BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 6 korrik 2016

Data e publikimit: 06.07.2016

 

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim raportin e ndërmjetëm të politikës monetare. Në përfundim të analizës së informacionit dhe parashikimeve të paraqitura, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%.

***

Të dhënat e reja të disponuara tregojnë se ekonomia shqiptare dhe treguesit e saj monetarë kanë ecur përgjithësisht në përputhje me pritjet tona. Në linjë me këto parashikime, aktiviteti ekonomik dhe inflacioni shfaqen në rritje.

Balanca e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje në gjysmën e parë të vitit 2016. Kjo rritje duket të jetë mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, ndërkohë që përkeqësimi i bilancit tregtar me jashtë dhe suficiti buxhetor i krijuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, kanë vepruar në kahun e kundërt.

Zgjerimi i konsumit privat reflekton rritjen e punësimit dhe të të ardhurave të disponueshme, si dhe është ndihmuar nga politika monetare stimuluese, kushtet e përshtatshme të financimit dhe rritja e kredisë për konsum. Kontributi pozitiv i investimeve reflekton zgjerimin e investimeve private, të brendshme dhe të huaja, ndërkohë që investimet publike kanë shënuar rënie. Zgjerimi i investimeve private ka përfituar gjithashtu nga likuiditeti i bollshëm dhe nga normat e ulëta të interesit në tregjet financiare. Banka e Shqipërisë pret një rritje të kërkesës së brendshme private edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit. Megjithatë, besimi i biznesit dhe ai konsumator mbeten të luhatshëm, çka ilustron pozitën ende të pakonsoliduar të kërkesës së brendshme private si motor i rritjes ekonomike.

Paralelisht me të, ecuria e dobët ekonomike e partnerëve tanë tregtarë, rënia e çmimit të disa prej produkteve tona tradicionale të eksportit, si dhe fatura e lartë e importit që kanë disa prej investimeve të huaja direkte në Shqipëri, kanë sjellë një zgjerim me 26.3% të deficitit tregtar gjatë pesë muajve të parë të vitit. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, kjo tablo do të ruhet edhe në gjashtëmujorin e dytë, dhe shkëmbimet tregtare me jashtë nuk do të mbështesin rritjen ekonomike gjatë vitit 2016.

Aktiviteti financiar i sektorit publik rezultoi me një suficit prej 18.2 miliardë lekësh deri në muajin maj, kundrejt një deficiti prej 10.6 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky konsolidim i fortë fiskal reflektoi si rritjen e të ardhurave, ashtu edhe tkurrjen e shpenzimeve buxhetore. Në veçanti, këto të fundit pasqyruan reduktimin e shpenzimeve kapitale, duke mbetur poshtë nivelit të planifikuar për to. Në përputhje me projeksionet buxhetore, ne presim rritjen e tempit të shpenzimeve publike dhe ngadalësimin e tempit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjen me vend të ritheksojë se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore do të ndihmonte në uljen e luhatjeve të aktivitetit ekonomik dhe të tregjeve financiare.

 dsc1150 copy 8594 0

Në përgjigje të politikës monetare stimuluese, tregjet financiare vazhdojnë të karakterizohen nga një nivel i kënaqshëm likuiditeti dhe nga tendenca rënëse të normave të interesit. Stimuli i fundit monetar është transmetuar edhe në tregjet financiare, ku normat e interesit të kredive ne lekë kanë rënë me rreth 1.0 pikë përqindjeje ndërsa kurba e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë është zhvendosur për poshtë, mesatarisht me 1.20 pikë përqindjeje. Ecuria e depozitave dhe e pasivit të bilancit të sistemit bankar është e qëndrueshme. Megjithatë, aktiviteti kreditues mbetet ende i zbehtë. E pastruar nga efekti i pastrimit të kredive nga bilancet, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 2.5% në muajin prill. Si rrjedhojë, rigjallërimi i kredisë bankare mbetet parakusht për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe do të jetë një nga objektivat afatmesëm të punës së Bankës së Shqipërisë dhe të autoriteteve të tjera publike.

