytë të vitit 2018. Në çdo rast, normalizimi i politikës monetare do të jetë i matur, duke synuar garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm dhe duke u kujdesur të mbështesë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.

Gjithashtu, në përgjigje të goditjeve të vazhduara të ofertës në inflacion si dhe duke reflektuar mbi zhvendosjen për poshtë të balancës së rreziqeve, Këshilli Mbikëqyrës thekson se ai mbetet i gatshëm të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm. Në varësi të intensitetit të goditjeve apo materializimit të rreziqeve të ndryshme, këto masa mund të shkojnë nga një normalizim më i ngadaltë i politikës monetare në rritje të mundshme të intensitetit të stimulit monetar.