Inflacioni vjetor shënoi vlerën 0.7% në muajin maj, duke lëvizur në kahun dhe me intensitetin e pritur nga Banka e Shqipërisë. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik solli rritjen e inflacionit bazë, ndërsa zbehja e efekteve të goditjeve të ofertës u shoqërua me zbehjen e tendencave dezinflacioniste të importuara nga tregjet e huaja.

Informacioni i ri dhe përditësimi i parashikimeve nuk kanë ndryshuar pritjet tona për të ardhmen. Projeksioni ynë i rritjes ekonomike për vitin 2016 mbetet i njëjtë, ndërkohë që projeksionet afatshkurtra të inflacionit janë zhvendosur lehtësisht për lart dhe ato afatmesme nuk kanë ndryshuar. Në përputhje me këto parashikime, Banka e Shqipërisë pret përmirësim progresiv të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Ky përmirësim do të ndihmojë në rritjen graduale të inflacionit dhe në kthimin e tij në objektiv në fund të vitit 2018.

Efektet e politikës monetare lehtësuese po vazhdojnë të transmetohen në tregjet financiare dhe qëndrimi aktual i politikës monetare vlerësohet i përshtatshëm për të përmbushur objektivat tona.

Në përputhje me këto konkluzione, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se, në mungesë të goditjeve të paparashikuara, stimuli monetar nuk do të zbehet përgjatë gjithë vitit 2016. Po kështu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë korridorin e normave të interesit në tregun ndërbankar, të përcaktuar nga norma e interesit të depozitës njëditore në nivelin 0.25% dhe norma e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 2.25%.

Në mbyllje të analizës, Banka e Shqipërisë konstaton se balanca e rreziqeve rreth zhvillimeve të pritura afatmesme vazhdon të qëndrojë në kahun rënës. Në veçanti, Banka e Shqipërisë është duke ndjekur me vëmendje fenomenin Brexit dhe pasojat që ai mund të ketë në ekonominë shqiptare.

Analiza jonë sugjeron se ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar rezultojnë imunë ndaj goditjeve direkte që mund të vijnë nga dalja e pritur e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Ekspozimi jonë tregtar me Mbretërinë e Bashkuar, në formën e eksporteve dhe importeve, është pothuaj i papërfillshëm. Po kështu, investimet direkte apo financiare të origjinuara nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri janë të ulëta, ndërsa remitancat prej saj përbëjnë diçka më shumë se 10% të remitancave totale. Paralelisht me to, sistemi bankar shqiptar ka një ekspozim të ulët edhe ndaj formave më ekstreme të luhatjeve të paundit dhe të sistemit financiar britanik.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka një ekspozim më të madh ndaj goditjeve indirekte që Brexit mund të ketë në ekonominë dhe në sistemin financiar evropian. Vendet e këtij të fundit janë partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë, dhe çdo reagim negativ i tyre ndaj Brexit do të tentonte të transmetohej edhe në Shqipëri.

Në lidhje me këto efekte indirekte, Banka e Shqipërisë dëshiron të theksojë se:

  • Së pari, probabiliteti i materializimit të goditjeve ekstreme është relativisht i ulët. Ne kemi besim se aktorët e përfshirë në diskutime do të dinë të shmangin situata të padëshirueshme për gjithkënd. Megjithatë, ne mbetemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
  • Së dyti, ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar shfaqen më të përgatitur për të përballuar goditjet e mundshme krahasuar me situatat e ngjashme paraardhëse. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të rritur gatishmërinë dhe imunitetin e tyre.
  • Së treti, edhe në rast përkeqësimi të mëtejshëm të situatës, Banka e Shqipërisë disponon vullnetin dhe instrumentet e duhura për të garantuar përmbushjen e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve, si dhe për të mbështetur aktivitetin dhe shëndetin e sistemit financiar. Në veçanti, politika monetare do të merrte një natyrë më të fortë stimuluese, duke shfrytëzuar fillimisht hapësirat e mbetura të përdorimit të instrumenteve tradicionale dhe duke iu drejtuar më tej, nëse do të jetë e nevojshme, edhe instrumenteve jotradicionale të politikës monetare.

***

Në mbyllje të këtij njoftimi, Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmon edhe njëherë mesazhin se, në mungesë të goditjeve negative, perspektiva afatmesme e zhvillimit të vendit mbetet pozitive.